E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kodi Zgjedhor, gati për kushtet e LSI

 

ADI SHKËMBI

Partia Demokratike është gati të propozojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të plotësuar kushtin e LSI-së, por për miratimin e tyre duhet patjetër edhe vota e PS-së. Një nga hartuesit e Kodit Zgjedhor, përfaqësuesi i PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Oerd Bylybashi, thotë në një prononcim për mediat se ndërmarrja e ndryshimeve në ligjin elektoral mund të rrisë besueshmërinë, por shton se kjo s’mund të bëhet pa vullnetin e partisë më të madhe të opozitës. “Në rast se do të ketë nevojë për të futur më tej në Kodin Zgjedhor elemente besimi, për ta bërë akoma më pak vulnerabël procesin zgjedhor, edhe kjo mund të bëhet, por nuk ka recetë për të zëvendësuar mungesën e vullnetit politik nga një subjekt i rëndësishëm, siç në këtë rast është partia më e madhe e opozitës. Një gjë që ne mendojmë që është e nevojshme është që të përmirësohet dhe të lehtësohet më tej procesi i numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit, rritja e kapaciteteve të procesit”, thotë Bylykbashi. Gjatë daljeve të fundit për mediat, Kryeministri Sali Berisha është shprehur pro kushtit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për korrektimin e sistemit proporcional rajonal me atë kombëtar. Kreu i ekzekutivit është shprehur se do të luftojë për të bërë 84 vota në parlament për të ndryshuar Kodin në interesin më të mirë të stabilitetit të vendit. “Unë besoj që korniza është e përcaktuar mjaft mirë në Kushtetutë në lidhje me këtë sistem, dhe ky sistem është përcaktuar në Kushtetute si një sistem ku mandatet ndahen ne nivel qarku. Sigurisht që mbasi ky element ishte futur në Kushtetutë edhe ky diskutim është bërë dhe e vetmja zgjidhje që ne pamë ishte kjo në Kodin Zgjedhor”, vijon Bylykbashi. Megjithatë, sipas tij, kodi aktual ka një arritje, pasi eliminoi Dushkun dhe të gjitha përplasjet që kanë karakterizuar proceset e mëparshme zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›