Tifozët në FSHF: Mos licenconi Partizan aksionarësh
Një përfaqësi tifozësh të kuq kanë pasur një takim me zyrtarët e federatës, ku kanë marrë premtimin se edhe ata janë për një ekip të mbështetur nga ministria
Java ka nisur e zjarrtë për Partizanin, pasi dy ekipe të përfaqësuara nga aksionarët e shoqërisë Partizani sh.a, Albert Xhani dhe Paro Laçi kanë bërë kërkesë në federatë për tu regjistruar për sezonin e ri. Kjo gjë ka ngjallur reagimin e tifozerisë së kuqe, pasi ata kërkojnë një fillim të ri, me emra dhe drejtues të ri, jo me persona që janë provuar.
Kështu një përfaqësi e shoqatës së tifozëve të FK Partizanit kanë qenë dje në FSHF ku kanë takuar nga afër drejtues të këtij institucioni, që merret me mbarëvajtjen e aktiviteteve futbollistike në Shqipëri. Përfaqësia e tifozëve u ka paraqit zyrtarëve të federatës kërkesat e tyre, ku kryesorja është që FSHF të mos pranojë të ashtuquajturin ekip të presidentit Albert Xhani.
Gjithashtu ata kanë kërkuar që nuk janë të sigurt as me një Partizan të administruar vetëm nga Paro Laçi, kështu që në se duan të mirën e legjendës, ata i kanë kërkuar federatës që të insistojnë një Partizan të administruar nga Ministria e Mbrojtjes në përkrahjen e sponsorëve të ndryshëm.
Mësohet se drejtuesit e federatës u kanë dhënë premtimin tifozëve të kuq se edhe ata janë në një linjë me ata, pasi duan që Partizani i sezonit të ri të vijojë pak a shumë si një vit më parë, në përfaqësimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Priten sponsorë për të kuqtë Federata ka insistuar dhe prej kohësh është në bisedime me dikasterin e mbrojtjes që ta bindë ministrinë që të vijojë mbështetjen për Partizanin edhe në sezonin e ri. Mësohet se ekziston një projekt, i cili është i njohur edhe për vetë federatën, ku disa sponsorë janë të gatshëm që të financojnë për Partizanin e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Tifozët e kuq janë larguar disi optimistë, pasi zyrtarët e federatës u kanë thënë se është shumë pranë finalizimit të Partizanit të mësipërm, Partizan i cili do të shmangte edhe problemet që kanë dy aksionarët, Albert Xhani dhe Paro Laçi.
Mësohet se brenda kësaj jave do të marrë jetë Partizani i sezonit të ri, ku flitet se grupi që stërvitet aktualisht nga Nikolin Çoçlli, do të transferohet tek skuadra që mendohet se do të ngrejë Ministria e Mbrojtjes nën përkrahjen e donatorëve të ndryshëm. Pjesë e këtij grupi mendohet se do të jetë edhe Paro Laçi, i cili ka deklaruar se si do që të vejë puna ai do të mbetet pjesë e Partizanit.
