Zbardhet vrasja makabër e Vigut, fëmijët u rritën tek xhaxhai që iu vrau nënën
Burrel- Prokuroria e Burrelit pas përgjimit që u ka bërë personave të ndaluar për vrasjen e Zinete Bucit në fshatin Vig të komunës Macukull, ka arritur të mësojë skemën e ekzekutimit të saj. Një nga historitë më tragjike të ndodhura në zonën e Matit përgjatë vitit të mbrapshtë ’97.
Burime nga prokuroria tregojne se vrasja e Zinete Bucit erdhi pasi ajo dyshohej se kishte vrarë bashkëshortin në gjumë për shkak te mosmarrëveshjeve. Kjo deshmi eshte marre nga pohimet e saj në kushte të dyshimta, pasi tri ditësh pas vdekjes se te shoqit u organizua ekzekutimi i saj. Të dyshuar kryesorë janë vëllai i burrit Bujar Buci si dhe daja i tij Ylber Karaj, të cilët tashmë ndodhen nën masën e arrestit burg pa afat në mjediset e paraburgimit të komisariatit të Burrelit, si dhe është në kërkim dhe autori i menduar si bashkëpunëtor në këtë krim, R.Buci.
Vrasja e Zinete Bucit erdhi tri ditë pas varrimit të Rustem Bucit, bashkëshortit të saj, pasi ishte planifikuar dhe organizuar gjithçka nga vrasësit. Në shtëpinë e Zinetes kishin ardhur dhe i ati dhe e ëma nga Devolli i Korçës, ndërsa ata u kishin thënë se Zineten do ta sjellim në shtëpi, pasi pas vrasjes së bashkëshortit nuk mund të qëndrojë më këtu. Këtë gjë ia përsërisin dhe tri ditë pas vrasjes së Rustemit. Pasi ishin rralluar vizitat e njerëzve që vinin për ngushëllim, ata (te akuzuarit) i thonë se duhet të shkosh të lësh një tufë me lule tek varri i bashkëshortit dhe më pas dë të dërgojmë në shtëpinë tënde në Devoll.
Por pikërisht në momentin që ajo është drejtuar për tek varrezat, disa metra pa arritur tek vendi i varrimit të të shoqit, një karikator automatiku është derdhur mbi të, ndërsa më pas sipas prokurorisë, është qëlluar dhe nga afër në kokë. Më pas e kanë marrë ashtu siç ishte me veshjet e zakonshme dhe e kanë futur në një gropë të hapur më parë, disa metra më larg varrezave.
Ditë më pas është hapur lajmi se ajo kishte vrarë veten, mister që mbeti për 11 vite rrjesht. Ndërkohë që dy fëmijët, vajza dhe djali janë rritur në shtëpinë e xhaxhallarëve, pa e ditur se pikërisht njëri prej tyre iu kishte ekzekutuar nënën.
“Këtu fillon dhe tragjedia e kësaj familje”, thotë njëri prej prokurorëve, pasi fëmijët, djali emigrant në Itali dhe vajza studente në Universitetin e Shkodres tani do të mësojnë të vërtetën e kësaj ngjarje të rëndë.
“Është një ngjarje që po i kushtojmë kujdes të vecantë për të zbardhur të vërtetën, ndërkohë që janë përdorur rrugë operative, ato të përgjimit e të tjera të dhëna që dokumentojnë gjithë mënyrën e vrasjes nga autorët e dyshuar”, vijon më tej prokurori për Shekullin. Ata po mbledhin prova të tjera të vlefshme, ndersa pritet dhe hapja e varrit për të kryer ekzaminimin, etj.
Por për prokurorët mbetet mister dhe një detaj tjeter, pikërisht ai i vrasjes së bashkëshortit të Zinetes në vitin 1997, gjë për të cilën ata po presin ardhjen e një personi nga jashtë shtetit, hetimet rreth të cilit mund të hedhin me shumë dritë mbi atë ngjarje duke përcaktuar dhe pozicionin e vetë Zinete Bucit në vrasjen e bashkëshortit të saj.
Sidoqoftë puna këmbëngulëse e prokurorise se Matit ka arritur të “shpërdredhë” lëmshin e kësaj ngjarje të trishtë, ashtu si dhe disa vepra të tjera të bujshme të ndodhura në zonën e Burrelit.
Për 11 vite me rradhë nuk u mësua e vërteta e vrasjes së saj, dhe dosja u mbyll dy herë nga ana e prokurorisë nën siglimin “për mungesë autorësh”. Madje me vrasjen e saj të 22 qershorit 1997, nuk disponohej asnjë provë e dokumentuar në vendgjarje, pasi siaps burimeve të prokurorisë, ishte e pamundur që në një zonë kaq të militarizuar me lloj-lloj armësh, të kryehej një dokumentim i tillë. Për dy vite Burreli shënoi 150 vrasje kryesisht të moshave të reja dhe shumica e vrasjeve nuk ishin dokumentuar, ndërkohë që dhe dëshmitarët okularë nuk guxonin të hapnin gojë nga kërcënimet që merrnin prej killërve, që për çudi mbroheshin fort dhe nga vetë zyrtarë të ndryshëm të policisë apo struktura të tjera shtetërore. Një prej këtyre vrasjeve tragjike ka qenë dhe ajo e Zinete Bucit, që për 11 vite mbeti pa autor.