Te pandehurit, akuza mbi prokuroret
TIRANE - Te akuzuarit per pengmarrjen e imamit te Gostivarit, Irfan Idrizit, me 2 dhjetor 2002, priten diten e djeshme per t'u "zbrazur" lidhur me personat qe sipas tyre kane dijeni dhe jane pergjegjes per ngjarjen. Ne konkluzionet perfundimtare nuk kane munguar as emra prokuroresh e zyrtaresh te larte te policise se asaj kohe ne rrethin e Kukesit, te cilet jane cilesuar si rrembyesit e vertete te imamit te Gostivarit. Gjate seances se djeshme, pasi perfaqesuesit e mbrojtjes lexuan konkluzionet perfundimtare per klientet e tyre, njeri prej te pandehurve, Masar Meli, kerkoi nga gjykata te lexoje disa konkluzione qe i kishte pergatitur vete. Ish-oficeri i Policise Gjyqesore ne Kukes gjate kohes kur ndodhi dhe rrembimi i imamit, per lirimin e te cilit u kerkuan nje milion euro, lexoi para gjykates nje material prej 25 faqesh, kundrejt 9 faqeve qe lexoi mbrojtesi i tij. Ish-oficeri i policise nuk nguroi te hedhe akuza ndaj prokuroreve qe hetuan ceshtjen, madje dhe ndaj personave te tjere te lidhur me hetimin e ngjarjes. I pari ne radhen e te akuzuarve te Melit ishte personi qe ka bere dhe kallezimin per zhdukjen e hoxhes se Gostivarit, njekohesisht dhe personi qe dorezoi shumen e nje milion eurove tek pengmarresit. "Agim Bilali ne marreveshje me prokurorin qe ka hetuar ceshtjen, kane ndare mes tyre dhe shumen e parave", mesohet te kete thene nje nga te akuzuarit kryesore per pengmarrjen e Irfan Idrizit. Per kete fakt, sipas tij, vijne ne ndihme theniet e prokuroreve qe kane hetuar ceshtjen, te cilet i kane deklaruar vete te pandehurit se e verteta qendron keshtu. Per ta bere sa me bindes kete fakt, Masar Meli tha se per kete prokuroret i jane betuar "per koken e femijeve". Gjithashtu, ne listen e personave te akuzuar nga ish-oficeri i Policise Gjyqesore nuk munguan as ish-prokurori i Kukesit, i hetuar disa kohe per ngjarjen, ish-drejtor i policise se qarkut Kukes ne ate kohe, dhe zyrtare te larte te policise lokale te kohes, per te cilen i pandehuri kerkoi te pyeten, pasi kane dijeni per ngjarjen. Duke pretenduar pafajesi, mbrojtesit e te pandehurve: Masar Meli, Nagip Musliu, Shkelqim Palushi, Korab Meli, Basri Shahu dhe Beqir Shau thane dje fjalen e fundit. Nje seance me pare, Prokuroria per Krime te Renda kerkoi nga gjykata shpalljen fajtore te gjashte te pandehurve dhe denimin e tyre me 78 vjet burg per ngjarjen e 2 dhjetorit te gjashte viteve te shkuara, ku ne Maqedoni u mor peng Irfan Idrizi, imami i Gostivarit. Seanca e djeshme tashme i hapi rrugen gjykates, e cila me vendimin e saj pritet te mbylle nje nga ceshtjet qe prej 6 vjetesh zvarritet, duke nisur nga Gjykata e Kukesit e deri te Krimet e Renda. L.Bakillari