Shpenzimet elektorale, qeveria mori dy herë para nga thesari i shtetit
Rezerva e shtetit u përdor për të mbuluar shpenzimet e tepërta elektorale. Në 5 muaj u morën dy herë kredi direkte, FMN-ja dhe BSH-ja, kundër
Ervin KOÇI
Fushata e kushtueshme elektorale dhe shpenzimet e tjera që shoqëruan këtë periudhë bënë që qeveria të mos hezitonte të përdorte as thesarin e shtetit për shpenzimet e saj. Plot dy herë brenda 5 muajve, para zgjedhjeve të 28 qershorit, qeveria mori para nga rezerva e shtetit (thesari), duke e vënë me shpatulla për muri edhe vetë Bankën e Shqipërisë. Për pasojë, kjo e fundit (BSH-ja) u detyrua të përdorë rezervat e veta valutore për të shmangur zhvlerësimin e mëtejshëm të lekut. Zyrtarisht është bërë e ditur se BSH shpenzoi rreth 40 milionë euro gjatë muajit mars për të blerë lekun që pati shpërndarë me tepri në treg përmes kreditimit të shpenzimeve qeveria “Berisha”. Por veprimi i ndërmarrë nga qeveria, sipas ekspertëve të financave, ishte sa i paligjshëm, aq dhe i rrezikshëm. Sipas tyre, qeveria iu drejtua disa herë gjatë periudhës dhjetor ‘08-prill ‘09 BSH-së për kredi direkte. BSH-ja i dha Ministrisë së Financave 3 miliardë lekë në dhjetorin e kaluar dhe 7 miliardë të tjera në mars të këtij viti. Por kredia direkte nga BSH është thjesht një term teknik që nënkupton praktikisht emetim monetar, i cili konvertohet menjëherë në zhvlerësim të lekut. Euro u mbiçmua nga 122 në 123.6 lekë në dhjetor dhe nga 123.6 në 130 lekë gjatë muajve shkurt-mars dhe ekspertët thonë se shkaku i zhvlerësimit qe pikërisht "kredia direkte". Por qeveria shqiptare duket se ka gjetur tashmë si një rrugë të shkurtër për të shpëtuar nga situata e momentit, marrjen e parave në thesarin e shtetit. Këtë gjë ajo bëri edhe para zgjedhjeve, ku nëpërmjet urdhrave të brendshëm, një mënyrë kjo indirekte për të përdorur rezervën valutore të Shqipërisë, gjatë pjesës së parë të vitit u përdor për mbulimin e shpenzimeve të tepërta paraelektorale.
Kundërshtimi i FMN-së
Veprimi i qeverisë shqiptare për cenimin e rezervës valutore dhe për përdorimin e saj për çështje më tepër politike, ka nxehur ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këta të fundit, edhe pse në përfundim të mandatit të tyre, e kanë konsideruar si marrëzi nga ana e qeverisë përdorimin e kësaj rezerve. Sipas tyre, ajo duhet të mbahej e paprekur, pasi do t’i nevojitej vendit në rast të përballimit me pasoja të forta të krizës ekonomike globale. Kundër këtij vendimi kanë qenë edhe ekspertët vendas, të cilët kanë thënë se sasia e parave që qeveria mori hua nga BSH-ja, nuk është e konsiderueshme, por praktika zbatohet për herë të parë në tetë vjet dhe përbën një precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Qeveria shqiptare i dha fund praktikës së huamarrjes së drejtpërdrejtë nga Banka Qendrore në vitin 2001, nën këmbënguljen e fortë të FMN-së. Në ligjin për BSH-në u lejua përdorimi i kredisë direkte vetëm në "kushte të jashtëzakonshme". Shqipëria nuk ka ende një rregullore që të përcaktojë se çfarë përbën një situatë të jashtëzakonshme dhe çfarë jo. Fakti është që kjo metodë nuk u përdor asnjëherë që nga viti 2002 deri në dhjetor 2008, dhe shumë ekspertë janë të shqetësuar për faktin se në Shqipëri dëshira për shpenzime paraelektorale mund të konsiderohet një "rast i jashtëzakonshëm". Kryeministri Sali Berisha përsëriti edhe një herë javën e kaluar se shpenzimet e qeverisë së tij nuk qenë "paraelektorale", por qenë tërësisht të programuara. Kjo deklaratë u krye vetëm pak ditë para se vetë Berisha të firmoste urdhrin për ndalimin e të gjithë tenderëve të programuar për t‘u zhvilluar gjatë 5-mujorit të fundit të vitit.
Pakësimi i rezervës valutore
Përdorimi pa kriter i rezervës valutore nga ana e qeverisë për nevojat e saj operative dhe për shpenzimet e tejkaluara të fushatës elektorale ka bërë që sasia e këtij fondi emergjence të zvogëlohet. Në fund të vitit 2008, rezerva valutore ishte 2.37 miliardë dollarë, ose vetëm 4.2 muaj importe. Ajo gjendet sakaq në nivelin më të ulët që prej vitit 1996, kryesisht për shkak se importet janë rritur shumë më shpejt sesa rezerva valutore. Rezerva valutore e Shqipërisë u bë dikur objekt debati politik, kur në vitin 2004, ministri aktual i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se rezerva është tepër e lartë dhe se mund të përdoret për kreditimin e ekonomisë. Rezerva valutore e një vendi konsiston në valutë të monedhave të ndryshme që investohet në tituj borxhi të vendeve të zhvilluara dhe që shërben për të përballuar ndonjë ndërprerje të papritur të hyrjes së valutës nga jashtë. Objektivi i Shqipërisë, i vendosur në bashkëpunim me FMN-në një dekadë më parë, është që të mbajë mënjanë rezervë valutore në masën 4.6 muaj importe. Banka e Shqipërisë nuk ka hasur shumë vështirësi në rritjen e rezervës valutore gjatë dekadës së fundit, për shkak se ndërhyrjet e saj në tregun valutor përgjithësisht kanë qenë për blerjen e valutës dhe mos forcimin e lekut. Ndërhyrja në treg gjatë marsit për shitje valute ka qenë një nga operacionet më të mëdha të ndërmarra gjatë vitit të fundit. Operatorët e tregut valutor thonë se BSH ka vijuar të shesë valutë në treg gjatë tremujorit të dytë, por një konfirmim zyrtar i ndërhyrjes dhe i sasisë së valutës së shitur pritet të publikohet jo më parë se shtatori.
3 Gusht 2009