“Kreditë, nga janari “penalitete” për debitorët”
Deri në 31 dhjetor debitorët e Agjencisë së Trajtimit të Kredive do të mund të shlyejnë detyrimet e tyre pa paguar asnjë qindarkë më shumë. Ata do të mund të përfitojnë kështu faljen 100 për qind të interesave, gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që ta likuidojnë menjëherë gjithë detyrimin e mbetur. Nga janari deri në fund të qershorit debitorët nuk do të përfitojnë më asnjë lehtësi. Në një intervistë për gazetën, drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Kredive Feti Zeneli, shpjegon cilat do të jenë penalizimet. Agjencia e Trajtimit të Kredive është bërë një emër mjaft i lakuar kohët e fundit për masat e marra, lidhur me zbatimin e akteve të reja nënligjore për arkëtimin e detyrimeve debitore. Cila është arsyeja e kësaj fushate intensive publiciteti?Matematikisht, mbeten edhe pak ditë kohë nga afati përfundimtar i skadimit të lehtësive maksimale, që ofron shteti për shlyerjen e detyrimeve debitore ndaj Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Në VKM-në Nr. 68, datë 11/06/2009 dhe Udhëzimin e ministrit të Financave Nr. 35, datë 14/07/2009 është përcaktuar qartë se debitorët kanë afat deri në 31 dhjetor 2009, që të shlyejnë vetëm principalin, pavarësisht nga shuma e transferuar e tij, duke përfituar faljen 100 për qind të interesave, gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që ta likuidojnë menjëherë gjithë detyrimin e mbetur. Kur kujton që në total shuma e interesave, gjobave dhe kamatëvonesave është edhe më e lartë se shuma e principalit, atëherë nuk ka arsye që të mos të të detyrojnë të shpejtosh për të likuiduar më pak se 50 për qind të borxhit që ke ndaj ATK-së. Për debitorë të veçantë kjo shifër mund të zbresë deri në 20 për qind të detyrimit gjithsej, pasi shuma e interesat, gjobave dhe kamatëvonesave e tejkalojnë me 4-5 herë principalin. Por të pafavorizuar në këtë periudhë nuk kanë pse të mos ndjehen as ata debitorë që preferojnë të likuidojnë me këste detyrimin e tyre, të cilët përveç principalit të mbetur do t'i detyrohen të shlyerjen edhe 10-15 për qind të interesave, gjobave dhe kamatëvonesave; në vartësi të madhësisë së principalit të transferuar, që për efekt të zbatimit të ligjit është ndarë në dy grupe: debitorë me principal të transferuar deri në 3 milionë lekë dhe mbi 3 milionë lekë. Përfitimi këtu, përveç shumës së ulët të interesave, gjobave dhe kamatëvonesave, në raport me ata debitorë që do të shlyejnë pas 1 janarit 2010, qëndron edhe në faktin se, shlyerjen mund të realizojnë me këste për një periudhë 1-2 vite, duke mos u ngutur e shtrënguar në shpenzimin e menjëhershëm të financave dhe buxheteve të tyre personale vetëm për borxhin e krijuar ndaj ATK-së, në kurriz të bizneseve apo aktiviteteve të tjera ekonomiko-shoqërore të tyre.Po duke filluar nga 1 janari i vitit që vjen, çfarë favoresh apo sanksionesh ligjore kanë debitorët e Agjencisë së Trajtimit të Kredive?Me kalimin e ditëve, situata vjen e vështirësohet për debitorët e ATK-së, edhe për shkak se rrezikojnë të preken nga sanksione të ndryshme ligjore në pronat dhe personalitetin e tyre. Duke filluar nga janari i vitit që vjen, për 6 muaj rresht deri në fund të qershorit, debitorët e ATK-së do të detyrohen të paguajnë përveç principalit të mbetur edhe 20-25 për qind të të interesave, gjobave dhe kamatëvonesave, bazuar në grupimin që ka bërë vendimi i Këshillit të Ministrave sipas madhësisë së principalit të transferuar, ku debitorëve që bëjnë pjesë në grupin e parë me principal të transferuar deri në 3 milionë lekë u falen 80 për qind e interesave, gjobave e kamatëvonesave, kurse grupit tjetër me principal të transferuar mbi 3 milionë lekë u falen 75 për qind e këtyre detyrimeve. Ndërsa pas qershorit 2010, këto favore reduktohen edhe më shumë, ku për grupin e parë falen vetëm 60 për qind e interesave, gjobave dhe kamatëvonesave, kurse për grupin e dytë 65 për qind e tyre. Pas qershorit 2010 këto shifra do të mbeten të pandryshueshme deri sa të arkëtohet edhe qindarka e fundit e detyrimeve te krijuara, që për momentin shkojnë në rreth 24,6 miliardë lekë ose afro 260 milionë dollarë, duke përfshirë dhe interesat e llogaritura në ATK; një shumë kjo e barabartë me rreth 70% të portofolit të transferuar. Në këtë shumë të përgjithshme detyrimi, principali zë një shifër prej 10,5 miliardë lekë ose rreth 42,6 për qind të të gjithë detyrimit. Siç shihet, shumica e totalit të detyrimit përbëhet nga interesa, gjoba dhe kamatëvonesa, të cilat tregojnë qartë mungesën e trajtimit efektiv dhe në kohë të këtyre debitorëve. Na tregoni diçka për punën e paraardhësve tuaj në këtë institucion dhe sa ju ndihmon kjo trashëgimi për të plotësuar objektivat që keni përpara?Kur shuma e interesave kërcen mbi shumën e principalit do të thotë që, puna drejtuese dhe organizuese e bërë në të shkuarën, për arkëtimin e detyrimeve debitore nga strukturat përgjegjëse të ATK-së ka qenë me shumë mangësi. Defekti më i theksuar në këtë drejtim ka qenë mos marrja në kohën e duhur me debitorët problematikë, por me ata që paraqiteshin në mënyrë vullnetare apo kishin më pak probleme se të tjerët për likuidimin e detyrimit, duke pretenduar komoditet në një institucion, i cili kërkon punë e përkushtim të veçantë për arritjen e objektivave të caktuara. Për 11 vjet rresht, duke filluar nga 1998, në arkën e Buxhetit të Shtetit janë inkasuar nga ATK-ja jo më shumë se 5 miliardë lekë ose vetëm 14 për qind e gjithë detyrimit të transferuar. Duke i shtuar kësaj shume edhe fshirjen e borxhit të 84 ndërmarrjeve shtetërore nga portofoli i ATK-së, në masën 6 miliardë lekë, atëherë rezulton që detyrimi i mbetur zbret në 24,6 miliardë lekë, pa përfshirë arkëtimet që janë bërë e do bëhen gjatë vitit 2009. Ky detyrim u përket afro 13,000 debitorëve, nga të cilët 26 prej tyre janë ish-ndërmarrje shtetërore. Detyrimi total që ish-ndërmarrjet shtetërore i kanë ATK-së shkon në afro 3,7 miliardë lekë, nga të cilat 2,4 miliardë lekë i takon principalit. Në këtë mënyrë detyrimi që individët dhe subjektet private i kanë ATK-së zbret në rreth 20,9 miliardë lekë, nga të cilat principalit i takon vetëm 7,4 miliardë lekë. Pra në total, shuma e principalit të mbetur për t'u arkëtuar në fillim të këtij viti, duke përfshirë edhe 26 subjektet publike shkon në 9,8 miliardë lekë. Por pavarësisht ecurisë së deritanishme, shteti, që në rastin konkret përfaqësohet nga Agjencia e Trajtimit të Kredive është i vendosur që të përdorë çdo mënyrë për të rikthyer në buxhet të gjitha paratë e nxjerra në formën e kredidhënies nga ish-bankat shtetërore të nivelit të dytë deri në vitin 1998. Deri tani është përdorur më shumë favorizimi, duke falur herë pas here pjesë të interesave, gjobave dhe kamatëvonesave. Ndërsa, në të ardhmen do të përdoret pa hezitim ekzekutimi i detyrueshëm nëpërmjet shërbimit përmbarimor, duke sekuestruar prona dhe mjete financiare të debitorëve, që kanë refuzuar lehtësitë e deritanishme, koha e artë e të cilave nuk mund të kthehet më. Shteti u la mjaft kohë në dispozicion debitorëve të rikuperonin, jo vetëm pasojat shkatërrimtare të 1997-ës në bizneset dhe veprimtaritë e tjera ekonomiko-prodhuese të tyre, por edhe t'i rimëkëmbnin ndjeshëm këto aktivitete. Por, ata kanë reflektuar shumë pak në këtë drejtim, duke dëshmuar një pasivitet dhe mosmirënjohje ekstreme. Madje, shumëkush prej tyre i ka trajtuar me mendjelehtësi favoret e ofruara, duke i trajtuar si hapa drejt faljes së detyrimit, gjë e cila nuk është parë e dëgjuar të ndodh as në sistemet politike me llogari të përbashkëta ekonomike të shtetit me individin. Përveç kontributit buxhetor a ka ndonjë efekt tjetër të drejtpërdrejtë apo të tërthortë veprimtaria efektive e Agjencisë së Trajtimit të Kredive? Menaxhimi efektiv i mbledhjes së huave është një pjesë e rëndësishme e gjithë procesit ekonomik të biznesit, i cili kontribuon direkt në përfitimet e sipërmarrjes private dhe përfundimisht në fuqizimin e sektorit bankar në Shqipëri. Për këtë është e nevojshme që ATK-ja të realizojë objektivat e saj, pa u tërhequr përballë vështirësive. Vendosmëria e saj për t'i shkuar deri në fund trajtimit ligjor të çdo dosje kredie do të ndikojë në përmirësimin e disiplinës së pagimit dhe në ndryshimin e kulturës së pagimit në një drejtim pozitiv, duke pasur në të njëjtën kohë një efekt paralajmërues për sistemin bankar në mënyrë që bankat të jenë më të sigurta në vendimet e tyre huadhënëse. Drejtimi dhe organizimi i punës në Agjencinë e Trajtimit të Kredive në këto momente po synon që të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë proces të marrin përsipër përgjegjësi konkrete dhe të jenë të gjithë të ndjeshëm ndaj reagimit negativ të debitorëve, njëlloj sikur të financoheshin vetë nga ATK. Ata po mësohet të punojnë në solidaritet të plotë dhe të krijojnë informacion të hollësishëm për dosjen e debitorëve, duke i kombinuar ato me informacionet që sjellin nga terreni punonjësit e zyrave rajonale, të cilat tashmë janë shtrirë në çdo rreth të vendit tonë. Sa më shumë kalojnë kohët aq më shumë shtohen edhe vështirësitë e punës për Agjencinë e Trajtimit të Kredive, pasi portofoli i mbetur bëhet edhe më problematik. Gati 60 për qind e këtij portofoli i takon fushës së bujqësisë, ndërsa pjesa tjetër tregtisë, strehimit, mjeteve të transportit e kështu me radhë. Po kështu, afro 90 për qind e kolateraleve janë shtëpi fshatrash, mjete apo toka bujqësore. Ndërsa pjesa tjetër e këtyre garancive janë objekte të privatizuara, apartamente banimi, etj. Nga informacionet që ju na servirët, Agjencia e Trajtimit të Kredive ka gati 11 vjet, që funksionon si e tillë. Cila është perspektiva e këtij institucioni?Në kuadrin e rritjes së efektivitetit të veprimeve dhe performancës së ATK-së, krahas përmbajtjes së portofolit të debitorëve, po studiohen edhe eksperiencat globale, që janë krijuar në vende të ndryshme për mbledhjen e borxhit të keq. Periudha në vazhdim e punës në ATK do të na ballafaqojë me çështje konkrete, ndaj padiskutim do të lindë nevoja për një organizim më efikas dhe hartimin e një strategjie të studiuar mirë lidhur me arkëtimin e detyrimeve të mbetura debitore. Natyrisht, do të kërkohen patjetër ndryshime të pjesshme ligjore e nënligjore, me qëllim që debitorët të shtrëngohen sa më shumë për të shlyer detyrimet e krijuara. Po kështu, nuk ka arsye pse mos të materializohet kërkesa ligjore, që Agjencisë t'i transferohen edhe detyrime të tjera debitore, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin Nr. 9731, datë 10/05/2007 apo që ajo të performojë në mënyrë efektive në treg e kështu me radhë. Sidoqoftë, çdo vendimmarrje e re duhet studiuar me kujdes, me qëllim që të mospërsëriten eksperiencat negative të së shkuarës në këtë drejtim. Nga ana tjetër, në të ardhmen mund të shihet edhe alternativa e shitjes së këtij borxhi tek subjektet private, por unë jam shumë skeptik për këtë zgjidhje. Momentalisht, në ATK kanë mbetur më të këqijat e borxheve të këqija, ndaj nuk besoj se do të ketë të interesuar për të blerë "belanë me para", sado skonto t'i bëhet këtij detyrimi. Në vitet 2003-2004 është provuar dhe ka dështuar një tentativë e tillë, madje në një kohë kur portofoli i ATK-së ka qenë shumë herë më i mirë se sot dhe veprimtaria e këtij institucioni asistohej edhe nga Banka Botërore. Në një "Plan të asistencës teknike" që i paraprinte zbatimit të kërkesave të Ligjit 8894, datë 14/05/2002 "Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive parashikohej, përveç të tjerash, edhe një plan për shitjen e aktiveve apo aseteve të ATK-së. Ky plan i është paraqitur Këshillit Mbikëqyrës në maj të vitit 2002 dhe parashikonte që deri në fund të atij viti të shiteshin jo më pak se 25 për qind e aseteve të ATK-së; deri në qershor të vitit 2003, jo më pak se 50 për qind e aseteve të ATK-së; deri në dhjetor 2003, jo më pak se 75 për qind e aseteve të ATK-së dhe deri në dhjetor 2004, jo më pak se 90 për qind e aseteve të ATK-së. Por, në fakt nuk u shit asgjë. Siç tregojnë informacionet e përpunuara dhe trashëguara nga kjo periudhë, përfaqësuesi i Bankës Botërore së bashku me përfaqësuesit e ATK-së janë sjellë vërdallë, sa në një bankë në tjetrën dhe askush nuk ka treguar interes për këto kredi, që sa vjen e bëhen gjithnjë e më problematike. Megjithatë, kjo s'do të thotë të mos tentohet përsëri.