E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Varfëria po bie, 200 mijë persona dalin nga zinxhiri i skamjes

Zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu vlerësoi se varfëria në vendin tonë po vazhdon të shënojë rënie me ritme më të shpejta, krahasuar me vitet më parë. Bregu i është referuar Bankës Botërore, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD dhe Institutit të Statistikave në botimin e Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës. Bregu deklaroi se nga 18.5% që ishte në vitin 2005, sot niveli i varfërisë ka rënë në 12.4% të popullsisë, me një rënie me mbi 35% në vitet 2005- 2008, nga një rënie me 27% që ishte shënuar në periudhën 2002-2005.Sipas studimit të bërë nga institucionet ndërkombëtare, është konfirmuar se kanë qenë politikat ekonomike e sociale të ndërmarra nga qeveria, që kanë bërë të mundur që mbi 200 mijë persona të shkëputen nga zinxhiri i varfërisë dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit. Konsumi mesatar për frymë është rritur me 7% që nga viti 2005, u shpreh Bregu. Sipas saj, zonat qendrore e bregdetare janë zonat, të cilat kanë pasur një ulje drastike të varfërisë, ku 10 % e popullsisë në këto zona është e varfër sot në krahasim me 21.2 % të vitit 2005. Fakti se ka pasur një rënie të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale, me 47% dëshmon se varfëria nuk është më sot një problem kryesisht rural, vlerësoi Bregu. Ajo e mbështeti vlerësimin pozitiv për gjendjen ekonomike sipas saj, tek niveli i lartë dhe i konsoliduar i rritjes ekonomike gjatë këtyre viteve, në 7 %, politikat qeveritare të mbështetjes e vëmendjes ndaj këtij problemi të ndjeshëm, dyfishimi i pensioneve, pagave, asistencës sociale, lehtësirat e të bërit biznes, taksat e ulëta, apo dhe programet e zhvillimit rural, investimeve publike, janë shpjegimi i vetëm i uljes së nivelit të varfërisë nga 18.5 % në 2005, në 12.4 % në 2008 dhe vërtetojnë që remitancat nuk janë më primare si dikur në zbutjen e varfërisë në vend. Ky studim, dëshmi e trendit të ndryshimit në Shqipëri, është edhe një dokument i rëndësishëm referimi, jo vetëm statistikor, por dhe orientues për vazhdimin e reduktimit të mëtejshëm të varfërisë, sidomos në zonat malore, ku fenomeni është ende i pranishëm, tha Bregu, duke shtuar se kjo analizë e tipologjisë së varfërisë i ofron qeverisë të dhënat reale të një situate pozitivisht në ndryshim, konfirmimin se politikat e ndërmarra gjatë këtyre viteve kanë qenë të suksesshme dhe nga ana tjetër na orienton drejt një detyrimi: reduktimin e treguesit të varfërisë relative me 70% dhe eliminimin e plotë të varfërisë ekstreme në vend. Bregu bëri të ditur se në këtë fenomen janë përqendruar këto ditë disa nga periodikët dhe agjencitë më serioze ndërkombëtare si "Forbes", Wall Street Journal" dhe "Reuters", të cilat kanë vënë theksin në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri në një kohë kur e gjithë bota e rajoni është i prekur nga kriza globale.

Last Updated on Monday, 27 April 2009 11:38

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›