Gjenerali amerikan: Gati për ndërhyrje ushtarake në Siri
Gjenerali më i lartë amerikan ka sinjalizuar për herë të parë opsionin e një ndërhyrjeje ushtarake në Siri, nëse situata nuk ndryshon. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes është përgatitur për një opsionin ushtarak, për ti dhënë fund dhunës në Siri, nëse presionet diplomatike nuk arrijnë ti ndalin luftimet, tha në televizionin CBS gjenerali Martin Dempsej. Mendoj se presioni diplomatik duhet ti paraprijë gjithmonë çdo diskutimi rreth opsioneve ushtarake. Por puna ime janë këto opsione, jo politika. Ne do të jemi të përgatitur për të siguruar opsionet ushtarake, nëse na kërkohet për ta bërë këtë, theksoi gjenerali Dempsej. Deklarata e tij erdhi pas dënimit të dhunës në Siri nga Kombet e Bashkuara, si dhe përdorimit të tankeve dhe artilerisë së rëndë nga regjimi i Asad në zonat e populluara nga civilë.
Milicia civile ka hyrë shtëpi më shtëpi në Hula duke vrarë anëtarët e familjeve një nga një në një masakër që ka zgjatur njëmbëdhjetë orë. Kështu tregojnë banorë që i kanë shpëtuar kësaj masakre, sipas aktivistëve në terren. Të paktën 108 persona kanë humbur jetën të premten në mbrëmje, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, të cilët ishin qëlluar apo therur në shtëpitë e tyre. Kombet e Bashkuara e kanë dënuar këtë sulm si më të ashprin dhe kanë fajësuar Presidentin sirian, Bashar al Asad, se po sulmon dhe bombardon me trupat e tij zona të banuara nga civilë. Sipas burimeve të Daily Telegraph nga terreni, në Siri masakra ka nisur të premten rreth orës 12:30 nga grupe të milicisë civile, të njohur si Shabiha, të cilët kanë hyrë shtëpi më shtëpi duke ekzekutuar familje të tëra. Martin Grifiths, zv.drejtuesi i misionit vëzhgues të OKB-së në Siri, ka përshkruar skenat e tmerrit në qytetin Hula. Gjetëm një familje, një nënë dhe katër fëmijë të vdekur, trupat e tyre ishin ende aty, tha ai.
Takimi në KS
Britania dhe Franca kanë propozuar lëshimin e një deklarate të përbashkët zyrtare nga OKB për të dënuar sulmet mbi civilët, duke ia drejtuar gishtin qeverisë siriane për masakrën e së premtes.
Por Rusia ka kërkuar një takim emergjent të Këshillit të Sigurimit dhe një diskutim paraprak me gjeneralin Robert Mud, kreun e misionit vëzhgues të paarmatosur në Siri. Vrasjet brutale u bënë të qarta nga një video amatore e postuar në ueb, ku tregoheshin trupat e viktimave, shumë prej tyre fëmijë të mbuluar në gjak dhe me plagë të dukshme.
Siria mohon përgjegjësinë
Qeveria siriane e ka mohuar përgjegjësinë për masakrën e së premtes. Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, ka deklaruar se zyrtarët e KS të OKB-së kanë shprehur mbështetjen e tyre për sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë e Sirisë. Ata gjithashtu kanë kërkuar nga vëzhguesit e OKB-së vazhdimin e hetimeve për masakrën.