E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimit, Shqipëria po i afrohet “pikës kritike”!

Një delegacion prej 13 anëtarësh do të shkojë nga Shqipëri atje, ku do të paraqesë rezultatin e reformave të arritura.

Deri në stë itë, nëse është përmbyllur reforma zgjedhore, ajo parlamentare si dhe çështja e imunitetit, Shqipërisë i shtohen shanset për të marrë statusin e vendit kandidat, ftesë e cila bëhet zakonisht më 12 tetor, kohë kur edhe publikohen raportet për vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së.

"Kemi informacion se do të vijë një delegacion i plotë nga Shqipëria, prej 13 deputetësh, 13 është numër ters, por këtu asnjëri nuk është supersticioz, pra, do të jëtë përfaqësim i plotë nga të dy palët, e shpresoj të jetë një mbledhje normale.  Besoj se situata po përmirësohet tani, prandaj ne duhet të mbajmë një takim standard. Standard do të thotë se do të jetë publik, do të zgjasë 2 ditë, e nuk do të ketë shkurtime, dhe rekomandimet e miratuara bashkërisht do të përfshihen në agjendën e takimit. Ky është takimi normal", tha drejtori për Ballkanin në KE, Eduard Kukan.

Sot në Bruksel u zhvillua takimi përgatitor për mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asocimit, ku shefi i Njësisë për Shqipërinë në KE, Vassilis Maragos, theksoi se marrëveshja e nëntorit e arritur nga klasa politike shqiptare duhet të zbatohet për përmbushjen e reformave, çka sipas tij, do t’i çelnin Shqipërisë rrugën për në BE.

“Kushti më kyç dhe më parësor, i cili do të ndikonte edhe mbi dialogun politik, por edhe pjesën e mbetur të reformave, është plotësimi i Marrëveshjes së Nëntorit. Dy çështjet kryesore u përmendën edhe nga ambasadorja dhe besoj se të njëjtin opinion ndajnë dhe të gjitha vendet anëtare, se ky është minimumi që duhet të bëjë Shqipëria në disa javët e ardhshme, për të ruajtur dialogun politik, por edhe për të krijuar kushtet për kryerjen e reformave të mbetura. Është e rëndësishme që aktorët politikë shqiptarë, si qeveria dhe opozita, nga pozicionet e tyre respektive pasi ne nuk asimilojmë përgjegjësitë e dy palëve, por të dyja palët kanë interesin dhe përgjegjësinë të punojnë së bashku për të mbyllur këto çështje që mbeten pezull. Kjo është absolutisht e domosdoshme dhe absolutisht thelbësore për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së", deklaroi Maragos gjatë mbledhjes.

Ai tha se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit në përgjithësi shkoi sipas hapave kushtetuese, por përzgjedhja nuk erdhi nga dialogu midis palëve, çka mund të shkaktojë agravimin e situatës në vijimësi.

Ashtu sikurse e ka theksuar edhe komisioneri Stefan Fyle në Tiranë, edhe Maragos vlerësoi procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga palët, por edhe miratimin në Parlament të ligjeve që kërkojnë 84 vota. "Këto muajt e fundit kemi parë një funksionim normal sipas meje të Parlamentit, që prej kthimit në shtatorin e kaluar të Partisë Socialiste në seancat plenare dhe në komisione, një zhvillim shumë pozitiv dhe që ka mundësuar vazhdimin e bashkëpunimit. Kjo mundësoi votimin e të gjitha ligjeve që kërkojnë 3/5, duke plotësuar një prej 12 kritereve”, shtoi ai.

Pack: Opozita të tregohet konstruktive

Eurodeputetja Doris Pack, i bëri thirrje opozitës që të tregohet konstruktive dhe të bashkëpunojë për përmbylljen e reformave.  Ne duhet t’i kërkojmë opozitës shqiptare që në javët e ardhshme të punojë së bashku me mazhorancën për përmbushjen e kritereve lidhur me statusin e kandidatit për Shqipërinë. Që opozita është kthyer në parlament, ky është lajm i vitit të shkuar. Nuk kemi pse të përshëndesim më kthimin e opozitës në parlament dhe dialogun midis dy palëve. Duhet përmbyllur sa më shpejt reforma elektorale. Nuk di, se si mund të ndihmojmë, që të bindim opozitën që ajo duhet të bashkëpunojë fort për reformat”, deklaroi ajo gjatë mbledhjes. Eurodeputetja gjermane e angazhuar për çështjen shqiptare, shprehu zhgënjimin që klasa politike në Shqipëri në vijimësi akuzojnë njëra-tjetrën.

Për sa i përket zgjedhjes së Presidentit të ri, ajo u shpreh Partia Socialiste nuk propozoi asnjë kandidat. “Në bazë të një marrëveshjeje të mëparshme, socialistët dhe demokratët ndryshuan Kushtetutën e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit. Presidenti i ri u zgjodh sipas rregullave të reja. Ai u zgjodh në përputhje me Kushtetutën dhe askush s’duhet të ankohet për këtë. Ne shpesh ju kërkojmë gjëra politikanëve, që ata s’mund t’i bëjnë. Propozimet erdhën vetëm nga njëra anë. Shumica ofroi një kandidat, pastaj një kandidat tjetër, pastaj sërish një tjetër, por opozita që kërkonte konsensusin nuk propozoi asnjë kandidat. Është evidente, se nuk kishte dëshirë për konsensus”, theksoi Pack.

Reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare është kryer në pjesën më të madhe, por ende nuk janë miratuar pak pika nga mazhoranca dhe opozita. Javën e shkuar, Parlamenti zgjati mandatin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore për të përmbyllur edhe çështjet e mbetura, siç është riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çështja e ankimimeve apo përdorimi i teknologjisë, ku opozita kërkon që votat të numërohet me makina elektronike, kërkesë e cila nuk ka gjetur mbështetjen e ODIHR-it, i cili ka kërkuar që ky proces të zhvillohet fillimisht si projekt pilot në pak zona. Për sa i përket reformës parlamentare, çështja që nuk po gjen ende zgjidhje është ajo e kohës së fjalës në Parlament midis përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-06-26 15:53
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›