E Diel, 1 Nëntor 2026

Të pathënat e Suarezit

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez beson se dënimi prej tetë ndeshjesh sezonin e fundit ishte rezultat i fuqisë politike që ka Manchester United në futbollin anglez.

Futbollisti uruguaian ishte suspenduar dhe gjobitur me 40 mijë funte në dhjetor, pasi ishte gjetur fajtor për fyerje raciste ndaj mbrojtësit të United, Patrice Evra në një ndeshje të Premierligës në mes të dy skuadrave.

“Njerëzit në Liverpool janë të sigurt se kjo ishte rruga të cilën Manchester United e përdori për të më lënë jashtë ekipit dhe për ta ndalur Liverpoolin. Në Angli, forca politike e Manchester United është e fuqishme dhe duhet ta respektosh atë dhe ta mbyllësh gojën”, ka thënë fillimisht Suarez për programin televiziv 'RR.Gol'.

– “Ato ishin ditët më të vështira të jetës sime. Nuk jam mësuar të tregoj se çka në të vërtet ndiej, por ai tre javësh ishte mjaft i vështirë. Unë gjithashtu kam qarë kur isha me gruan time”, shtoi futbollisti jug-amerikan.

Rasti kontrovers kishte vazhduar në shkurt, kur Suarez kishte refuzuar t’ia zgjaste dorën Evras në përshëndetjen e ekipeve para ndeshjes. Por, ai insiston se ky rast ishte keqkuptuar.

“Në Angli është treguar momenti kur nuk e zgjata dorën, por nuk e kanë treguar se ai e kishte ulur dorën më herët. Vetëm mediat në Uruguai e në Spanjë e kanë shfaqur atë se unë kam dashur t’ia zgjas dorën, sepse u kisha premtuar të gjithëve se do ta bëja këtë”, përfundoi Suarez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›