"Kush vuan nga demenca?"
Samiti i Bukureshtit. Shqipëria merr ftesën për anëtarësim në NATO dhe kjo shënon një impakt pozitiv, një faqe të re për vendin tonë. Përtej deklaratave optimale të Kryeministrit shqiptar, u duk se u krijua një lloj "frymëmarrje" pas gati më shumë së 15 ditëve të ngërthyer me tragjedinë e Gërdecit.
Po ç'ndodhi realisht? Aktorët tanë të politikës u treguan "brilantë' në sytë e botës, duke realizuar brenda karizmës së politik-bërjes moderatore e progresive show mediatik për ndërkombëtarët. Duke lënë mënjanë meritën e paqeruajtësve shqiptarë në Bosnje, Irak etj., apo dhe duke harruar emërtesën "braves poilus", politika shqiptare e çdo polarizimi kërkon autovlerën sugjestive dhe ciklimin honorifik, pra, secila trumbeton se ka shërbyer si katalizë për marrjen e ftesës nga Aleanca Euroatlantike.
Dhe "post-3 prilli" e atashon skenën e zhvillimeve të vrullshme në një tjetër arenë, bash në përditshmërinë sipas grafikëve monotonë në Shqipëri. Se këtu ndryshon puna. I bindëm ndërkombëtarët? Atëherë, le të bëhemi vetvetja në "tokën tonë". Dhe, duke ndjekur pikërisht shfaqjet "live" (ç)politike, të krijohet një lloj nemitje; ti beson, por për eufemizëm e kthen në dyshim dhe pyet veten: "Ç'është kjo frymë refraktare? Ç'është gjithë ky makietizim, a thua politika e botës të jetë qorrollepsur e gjitha nga kornea?".
E pas kësaj, nuk kupton nëse vuan nga demenca ti a politika jonë. Sërish në dy kampe. Dy grupime, mëvetësisht: koncert në Qendrën Kulturore "Pjetër Arbnori" - të djathtët festojnë ftesën e anëtarësimit; nga ana tjetër, në sheshin "Skënderbej", opozita në miting me sloganimet: "Po NATO-s, Jo Berishës!" apo dhe me vazhdimin e turit "Dialog me Shqipërinë"...
Duke mos lënë pas kontekstin konkret, por duke e përfshirë atë edhe brenda retrospektivës 18-vjeçare të asaj që ka prodhuar politika, kupton se ndodhesh në udhëkryq. Të dy kahet, vijojnë reminishencat e politikës tradicionale brenda suazës së ngjyrës së tyre. A janë të sinqertë? Shqiptarët kanë besuar përherë në pompozitetin e deklamimeve të premtimeve të paskrupullta e po kaq herë janë zhgënjyer.
Më mendjevjen poezia "Atij që rrahu Roland Hejsin", e poetit zezak amerikan, Lengston Hjuz, shkruar në Xhorxhia më 1942: "Era / Fryn mbi fushat e pambukut / e llastuar, duke qarë / Por kini mendjen! / Ajo shkul dhe shumë / Lisa qindravjeçarë"...