Mallakastër, rrëshqet dheu, bllokohet qarkullimi
Rrëshqitja e tokës krijon sërish probleme në trafikun në Jug të vendit. Mëngjesin e djeshëm, aksi rrugor Ballsh-Tepelenë është bllokuar për 30 minuta, si pasojë e rrëshqitjes së një mjeti. Incidenti u shënua rreth orës 07:00 e ditës së shtunë në afërsi të fshatit Povël të Komunës Fratar të rrethit Mallakastër.
Ka qenë terreni i rrëshqitshëm pas reshjeve të një dite më parë, si dhe rruga e dëmtuar nga shkarjet e dheut ajo që solli batimin e një trajleri që vinte nga Greqia për të transportuar një rul. Fatmirësisht, nuk ka pasur dëmtim të drejtuesit të mjetit, si dhe të ndonjë personi tjetër apo dëme në automjet, por ky incident paralizoi qarkullimin rrugor për afro 40 minuta të aksit kombëtar. është dashur ndërhyrja e policisë së Komisariatit të Ballshit, si dhe punonjësve të Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, që situata të përmirësohet disi. Ky segment i rrugës kombëtare shpeshherë është bërë objekt i incidenteve të tilla për vetë vështirësinë e lëvizjes së mjeteve kryesisht maune, autobote apo trajlera. Prej disa muajsh është hapur një rrugë provizore për lëvizjen e mjeteve, duke i dhënë hapësirë rikonstruksionit të rrugës nacionale, e cila kishte po këto probleme të lëvizjes së mjeteve.
#