E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, para bashkisë: Rama, falje për Havzi Nelën



Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politike të Shqipërisë, e shoqëruar nga shumë ish-të dënuar politikë, por edhe familjarë të poetit të varur Havzi Nela protestoi dje para Bashkisë së Tiranës, duke i kërkuar kryetarit Edi Rama që të kërkojë falje për poetin Nela. Ish-të përndjekurit kërkojnë që Rama të kërkojë falje për aktin e babait të tij, Kristaq Rama, firma e të cilit ndodhet në dekretin e varjes së poetit. Ata vendosën para bashkisë një trekëndësh druri, si simbolikë e përkujtimit të varjes së poetit Havzi Nela në gusht të vitit 1988. “Ne si përfaqësues të të persekutuarve dhe të të burgosurve politikë, të regjimit më të egër diktatorial të komunizmit, kërkojmë falje nga kryetari socialist Edvin Rama, djali i Kristaq Ramës, ish-anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, që ka firmosur varjen e poetit, Havzi Nelës, e njeriut të pendës dhe mendimeve të skalitura, që u vra pa mëshirë në lule të moshës”, - tha Skënder Qendro, kryetari i shoqatës. Qendro kërkoi që Rama të shkëputet nga e kaluara e tij. “Zoti Rama, ju dhe ata që ju ndjekin nga pas, na ngjallni neverinë e turmave histerike të 1 Majit, festës së proletariatit dhe që sot tingëllojnë aq qesharake për çdo qytetar dinjitoz, evropian, standardet e të cilëve kërkojmë të arrijmë të gjithë ne, por që ju, me sa duket, nuk do t’i arrini kurrë. Zoti Rama! Ju dhe asnjë prej jush nuk mund të lëkundni asnjë gur të themelit të fortë të një shteti anëtar të NATO-s, të Shqipërisë, qytetarët e të cilës shumë shpejt do të lëvizin të lirë në të gjithë Evropën. Kjo ishte ëndrra jonë e lirisë, që komunizmi donte ta prishte përgjithmonë, por demokracia i bëri ato realitet”, - tha më tej Skënder Qendro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›