E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS jep konsensusin për ligjin e Gjykatës Administrative

Komisoni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve miraton në parim projektligjin. Të hënën, seancë dëgjimore me grupet e interesit.

Subashi: Drafti, bazë e mirë. Alibeaj: Sdi nëse PS e ka sinqerisht.

Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim projektligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative. Maxhoranca dhe opozita u shprehën dakord me draftin e ardhur nga qeveria dhe vendosën që të hënën e ardhshme të zhvillojnë seanca dëgjimore me grupet e interesit, përpara se të nisin debatin nen për nen.
Ligji
Relatori i këtij projektligji, Armando Subashi, theksoi në fjalën e tij se projekti është një bazë e mirë, që e bën të mundshëm miratimin në parim të këtij projektligji nga ky komision, për ti hapur rrugë debatit parimor për një sërë çështjesh të rëndësishme si dhe shqyrtimin nen për nen për të bërë përmirësimet e nevojshme. Miratimi në parim është hapi i parë, shprehja e vullnetit politik, por debati në parim dhe nen për nen, dhe kryesorja propozimet për zgjidhje parimore e për dispozitat konkrete, janë thelbi i çështjes, vullneti real për të bërë një ligj të mirë që ti qëndrojë kohës.
Alibeaj
Por, kur dukej se seanca e parë po shkonte mirë dhe të dyja palët ishin të mendimit që drafti duhet të kalonte në parim, deputeti i PD-së, ish-ministër në kohën kur është kaluar dokumenti në qeveri, Enkelejd Alibeaj, kritikoi qëndrimin e mbajtur nga opozita. Ai tha se kërkesa e PS-së për të thirrur grupet e interesit tregon faktin se ajo është e papërgatitur ta diskutojë projektligjin. Ajo që dëgjova në relatimin e kolegut Subashi mu duk një ftesë elegante drejtuar Komisionit për ti thënë që sot nuk jam përgatitur, dua kohë dhe të bëj ca kërkesa të tjera. Kërkesat e bëra nga Subashi a janë vërtet të sinqerta dhe kërkojnë përmirësimin e ligjit, apo thjesht do të duan të krijojnë një alibi që në fund të jepet vota nga opozita dhe të dëgjojmë pastaj liderin e opozitës që të thotë se ishte kontributi i opozitës që bëri të mundur miratimin e ligjit? Nëse do të kemi një deklarim të sinqertë, do të heqim çdo lloj problemi dhe antagonizmi mes nesh dhe të futemi në shinat e bashkëpunimit të vërtetë, u shpreh Alibeaj.
Replikat
Nga ana e saj opozita u shpreh se deputeti i PD-së është në konflikt interesi në këtë rast, pasi mban firmën në propozimin e draftit. Nënkryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj, theksoi se nuk do të dëshiroja fare të bija në kurthin e ngritur nga zoti Alibeaj për një arsye, se zoti Fino e tha me një fjali të vetme: Alibeaj ka konflikt interesi me këtë proces. Unë e mirëprisja këtë gjë. Subashi nuk ka si të ketë konflikt interesi, sepse është deputet i ri në këtë legjislaturë. Nuk ka qenë pjesëmarrës. Nuk është etike të paragjykosh dhe të fyesh kolegët. Ti thuash një kolegu që a e ke të sinqertë, unë nuk e mendoj ndryshe.
Pas një mbledhjeje që zgjati rreth 60 minuta, deputetët e PD-së dhe PS-së ranë dakord që të thërrasin të hënën e ardhshme përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Konferenca Gjyqësore, Shoqata e Gjyqtarëve, Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe komuniteti i biznesit, për të zhvilluar një seancë dëgjimore përpara se të nisë edhe diskutimi nen për nen. Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative parashikon krijimin e gjashtë gjykatave të shkallës së parë, një për dy qarqe të vendit dhe një gjykatë apeli. Në draft është parashikuar nisja e punës në këto gjykata nga 10 maji 2012, por duke pasur parasysh që ligji mund të hyjë me vonesë në fuqi, ky afat pritet të shtyhet sërish.

Debati në Komisionin e Ligjeve
Ilir Rusmali:
Mirëdita, të nderuar kolegë. Mirëdita, zoti Majko. Sot do të shqyrtojmë projektligjin për Gjykatën Administrative.
Armando Subashi: Projekti është një bazë e mirë që e bën të mundshëm miratimin në parim të këtij projektligji nga ky komision, për ti hapur rrugë debatit parimor për një sërë çështjesh të rëndësishme si dhe shqyrtimin nen për nen për të bërë përmirësimet e nevojshme. Miratimi në parim është hapi i parë, shprehja e vullnetit politik, por debati në parim dhe nen për nen, dhe kryesorja, propozimet për zgjidhje parimore e për dispozitat konkrete, janë thelbi i çështjes, vullneti real për të bërë një ligj të mirë, që ti qëndrojë kohës.
Enkelejd Alibeaj: Ajo që dëgjova në relatimin e kolegut Subashi mu duk një ftesë elegante drejtuar Komisionit për ti thënë që sot nuk jam përgatitur, dua kohë dhe të bëj ca kërkesa të tjera.
Ilir Rusmali: Kalojmë te pyetjet.
Enkelejd Alibeaj: Unë e kuptoj fare mirë që është një sebep shumë i madh pjesëmarrja dhe dhënia e votës për Gjykatën Administrative, qoftë edhe për ngarkesën politike të këtyre tri viteve që ka marrë përsipër ky ligj. Por, nëse kemi arritur në finish dhe të vendosim ta miratojmë, secila nga palët tona do duhet të jetë e zhveshur nga çdo lloj emocioni politik. Kërkesat e bëra nga Subashi a janë vërtet të sinqerta dhe kërkojnë përmirësimin e ligjit, apo thjesht do të duan të krijojnë një alibi që në fund të jepet vota nga opozita dhe të dëgjojmë pastaj liderin e opozitës që të thotë që ishte kontributi i opozitës që bëri të mundur miratimin e ligjit? Nëse do të kemi një deklarim të sinqertë, do të heqim çdo lloj problemi dhe antagonizmi mes nesh dhe të futemi në shinat e bashkëpunimit të vërtetë.
Bashkim Fino: Mos u nxitove gjë? Ti bërë gjithë atë koment.
Ilir Rusmali: Nuk kemi pse ta paragjykojmë procesin në asnjë lloj rrethane, ky është një proces publik transparent.
Bashkim Fino: E prishi Alibeaj. Pse e lejove të flasë?
Ilir Rusmali: Çdo njeri në këtë botë, sipas bindjes le të nxjerrë konkluzionet e veta.
Bashkim Fino: Alibeaj ka konflikt interesi, nuk duhet të flasë.
Ilir Rusmali: Gjykimet politike secili i ka dhe ka mundësi ti zhvillojë.
Fatmir Xhafaj: Nuk do të dëshiroja fare të bija në kurthin e ngritur nga zoti Alibeaj për një arsye: se zoti Fino e tha me një fjali të vetme: Alibeaj ka konflikt interesi me këtë proces. Unë e mirëprisja këtë gjë.
Enkelejd Alibeaj: Edhe Subashi ka konflikt interesi.
Fatmir Xhafaj: Subashi nuk ka si të ketë konflikt interesi sepse është deputet i ri në këtë legjislaturë. Nuk ka qenë pjesëmarrës. Nuk është etike të paragjykosh dhe të fyesh kolegët. Ti thuash një kolegu që a e ke të sinqertë, unë nuk e mendoj ndryshe.

PS, konsultë me avokatët për Gjykatën Administrative

PS organizon dëgjesën e dytë me grupet e interesit

Tryeza e PS për Gjykatën Administrative

Partia Socialiste organizoi dje dëgjesën e dytë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›