E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përditshmes Zëri, i bëhet bllok në Shqipëri

Faqja e parë e gazetës "Zëri", e versionit print

Prej më shumë se tre ditësh, faqja online e të përditshmes kosovare Zëri (http://www.zeri.info/) nuk mund të vizitohet nga qytetarë të territorit të Shqipërisë. Kurse në Kosovë dhe të gjitha vendet e tjera faqja funksionon normalisht. Një problem i tillë erdhi një ditë pas botimit të artikullit me titull Sali Berisha, me mafian serbe kundër Kosovës.

Në këtë artikull të shkruar nga gazetari Enis Veliu, kryeministri i Shqipërisë akuzohej se ka më shumë se një vit që ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë. Bllokim që i ka siguruar shtetit të Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi për momentin Kosova të vetmen rrugë për import të energjisë ka fqinjin verior.

Në artikull theksohet se biznesmeni serb, Vuk Hamoviç, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliç, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për bllokimin e ndërtimit të linjës, citon një burim konfidencial Zëri.

Më tej thuhet se gazeta për këtë çështje ka provuar të kontaktojë zyrtarë më të lartë të Ministrisë së Financave në Shqipëri, por edhe OST-në, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Një ditë pas publikimit të artikullit, djali i kryeministrit shqiptar, Shkëlzen Berisha e përgënjeshtroi lajmin. Gazeta Zëri e botoi të plotë reagimin e djalit të Berishës por pak orë që pas kësaj faqja e gazetës nisi të kishte probleme dhe prej atëherë nuk hapet dot nga territori i Shqipërisë. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›