Të përndjekurit, lista e re me 4 mijë përfitues
Nga lista e dytë e dëmshpërblimit për vitet e burgut apo dënimet kapitale të ish të përndjekurve politikë, do të përfitojnë 4 mijë persona. Marsida Xhaferllari, drejtore e Përgjithshme e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, sqaron procedurat që ndiqen deri në fazën e dëmshpërblimit financiar. Sipas saj, lista e dytë me 4 mijë emra është në fund të përpunimit dhe do të miratohet shumë shpejt nga qeveria. Hap i nevojshëm ky për të përfituar paratë. “Në Ministrinë e Drejtësisë janë depozituar rreth 19 mijë kërkesa për dëmshpërblim financiar. Procesi i dëmshpërblimit është një proces që zgjat. Ministria e Drejtësisë ka rolin qendror në procedurën administrative të shqyrtimit të kërkesave, megjithatë ky është një proces i lidhur edhe me institucionet e tjera pasi ne e rakordojmë informacionin me Ministrinë e Brendshme, me Ministrinë e Mbrojtjes, Arkivin e Shtetit, SHISH, Ministrinë e Financave, Entin e Banesave dhe ZRPP-në, sigurisht edhe me qytetarët sepse ka disa dokumente, që duhet t’i paraqesin ata”, theksoi për mediat Xhaferllari. Me përfundimin e procesit administrativ dosjet e përfunduara që i kanë aktet e plota përfshihen në një listë dhe kjo listë dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave dhe është Këshilli i Ministrave autoritetit që vendos përfitimin e dëmshpërblimit financiar. “Në këto momente Ministria e Drejtësisë është duke mbyllur listën e dytë që do t’ia dërgojë Këshillit të Ministrave”.
Procedurat
Për personat ish të dënuar politikë që jetojnë.
Pasi është siguruar i dënuari politik, që emri i ka dalë për pagesë në VKM duhet të ndjekë njërin nga dy opsionet e mëposhtme:
• Të depozitojë pranë degës se thesarit ku ato jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat: “Alpha Bank”, “Raiffeisen Bank”, “Banka Popullore”, NBG, BKT, “Banka e Tiranes”, “Union Bank”, “Banka Ndërkombëtare Tregtare”. Pranohet numri i llogarisë vetëm në një nga këto banka, sepse këto janë zgjedhur si kërkesë e ligjit.
• Ose të dërgojnë me postë këtë numër llogarie në emër të tyre në adresën: Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë.
Me mbërritjen e numrave të llogarisë Ministria e Financave proceson pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve (ish të dënuarve). Eshtë kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë: Emër, Atësi e Mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.
Për personat me dënim kapital dhe që trashë-gimtarët janë listuar në VKM
a. Trashëgimtarët do të veprojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur njërin nga dy opsionet e listuara në pikën 2 (a). Pra, të gjithë trashëgimtarët e të pushkatuarit depozitojnë pranë degës së thesarit ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë (të hapura në një nga bankat e përmendura më lart) në adresën: Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë.
b. Veprimet për rastet sipas pikës 3 (a) mund të kryhen edhe në emër të një trashëgimtari të vetëm kur së bashku me numrin e llogarisë depozitohet një prokure që trashëgimtarët e tjerë autorizojnë njërin prej tyre për kryerjen e veprimeve të pagesave. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit. Eshtë kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë: Emër, Atësi e Mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.
Për personat ish të dënuar të listuar në VKM që nuk jetojnë ose kanë vdekur pas daljes së Vendimit për dëmshpërblim.
a. Në këto raste, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe që sipas vendimit ka emrin në listë për dëmshpërblim trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë degës së thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente:
• Certifikate vdekje të ish te dënuarit
• Certifikatë të trungut familjar
• Dëshminë e trashëgimisë të ish të dënuarit politik
• Prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet
• Numrin e llogarisë në njërën nga bankat e lartpërmendura.
b. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë ë përfituesit brenda një muaji. Eshtë kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; Emër, Atësi e Mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare si dhe kompletimi i praktikës me të gjithë trashëgimtarët ligjore sipas nenit 8 pika 1 të ligjit nr.10111 datë 2.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime të ligjit nr 9831 date 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politike të regjimit komunist”.
Bankat ku do derdhen paratë
“Alpha Bank”
“Raiffeisen Bank”
“Banka Popullore”
“Banka Kombëtare Greke”
“BKT”
“Tirana Bank”
“Union Bank”
“Banka Ndërkombëtare Tregtare”