E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Pesha: Ky katërvjeçar do jetë i të rinjve

 

LSI do të ketë si prioritet të sajin të qeverisjes zgjidhjen e problemeve të rinisë shqiptare. Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Besian Pesha në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se gjatë qeverisjes së ardhshme, forca e tij politike do t’i kushtojë një vëmendje të madhe rinisë, në zbatim të programit të paraqitur gjatë fushatës elektorale. “Do të iniciohet zbatimi i një sërë nismash ligjore, të cilat synojnë integrimin e mëtejshëm të së rinjve të vendit në proceset e vendimmarrjes, nxitjen dhe zhvillimin e talenteve të reja në fushën e arsimit, kulturës, sportit etj., përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të mësimdhënies në të gjitha nivelet e shkollimit në vend, përfshirjen e sa më shumë të rinjve në aktivitete publike, garantimin i të drejtave të çdo të riu shqiptar në raport me shtetin”, tha Pesha. Në emër të LSI-së, Pesha theksoi se “falënderoj edhe një herë të gjithë ata të rinj dhe të reja që në datën 28 qershor iu drejtuan kutive të votimit dhe treguan me votën e tyre se kanë dëshirë të jenë pjesë e vendimmarrjes politike të vendit tonë dhe në mënyrë të veçantë të gjithë ata të rinj e të reja, të cilët votuan për Lëvizjen Socialiste për Integrim në 28 qershor”. Ai ka bërë të qartë edhe një nga synimet e LSI-së në qeverisjen e ardhshme për të rinjtë.
“Karta dhe statusi i studentit, projektligji për vullnetarizmin, përmirësimi i mëtejshëm i procesit të maturës shtetërore, projektet për sportin dhe kulturën, nxitja dhe mbështetja e projekteve dhe organizatave rinore brenda ambienteve shkollore dhe jashtë tyre do të jenë disa nga nismat konkrete që LSI do të propozojë dhe ndërmarrë gjatë këtij 4-vjeçari. Ne kemi bindjen e plotë se falë angazhimit të LSI dhe vizionit tonë të 4-vjeçarit të ardhshëm do të jetë 4-vjeçari i rinisë shqiptare”, tha Pesha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›