E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit dhe pronarët, 25 milionë euro nga ARMO

Ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë do të marrin të paktën 25 milionë euro nga privatizimi i ARMO-s. Të drejtën ua jep ligji i ndryshuar për buxhetin e shtetit 2009, i cili përcakton formulën e ndarjes së të ardhurave nga privatizimet. Konkretisht, të ardhurat nga privatizimet do të shkojnë 50 për qind për shlyerjen e borxhit, 30 për qind për investimet dhe me nga 10 për qind për kompensimin monetar të ish-pronarëve dhe për shtresat e të përndjekurve politikë. Ndarja e re do të aplikohet për të gjitha privatizimet e krijuara gjatë vitit 2009. Nisur nga kjo, të paktën vetëm nga ARMO, që u shit 125 milionë euro këto kategori do të marrin plot 25 milionë euro. Mos harrojmë që në proces janë INSIG dhe OSSH, të shitura përkatësisht 42 milionë euro dhe 102 milionë euro. Burime nga Ministria e Financave garantojnë se për kategoritë e ish-pronarëve dhe të përndjekurve politikë, mund të krijohen fonde deri në 100 milionë euro. Ndërkaq, akti normativ i qeverisë ose, ndryshe "buxheti i tretë" prej 12 miliardë lekësh është diskutuar dje në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, nga ku mori edhe miratimin. Diskutimet për rishpërndarjen e fondeve shtesë nxorën në pah disa nga problemet që has qeveria si në realizimin e të ardhurave ashtu dhe në atë të shpenzimeve. I pranishëm në komision, ministri i Financave, Bode, tha se nga fondi i aktit normativ, rreth 3.6 miliardë lekë janë siguruar nga mosrealizimi i investimeve, duke dhënë mundësi që të krijohet fondi prej 2.7 miliardë lekësh për shpërblimet e festave të fundvitit. Pavarësisht kësaj, ministri garantoi se qeveria i kishte fondet në dispozicion, falë rezervës të Këshillit të Ministrave. Opozita në parim e ka kundërshtuar projektin e rishpërndarjes së fondeve me faktin se nuk u përgjigjet nevojave reale të vendit. "Me këtë akt, qeveria ka treguar se ka dështuar me planin e të ardhurave, si dhe me investimet publike. Të ardhurat që duhet të ishin 28.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në fund të 2008-ës, tani janë në 27.2%, pra në rënie. E njëjta situatë paraqitet edhe tek investimet", tha deputeti dhe ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj. Reagimi i ministrit Bode ishte i menjëhershëm. "Ju që flisni nuk keni mundur që të arrini pragun e 94 për qind të ardhurave në të katër vitet qeverisëse kur ishit në pushtet. Sot të ardhurat janë mbi 96 për qind. Diferenca e parealizuar i takon pushtetit vendor, e cila si 11-mujor ka realizuar vetëm 77 për qind të planit. Këtu përfshij edhe shpenzimet". Debati mes opozitës dhe mazhorancës u zhvendos te të ardhurat nga privatizimet. "Qeveria nuk po bën të qartë se ku do t‘i përdorë të ardhurat nga privatizimet strategjike. Flas në radhë të parë për 128 milionë euro të ARMO-s, të cilët nuk janë përfshirë në aktin normativ", tha Malaj. Ministri Bode iu përgjigj duke thënë, se "qeveria nuk ka nevojë për paratë e privatizimeve dhe se do t‘i përdorte ato në tremujorin e parë të 2009".
Shpërndarja
Akti normativ prej 12 miliardë lekësh do t‘u japë mundësi pensionistëve dhe buxhetorët që të marrin shpërblime për festat e fundvitit. Fondi i krijuar për këtë zë u sigurua nga tepricat në buxhet, falë mosrealizimit të investimeve, si dhe kursimeve të bëra nga administrata te shpenzimet korente. "Sikundër është thënë më parë, buxhetorët do të marrin të paktën nga 10 mijë lekë shpërblim, ndërsa si performancë në punë gjatë vitit do të mund të përfitojnë edhe nga një pagë. Shpërblime do të marrin nga 5 mijë lekë secili çdo pensionist", tha ministri Bode. "Nga 3.6 miliardë lekë që është mosrealizimi apo kursimet, ne do të shtojmë 4 miliardë lekë përmes aktit normativ, si shtesë mbështetje për financimin e investimeve, të cilat kanë ecuri më pozitive gjatë periudhës 11-mujore", tha ministri i Financave. Po ashtu, akti normativ u bë i mundur edhe falë 4.2 miliardë lekëve rezervë e qeverisë, të papërdorura më parë. Rreth 1.9 miliardë lekë janë kursime nga shërbimi i borxhit të brendshëm, të cilat shkojnë për investimet, ndërsa rreth 1.1 miliardë janë kursime nga shpenzimet korente përmes procedurave të tenderimit apo proceseve të tjera të administrimit nga ana e institucioneve.

Socialistët
Vota e tyre për aktin normativ parashikohet të jetë kundër për shkak të mangësive që ka procesi i rishpërndarjes së fondeve. Ata e cilësojnë "buxhetin e tretë" prej 12 miliardë lekësh si "mburojë e dështimeve të qeverisë për të ardhurat dhe shpenzimet në buxhetin e vitit 2008"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›