Të përndjekurit e pronarët, fondet deri në 2013-n
Këshilli i Ministrave miratoi në datën 7 janar programin makroekonomik që do të ndiqet deri në vitin 2013 duke përcaktuar fondet në buxhet për ndjekjen e politikave të qeverisë. Kështu, në këtë tregues janë miratuar fondet për pagat e pensionet, janë parashikuar treguesit makroekonomikë si rritja e ekonomisë apo ulja e papunësisë, por në të janë parashikuar edhe fondet e kompensimit për shtresat që do të kompensohen me ligj si ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë. Duke iu referuar edhe ligjeve të miratuara për kompensimin e tyre, brenda pak viteve, deri në 2013, fondet pothuaj do të trefishohen për këto shtresa, duke arritur mbi 5 miliardë lekë ose mbi 50 milionë dollarë në vit për kompensimin e tyre.
Fondet për ish-pronarët
Referuar dokumentit të miratuar nga qeveria, ish-pronarët do të kenë minimalisht 2.1 miliardë lekë të reja këtë vit për kompensimin e tyre. Kjo shifër pritet të shtohet edhe nga paratë e kompensimeve apo fondi fizik. Në vitin 2011 parashikohet që nga buxheti të jepen 2.6 miliardë lekë të reja për ish-pronarët ose rreth 30 milionë dollarë për kompensimin financiar të tyre. Në vitin 2012 ku fond do të dyfishohet, duke shkruar në 4.4 miliardë lekë të reja ose mbi 50 milionë dollarë për kompensimin e ish-pronarëve. Në vitin 2013, fondet për ish-pronarët do të shkojnë në 5.4 miliardë lekë ose rreth 60 milionë dollarë, duke arritur një rekord.
Fondet për ish-të përndjekurit
Për vitin 2010, pritet që ish-të përndjekurit politikë të kenë mbi 2 miliardë lekë për kompensim vetëm nga buxheti i shtetit, por ky fond do të shtohet edhe nga privatizimet siç është ai i OSSH-së nga ku do të vijnë 10 milionë euro. Për vitin 2011 janë parashikuar 3 miliardë lekë të reja për ish-të përndjekurit politikë. Në vitin 2011 ky fond gati do të dyfishohet dhe për ta do të jenë në gatishmëri 5 miliardë lekë të reja. E njëjta sasi parash do të jetë edhe për vitin 2013. Në bazë të ligjit për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë, kompensimi i tyre duhet të mbarojë 8 vite nga miratimi i ligji, para nga viti 2009. Ata do të përfitojnë kompensimin në bazë të kësteve, vit pas viti.
Pagat e pensionet
Pagat e pensionet do të shtohen edhe për vitet në vijim, të paktën deri në vitin 2013, referuar dokumentit të miratuar nga qeveria në datën 7 janar. Kështu, nëse gjatë vitit 2010 do të ketë 56 miliardë lekë shpenzime për pagat, në vitin 2013 do të jenë më shumë se 61 miliardë lekë. Rritja e fondeve do të shkojnë për indeksimin dhe rritjen e pagave, veçanërisht atyre të ulëtave. Të njëjtën politikë do të kenë edhe pensionet.
Treguesit makroekonomikë
Qeveria ka përcaktuar tregues ambiciozë në ruajtjen e treguesve makroekonomikë të vendit. Kështu, nëse në vitin 2010 parashikohet rritje ekonomike vetëm 5.5 për qind, në vitin 2011 parashikohet 6.5 për qind, 7.1 për qind në vitin 2012 dhe 6.7 për qind në vitin 2013. Nga ana tjetër parashikohet që inflacioni apo rritja e çmimeve të mos i kalojë 3 për qind.
Fondet e parashikuara
2010 2011 2012 2013
Ish-pronarët 2.1 miliardë 2.6 miliardë 4.4 miliardë 5.4 miliardë
Ish-të përndjekurit 2 miliardë 3 miliardë 5 miliardë 5 miliardë
Treguesit makroekonomikë
2010 2011 2012 2013
Inflacioni 3 % 3 % 3 % 3 %
Rritja ekonomike 5.5 % 6.5 % 7.1 % 6.7 %
PBB për banor (lekë, mijë) 389 425 467 512
Norma e papunësisë 2.1 % 10.8 % 9.7 % 8.6 %