“Erion Braçe, shkaktari i humbjes së PS në Berat”
Bledar Hoti
Erion Braçe dhe Marko Bello janë shkaktarët e rezultatit të dobët të PS-së në qarkun e Beratit. Deklarata vjen nga kandidati i G99, aleat i PS, në këtë qark, Pilo Kerri gjatë një interviste për gazetën “Panorama”.
Z.Kerri, ju kandiduat në zgjedhjet e 28 qershorit për G99 në qarkun e Beratit, ndërkohë që katër vite më parë për PSD-në. Përse këto lëvizje gjithmonë në prag të zgjedhjeve?
Unë kam aderuar në PS që nga viti 1991, sot edhe në vazhdim, si në zgjedhjet e vitit 2005, kur kandidova për PSD dhe në vitin 2009 për G99, kjo është bërë me miratimin dhe dijeninë e strukturave të larta të PS dhe lidershipit të saj. Ka qenë në të dyja rastet e lodhshme dhe sakrificë personale, por me kënaqësinë për të dhënë kontribut konkret koalicionit të majtë.
Çfarë keni parasysh kur thoni duhej të bëhej më e ndershme nga maxhoranca por edhe brenda koalicionit?
Së pari, e kam fjalën për të gjithë atë fushatë parazgjedhore, gjatë zgjedhjeve dhe deri tek administrimi i votave që u bë nën trysninë e maxhorancës, probleme tashmë të njohura për qarkun e Beratit, për të cilat më vjen keq edhe për qëndrimin e Kolegjit Zgjedhor i cili në rastin e një vendimi të tij real për rinumërimin e votave sipas kërkesës të PS dhe G99 problemet do të ishin sqaruar, PS merrte mandatin e pestë dhe gjithçka do të zinte vendin e vet. Së dyti, do të dëshiroja të mos ndodhte por që për fat të keq qëndrimi i personave të veçante madje edhe të vet kandidatëve për deputetë të PS-së, Braçe e Bello, në raport me G99 si parti aleate e koalicionit dhe personalisht ndaj meje si kandidat i saj gjatë fushatës në qarkun e Beratit, por në veçanti në rrethin e Kuçovës ishte jo e ndershme. Në mbledhjen e Asamblesë para disa ditëve dëgjova me vëmendje diskutimet e këtyre drejtuesve politikë të fushatës në qarkun e Beratit. Sigurisht që isha dakord për qëndrimet ndaj maxhorancës, e cila ka deformuar vullnetin e shqiptarëve, sepse zgjedhjet nuk ishin të lira, të drejta dhe të barabarta dhe se institucionet që do të dalin nga këto zgjedhje kanë legjitimitet të cunguar. Për të mos shkuar në detaje se ç’duhej thënë ose jo më tej, sinqerisht prisja nga të dy politikanët sigurisht shumë herë më tepër nga unë me eksperiencë dhe përvojë politike, që të paktën me dy fjalë ti kërkonin ndjesë Asamblesë Kombëtare të PS, këtij forumi të lartë dhe nëpërmjet kësaj asambleje dhe zgjedhësve të Beratit për rezultatin e dobët me 4 mandate në këtë qark. Kam bindjen se në qarkun e Beratit ne duhet të kërkonim sot mandatin e gjashtë për shkak të devijimeve të procesit prej maxhorancës. Ndërsa zgjedhësve të Kuçovës në veçanti, jo mua personalisht, t’u kërkonin ndjesë për keqmenaxhim të fushatës, për interpretim me keqdashje në mënyrë publike të Kodit Zgjedhor, kur bëhej fjalë për koalicionet, madje edhe të nenit 96 të kushtetutës pika 1, ku përcaktohet saktë se kush e formon qeverinë pas përfundimit të fushatës zgjedhore.
Pse çfarë ndodhi?
Këto fakte duhet të analizohen në një proces analize të vetë PS sepse nga analizat dhe ballafaqimi i përgjegjësive reale, veç të mira ke. Fillimisht fushata u nis me një intervistë gati 90 minutëshe e z.Braçe në televizion lokal të Kuçovës me shpifje, mllef dhe gënjeshtra kundra Bashkisë Kuçovë dhe kryetarit të saj, sikur këtë pushtet vendor e kishte drejtuar PD pa pasur parasysh aspak që e ka drejtuar dhe vazhdon ta drejtojë forca e tij politike, madje me sukses dhe shembull pozitiv për qeverisjen vendore të PS në vite. Arsyeja sepse mbështetet G99 dhe kandidati i saj. Më pas filluan thirrjet nëpërmjet formës së trakteve, si në kohen e luftës nazifashiste, duke i shpërndarë në çdo ambient publik të Kuçovës me përmbajtje absurde si: - “Pilo Keri dhe të tjerë që mbështesin atë janë tradhtarët më të mëdhenj të PS në vite”; “Pilo Keri ju kërkon vota kuçovarëve në këmbim të funeralit falas”; “mos votoni G99, është LSI Nr.2”. Ndërsa z.Bello në asamble me hipokrizi qorton në diskutimin e tij kryetarin Rama, që neglizhoi pa të drejtë koalicionin me LSI-në, madje sipas tij PSV91 kishte arritur sukses me 11000 vota në gjithë Shqipërinë, ndërsa ironizon duke thënë se G99 si zbulim i ri nuk bëri asgjë. Bello nuk ka guximin të pranojë një të vërtetë dhe të thotë që megjithëse unë dhe shokët e mi punuam kundër G99, si kandidatë e drejtues politik të PS në qarkun e Beratit, ndonëse kundër vendimit politik të partisë, gjithsesi G99 mori në këtë qark me gjithë devijimet që ju bënë votave gati 50% e votave të LSI në qarkun e Beratit ose 30% të votave të PSV 91 në shkallë vendi.
Çfarë qëndrimi mbajtët ju gjatë fushatës pas këtyre thirrjeve?
Ne nuk zgjodhëm rrugën e debatit, përkundrazi zhvilluam fushatën në mënyrë qytetare, madje edhe sot nuk mendoj se këto thirrje i formuloi në kompjuter Braçe apo Bello, por fakti që ato dilnin nga zyra elektorale e tyre dhe ata heshtnin, kjo ishte e papranueshme dhe mendoj se dhanë deri në një farë mase efekt negativ. Unë jam i bindur se në Berat mandati i pestë për PS ka humbur për shkak të deviacionit të votës në numërim, ndërsa të gjitha sa fola më sipër gjatë fushatës po të ishte punuar ndryshe me Partinë G99 koalicioni Rama kishte të gjitha mundësitë të kërkonte me të drejtë Kolegjit Zgjedhor jo mandatin e pestë por edhe të gjashtin. Sikurse kam bindjen dhe e shpreh pa rezerva se rezultati me katër mandate i PS në qarkun e Beratit është një turp.