E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Onufri 2009", konkursi i paradokseve

Një konkurs me shqiptarë dhe për shqiptarët. I tillë është edicioni i 15-të i konkursit ndërkombëtar të arteve pamore "Onufri 2009". Ekspozita me veprat e 13 artistëve është çelur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Cikle fotografish, pikturash, kryesisht të përmasave të vogla, ndonjë strukturë (punime të bëra më shumë në dru) dhe disa video-projeksione, ka qenë gjithçka mbi të cilën ngrihet kjo ekspozitë. Për herë të parë, "Onufri" kurohet nga një i huaj, profesori italian i fenomenologjisë së artit në Akademinë e Arteve në Venecia, Riçardo Caldura. Ndonëse fillimisht nuk u përzgjodh një temë e caktuar, në fund kuratori ia ka gjetur një titull ekspozitës. "A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset", një huazim i vargut të Gëtes "a e dini vendin ku lulëzojnë limonët", është bërë kriteri i përzgjedhjes së veprave dhe artistëve pjesëmarrës në këtë edicion, të cilët janë të gjithë shqiptarë. Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Orion Shima, Pleurat Xhafa, Driant Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova dhe Fani Zguro janë artistët e përzgjedhur. Ndërsa është vetëm një artist i huaj, Bert Theis nga Luksemburgu, i cili vjen si i ftuar dhe jashtë konkurrimit. Dje, në konferencën për shtyp, duke shpjeguar idenë e kësaj teme, Caldura theksoi se "toka e paradokseve është Shqipëria, Tirana. Në të ekspozohen me dallueshmëri elementë të qartë që shfaqin realitetin shqiptar. Nga ana tjetër, toka ku lulëzojnë paradokset është toka artistike, aty ku duhet të mësosh të mendosh në mënyrë të ndryshme nga toka e realitetit. Ekspozita ka dy elementë: në të gjejmë një refleksion artistik për realitetin ku jetojmë. Por nga ana tjetër, është edhe një tjetër pyetje për realitetet artistike dhe gjendjen e tyre nëpër botë. Jam përpjekur të ndërtoj një tregim mbi imazhe ku duket se gjërat rrinë bashkë, por në të njëjtën kohë janë objekte të mëvetësishme". Për të ndërtuar këtë temë, kuratori nuk ka qëmtuar mes punëve të artistëve bashkëkohorë të vendeve të ndryshme. Ai u shpreh se që në fillim, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, i kishte propozuar që të përqendrohej tek artistët bashkëkohorë shqiptarë. "Unë bëra një zgjedhje radikale", shprehet Caldura, i cili mungesën e prezencës së artistëve të huaj dhe të dimensionit ndërkombëtar të edicionit të këtij konkursi e shpjegon me faktin që artistët shqiptarë të përzgjedhur janë formuar në Evropë. "Në këtë pikëpamje, nuk shoh arsye se pse këta artistë të mos i quajmë ndërkombëtarë. Për më tepër, kjo gjeneratë artistësh po përpiqen që në fillim që të punojnë në Shqipëri", thekson Caldura. Por fakti se ky edicion i "Onufrit" është realizuar vetëm me artistë shqiptarë, sipas drejtorit të GKA-së, Rubens Shima, nuk ka të bëjë me statusin e konkursit. Kujtojmë se tashmë konkursi kombëtar i fotografisë "Marubi" nuk realizohet më, pasi më parë Shima është shprehur se "Onufri" e përfshin edhe fotografinë si shprehje artistike. "Nuk ka të bëjë me statusin. Në çdo edicion kërkohet që të ketë variacione, të lidhura këto edhe me prioritetet artistike që ndjek Galeria Kombëtare e Arteve", ka theksuar Shima. Për herë të parë, këtë vit, një artist paraqitet me më shumë se një punë në konkurrim. Ekspozita ndërkombëtare të arteve pamore "Onufri" do të qëndrojë e hapur deri më datën 2 shkurt 2009, gjashtë javë kalendarike pas çeljes së saj. Ashtu si çdo vit tjetër, GKA do të japë çmimin "Onufri", gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, që do të zhvillohet në mjediset e GKA-së më datën 14 janar 2009. Për vlerësimin e më të mirëve është përzgjedhur një juri ndërkombëtare e përbërë nga Nissim Tal, drejtor i përgjithshëm i muzeve në artit në Haifa të Izraelit, Raya Zommer, drejtoreshë dhe kuratore e muzeut Janco-Dada në Izrael, artisti shqiptar Parid Teferiçi, Elizabeth Neilson, kuratore dhe drejtoreshë e Zabludowicz Collection në Britani dhe Daniele Carpa, kritik arti për revistën online "Exibart" në Itali.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›