E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, përparësi pagese për ata që janë gjallë

 ADI SHKEMBITë përndjekurit që janë gjallë do të kenë përparësi në marrjen e dëmshpërblimit për vitet e burgut ose internimit në kohën e regjimit komunist. Në mbledhjen e fundit për vitin 2009, qeveria miratoi disa ndryshime në vendimin për përcaktimin e procedurave të dëmshplimit, të propozuara nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Duke folur në pjesën publike të mbledhjes së kabinetit, kryeministri Berisha vlerësoi vendimin, por shtoi se nuk mund të ketë një përparësi totale në këtë kategori të të përndjekurve. "Rendi i sotëm ka disa marrëveshje dhe vendime. Ka një vendim për të përparësuar në shpërblimin e të përndjekurve politikë, të përndjekurit që janë gjallë. Natyrisht, një përparësi nuk mund të jetë një përqendrim total, por një përparësi e qartë do të jetë sipas vendimit që ka sjellë Ministria e Drejtësisë", u shpreh Berisha.VendimiSipas draftit të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të përndjekurit që janë gjallë do të marrin dëmshpërblimin me përparësi ndaj atyre që kanë vdekur. Burime nga Ministria e Drejtësisë, saktësuan për gazetën "Panorama" detajet e vendimit. "Aktualisht të përndjekurit që plotësojnë dosjet kanë një numër rendor që u shërben për dëmshpërlbimin pasi kryehen të gjitha procedurat. Mund të ndodhë që numri i dosjes së të përndjekurve që janë gjallë të jetë mbrapa atyre që kanë vdekur. Vendimi i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave konsiston pikërisht në këtë pikë, çka do të thotë se do t'u jepet përparësi pikërisht të përndjekurve që janë gjallë", thanë mbrëmë burimet nga dikasteri i Drejtësisë. "Për shqyrtimin e drejtpërdrejtë të kërkesave të paraqitura nga ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, Ministri i Drejtësisë dhe institucionet e përmendura në pikën 1 veprojnë menjëherë, pavarësisht afateve të përcaktuara në nënndarjet "i" dhe "ii", të pikës 3", thuhet në një shtesë në nenit 3 të vendimit për përcaktimin e procedurave të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve. Në këtë nen detyrohet Ministri i Drejtësisë, që brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës nga ana e të përndjekurve, ua përcjell kërkesën Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, për verifikim të drejtpërdrejtë, në burimet arkivore të tyre, të periudhës 30.11.1944-1.10.1991. Më pas këto institucione brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës, përcjellin pranë Ministrit të Drejtësisë përgjigjen përkatëse, për plotësimin e kritereve, të shoqëruar me kopje të dokumenteve përkatëse arkivore.Të përndjekuritPërparësia e ish të përndjekurve që janë ende gjallë përcaktohet pikërisht në nenin 5 të këtij vendimi. Në aktin ligjor të miratuar dje, shtohen dy paragrafë që detyrojnë Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e tjera që janë pjesë e këtij procesi, të përshpejtojnë afatet ndaj kësaj kategorie të ish të përndjekurve politikë. "Ministri i Drejtësisë identifikon listën e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, të cilën ia përcjell Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit", thuhet në nenin 5/1 të vendimit të miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, sipas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani "institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, lidhin memorandum bashkëpunimi ndërmjet tyre, për përshpejtimin e procedurave dhe të afateve të shqyrtimit të drejtpërdrejtë e të bashkërenduar të kërkesave të ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, si dhe të komunikimit zyrtar ndërmjet tyre". Të përndjekurit politikë kanë shprehur gjatë gjithë kësaj periudhe pakënaqësitë e tyre me kriteret e dëmshpërblimit dhe vlerën në lekë të ditëve të burgut dhe internimit. Disa herë përfaqësuesit e shoqatave të kësaj shtrese kanë kritikuar qeverinë dhe institucionet që janë ngarkuar me zbatimin e ligjit për burokraci dhe vonesa në kryerjen e dëmshpërblimit.Ndryshimet në vendimin e qeverisëPas nënndarjes "iii", në pikën 3 shtohet nënndarja "iv":"iv. Për shqyrtimin e drejtpërdrejtë të kërkesave të paraqitura nga ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, Ministri i Drejtësisë dhe institucionet e përmendura në pikën 1 veprojnë menjëherë, pavarësisht afateve të përcaktuara në nënndarjet "i" dhe "ii", të pikës 3."Pas nënndarjes "iii", të pikës 4, shtohet nënndarja "iv":"iv. Për shqyrtimin e bashkërenduar të kërkesave të paraqitura nga ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, Ministri i Drejtësisë dhe institucionet e përmendura në pikën 1 veprojnë menjëherë, pavarësisht afateve të përcaktuara në nënndarjet "i" dhe "ii", të pikës 4.".Pas pikës 5 shtohen pika 5/1 e 5/2, me këtë përmbajtje:"5/1. Ministri i Drejtësisë identifikon listën e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, të cilën ia përcjell Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.5/2. Institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, lidhin memorandum bashkëpunimi ndërmjet tyre, për përshpejtimin e procedurave dhe të afateve të shqyrtimit të drejtpërdrejtë e të bashkërenduar të kërkesave të ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, si dhe të komunikimit zyrtar ndërmjet tyre.""Të përndjekurit të respektohen njësoj"Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës së ish të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni e sheh me dyshim vendimin e fundit të qeverisë. I kontaktuar nga gazeta "Panorama", ai kërkon që të gjithë të përndjekurit të respektohen njësoj, por shton se nuk duhet të ketë përqëndrim të punës tek ata që janë gjallë. "Të drejtat dhe liritë e njeriut janë njësoj, pra janë të barabarta. E respektojmë vendimin e qeverisë që moshës së vjetër t'u jepet më shpejt dëmshpërblimi, por jo të ketë përqendrim. Ka një hile në këtë mes që lidhet pikërisht me dhënien e dëmshpërlbimit për ata ish të përndjekur politikë që janë gjallë dhe këtyre të tjerëve që kanë vdekur t'u jepet kur t'u jepet", tha Ndregjoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›