Shkurt ekonomi
Kapitali, riinvestimi, 10 për qind tatim
Nëse një kompani private që ka një aktivitet prej vitesh, vendos të rrisë kapitalin
investues, vlera e investuar do të tatohet 10 për qind nga organet tatimore. Tatimi me 10 për qind mbi kapitalin është një taksë tjetër nga ajo e tatimit mbi fitimin, që tatohet po përsëri 10 për qind. Këto ndryshime janë bërë së fundi, kur Komisioni i Ekonomisë miratoi propozimin e bërë nga Ministria e Financave për disa ndryshime në tatimin mbi të ardhurat që tenton të kontrollojë dhe tatojë të ardhurat që individë të ndryshëm shtojnë në kapitalin e shoqërive. Diskutime ka ngjallur momenti i tatimit të emigrantëve që do të investojnë në kapitalin e kompanive shqiptare. Këtyre të fundit do t’u kreditohet shuma e mbajtur si tatim, nëse këtë e kanë paguar në një shtet tjetër. Pjesë e këtij projektligji është edhe tatimi mbi të ardhurat për biznesin e vogël, kur kalohet xhiroja vjetore prej 2 milionë lekësh. Ndonëse këto ndryshime nuk kanë kaluar ende në Parlament për t’u miratuar me votat e deputetëve të mazhorancës, ato kanë ngjallur reagim tek komuniteti i biznesit, sidomos biznesi i vogël, me xhiro vjetore prej 2 milionë lekësh. Ky komunitet deklaron se me këto ndryshime barra fiskale ndaj tyre do të rritet dhe kjo rrezikon falimentin e tyre.
INSTAT, 3-mujori 2009, numri i të punësuarve 1.113.580
Gjatë tremujorit të tretë 2009, forca e punës është 1,113,580 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 12.76%. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës është 568,549. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor është rritur me 0.7% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të tretë 2009 është 142,062, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie është 9,268. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3,135 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 3,900 lekë. Paga minimale me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 522, datë 13.05.2009 “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi” është 18,000 lekë. Niveli bazë i pagesës së papunësisë me VKM nr. 236,datë 27.02.2008 është 5,980 lekë.