E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pastrehët, 1 300 aplikues për 96 apartamente

Qyteti i Korçës

Korçë- 96 apartamente me kosto të ulët pritet që së shpejti tu shpërndahen familjeve të pastreha të qytetit të Korçës. 1 300 kryefamiljarë kanë aplikuar për këto apartamente. Mbi 1 000 familje të tjera të pastreha qëndrojnë pas tyre. Megjithatë, 1 300 familje aplikante që prej disa ditësh ndodhen të përpira nga ankthi nëse do të jenë fituese ose jo. Gjithkush prej tyre shpreson të bëhet me shtëpi e ti shpëtojë një herë e mirë stresit të të qenit i pastrehë që i ka munduar për vite të tëra me radhë. Ka nga ato familje që deri më tani kanë jetuar në banesa me rrezik shembje, ka të tjera që jetojnë nëpër kasolle buzë lumit të Drenicës, nuk mungojnë familjet që shpërngulen sa në një lagje në një tjetër. Sigurisht fituese do të jenë vetëm 96 familje, për të tjerët do të vijojë sërish kalvari i gjatë i mundimeve deri sa edhe për ta të ndrisë ylli i fatit, por nëse ndrit. Rregullat e strehimit ose më saktë ligji për programet sociale të strehimit, nuk favorizojnë familjet që jetojnë në mjerim të plotë. Të gjitha këto na i shpjegon Përgjegjësi i Zyrës së Strehimit pranë Bashkisë Korçë, Vaskë Thimo.

Cilat do të jenë kriteret për ndarjen e 96 apartamenteve?

Edhe për 96 familjet që do të dalin fituese, kriteret që do të ndiqen do të jenë këto: nuk do të ketë shumë rëndësi fakti nëse shtëpia ku jeton  nuk plotëson as kushtet minimale; nuk do të jesh favorit edhe nëse ke një apartamenet, dhomë e kuzhinë, ku jetojnë dy familje apo edhe më shumë kurorë. Kushtet në të cilat jeton do të jenë kritere të dorës së dytë. Ky është ligji, bashkia nuk mund të bëjë dot asgjë më shumë. E rëndësishme mbetet vetëm një gjë: sa janë të ardhurat e familjes? A është në gjendje kjo familje që të shlyejë qiranë mujore? Nëse  familja e pastrehë do të ketë të ardhura minimale, atëherë kursesi nuk mund të jetë fituese e një apartamenti me kosto të ulët që jepet për të pastrehët me qira sociale. Pra, kjo do të thotë se nga 1300 familje aplikante do të veçohen ato që kanë të ardhura të mjaftueshme për shkyerjen e qirasë, dhe po nga këto familje do të dalin vetëm 96 prej tyre për të cilat do të merren parasysh kushtet në të cilat jetojnë. E shprehur më qartë: së pari të ardhurat dhe pastaj kushtet në të cilat jeton.

Çfarë ndodh me familjet që nuk kanë të ardhura?

Pyetja është e drejtë. Nga 1300 familje që kanë aplikuar, 70% e tyre janë rrëzuar sepse nuk përmbushin kriterin e të ardhurave. Por të skualifikuarit janë familjet me probleme të mprehta sociale, shëndetësore, ekonomike, sepse janë familjet më të varfëra. Gjithashtu përjashtohen nga mundësia e strehimit, romët, egjiptianët, jetimet, pasi siç dihet në këto komunitete familjet e pastreha nuk kanë mundësi ekonomike dhe financiare. Të gjitha këto familje duhet të presin në radhë, por a është zgjidhja kjo? Sigurisht që jo. Ne mendojmë se për familjet me probleme sociale që nuk sigurojnë të ardhura duhet të ndërhyhet nëpërmjet bonuseve të strehimit, ose e shprehur me thjeshte, për familje të tilla, qeveria duhet të kontribuojë me rimbursimin e qirasë mujore. Vetëm kështu, edhe këto familje do të bëheshin pjesë e përfitimit të apartamenteve me qira sociale, e cila për një garsoniere shkon në 3.6 mijë lekë në muaj, për një dhomë e kuzhinë 6 mijë lekë dhe për dy dhoma e një kuzhinë 3.4 mijë lekë në muaj

Çfarë parashikohet në lidhjen e kontratës?  

Edhe nëse shpallesh fitues dhe përfiton një apartament, kjo nuk do të thotë që i shpëtove njëherë e mirë vuajtjes të të pastrehit. Jo. Kontrata do të jetë vetëm për një vit, dhe kjo gjë do të përsëritet vit pas viti. Nëse ndodh që të ardhurat mujore të familjes janë rritur, atëherë kjo familje duhet të dalë automatiksht nga banesa. Të gjitha këto janë të përcaktuara në bazë të ligjit 9232 Për programet sociale për strehimin e banorëve në zonat urbane. Bashkia duhet të respektojë ligjin. Se ku duhet të shkojë kjo familje që del nga banesa nuk është e parashikuar. Edhe nëse vitin tjetër të ardhurat e saj zbresin përsëri, sepse mund ta humbasë vendin e punës, apartamentin nuk mund ta fitojë. Sërish do ti duhet të zërë radhë te mijëra familjet e pastreha që presin në radhë. Pra ne mendojmë se të gjitha këto duhet të rishikohen

Cilat janë kriteret për privatizimin e banesës?

Edhe pse thuhet se kur një familje jeton për 10 vjet me radhë në një banesë me qira sociale i lind e drejta ta privatizojë atë, kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Në marrëveshjen që është bërë me kreditorin (financuesin) për ngritjen e apartamenteve, parashikohet një gjë e tillë, por mbetet e pazbatueshme, pasi deri më sot nuk është saktësuar përfundimisht nga ana ligjore, nëse këto apartamente do të privatizohen ose jo, dhe po kështu nuk janë të përcaktuara modalitet, se cilat do të jenë kriteret e privatizimit.  Pra, ka paqartësi përsa i përket privatizimit dhe veç kësaj, një i pastrehë që fiton një banesë sot, mund ta humbasë atë nesër. Mjafton që familja të ketë rritje të ardhurash, dhe kjo e nxjerr në rrugë. /Vepror Hasani/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›