E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI denoncon shkarkimin e Shyqyri Ballgjinit

 

Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar dje shkarkimin e ish-futbollistit të njohur Shyqyri Ballgjini nga ana e kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Në një njoftim për shtyp të kësaj force politike bëhet e ditur se shkarkimi i Ballgjinit është bërë vetëm për motive politike, për shkak të afrimit dhe mbështetjes së tij te LSI. “LSI dënon ashpër këtë akt, të këtyre drejtuesve të papërgjegjshëm, të cilët ndërmarrin veprime të tilla të ulëta, primitive dhe hakmarrëse, ku prevalojnë emocionet politike mbi ligjin për administratën publike dhe atë vendore në veçanti. I kujtojmë z.Dako se ai është zgjedhur në postin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, edhe me mijëra votat e anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI”, thuhet në njoftimin për shtyp të LSI-së. Sipas kësaj force politike, shkarkimi i Ballgjinit është bërë në kundërshtim me ligjet e shtetit, parimet dhe funksionimin e administratës publike dhe asaj vendore në veçanti, në mungesë të transparencës dhe moralit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›