E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjika gati të ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit

PRISHTINë- Belgjika është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit evropian, tha sot pasdite në Prishtinë Kryeministri belg, Yves Leterme, gjatë takimit me Kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi.
Kryeministri Leterme tha se Belgjika është ndër shtetet e para që ka njohur shtetin e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të inkurajuar edhe shtetet e tjera që ta njohin Kosovën.
"E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Edhe pse kjo rrugë sot mund të duket e vështirë dhe me shumë pengesa, Belgjika është e gatshme t'a ndihmojë Kosovën në këtë rrugë", tha Z. Leterme, duke shtuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk do të kompletohet pa Kosovën.
Kryeministri Leterme theksoi se raportet bilaterale me Kosovën janë të shkëlqyera dhe ato do të thellohen posaçërisht në fushën e ekonomisë.
"Kosova ka nevojë për më shumë zhvillim ekonomik, më shumë vendime sikurse janë marrë për energjetikën, për telekomin. Ne do t’ju ndihmojmë dhe ka mundësi të reja që shumë ndërmarrje belge të investojnë në Kosovë”, siguroi kryeministri belg.

Kryeministri Thaçi dhe Kryeministri Leterme nënshkruan Marrëveshjen për mbrojtjen dhe promovimin reciprok të investimeve.
Kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, Yves Leterme ftoi Kryeministrin Thaçi për një vizitë zyrtare në Bruksel, ndërsa ky i fundit falënderoi homologun belg për mbështetjen e plotë që Belgjika i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi. Thaçi theksoi vizionin e qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit mes të dy vendeve në të gjitha fushat.
"Perspektiva e Kosovës është evropiane. Kosova do të jetë pjesë e NATO dhe e BE-së. Jemi duke ndërtuar raporte të shkëlqyera me të gjitha vendet e rajonit, kemi vullnet të mirë që të kemi raporte të mira bashkëpunimi edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura, në shërbim të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, perspektivës evropiane” , u shpreh Thaçi.
Kryeministri kosovar e njohu homologun e tij belg dhe me hapat që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës në procesin e zhvillimit ekonomik.Në këtë kontekst ai ftoi investitorët nga Belgjika që të investojnë në Kosovë.
(e.n/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›