Hap dyert hipermarketi i ri “Megatek”
U inaugurua dje hipermarketi më i madh në Shqipëri, që ofron artikuj të ndërtimit dhe arredimit, një investim plot 40 milionë euro. Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri Sali Berisha, përfaqësuesit e "Tirana Bank" dhe "Alpha Bank". Shiritin e inaugurimit e kanë prerë iniciatori i këtij projekti gjigant dhe njëkohësisht, drejtor Dionis Teqja së bashku me kryeministrin. Gjatë fjalës së tij, Teqja theksoi se ideja për këtë projekt ka nisur herët dhe vetëm sot po finalizohet. "Më është dashur të udhëtoj në 50 vende të ndryshme, ku kam seleksionuar eksperiencat më të suksesshme për t'i vënë në jetë në këtë projekt", u shpreh ai. Më tej, iniciatori i "Megatek" tha se ky hipermarket ofron në dy sektorë shitjen me shumicë dhe pakicë dhe një gamë të gjerë produktesh që vijnë nga 720 furnitorë. "Ky është një investim rreth 40 milionë euro dhe nga këto 23 milionë janë mbështetje e dhënë nga "Tirana Bank" dhe "Alpha Bank", vazhdoi Teqja, duke falënderuar partnerët për ndihmën. Më pas, fjalën e ka marrë nëndrejtori i "Tirana Bank" Bedri çollaku, i cili ka përgëzuar këtë iniciativë. "'Tirana Bank' në këtë projekt ka financuar me 11.5 milionë euro. Kjo qendër do të sjellë një kulturë të re tregtimi dhe ne si bankë do të vazhdojmë të mbështesim biznese, që ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare", u shpreh çollaku. Edhe drejtori i "Alpha Bank", Andrea Galatoulas është shprehur optimist për këtë projekt, duke vlerësuar impaktin që të tilla nisma kanë në ekonomi. Sipas tij, "Alpha Bank" do të vazhdojë t'i gjendet afër klientëve në të tilla projekte të rëndësishme. I fundit ka përshëndetur kryeministri Berisha, i cili vuri në dukje se pavarësisht krizës, biznese gjigante po hapin dyert dita-ditës, duke ndikuar pozitivisht në ekonomi. "Tirana dhe Shqipëria përjetojnë sot hapjen e qendrës më të madhe të kësaj natyre, e cila është e bazuar në koncepte evropiane. Ky sektor që përfshin kjo qendër është jetik", u shpreh Berisha duke vlerësuar ndikimin që "Megatek" do këtë në vend. Ai theksoi se në këtë hipermarket do të punësohen një numër i madh njerëzish çka është shumë pozitive. "Politikat e ndjekura nga qeveria e kanë dhënë efektin e duhur, kur përditë po shoh biznese gjigante që inaugurohen", tha në fund kryeministri.