Rama sot në Strasburg, takime me socialistët europianë
TIRANE-Kryetari i PS-së, Edi Rama nis sot një seri takimesh në Strasburg me personalitete të larta evropiane. I shoqëruar edhe nga deputetët Taulant Balla e Arben Ahmetaj, Rama pritet të diskutojë rreth situatës politike në vend me zëvendëspresidentin e Parlamentit Europian, Libor Ruçek, nënkryetarin e grupit socialist në Parlamentin Evropian, Hanes Svoboda dhe Martin Shulc, presidenti i Partisë Socialiste Evropiane në Parlamentin Evropian, njëkohësisht zëvendëspresident i Internacionales Socialiste. Kriza politike në vend ende nuk ka gjetur zgjidhje, ndaj edhe kreu socialist ka menduar të konsultohet sërish me partnerët e PS-së për të menduar edhe për hapat që do të ndjekë më tej kjo parti. Tashmë diskutimet mes opozitës e maxhorancës po vijojnë në komisionin e Ligjeve, por opozita ka parë se pala tjetër nuk ka shprehur pozitivitet për sa i përket miratimit të nismave të saj në lidhje me hapjen e kutive të votimit. PS ka lajmëruar se do të nisë protestat e pandalshme, në rast se transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 nuk do të bëhet e mundur përmes hapjes së kutive. Ndërkohë pritet që grupi parlamentar i PS-së të diskutojë sërish në lidhje me qëndrimin e deputetëve ndaj parlamentit dhe komisioneve parlamentare, në këtë fazë diskutimesh që kanë nisur në komisionin parlamentar të Ligjeve, ku vijojnë diskutimin nismat e propozuara nga opozita. Nga ana tjetër, duket se PS-ja ka lënë pas dore organizimin e disa aktiviteteve në kuadër të Internacionales Socialiste apo të Partisë së Socialistëve Evropianë që ishin parashikuar në shkurt e në mars.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)