E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të pështysh…mbi imazhin tënd!

Në Shqipërinë tonë të vogël, gjithmonë del dikush për të bërë gjullurdinë e madhe. Herë ndodh në jug e herë në veri, e më të shumtën e kohës “në mes” aty ku drejtohet shteti, në Tiranë.

Gjithsesi, kësaj here zhurma vjen nga Shkodra, kryeqendra e veriut. Mes shumë halleve dhe probleme që qyteti ka, këtyre halleve u shtohen shpesh edhe çështjet fetare. Ditët e fundit, mësojmë për një “rrebelim”, i cili ta thuash hapur, nuk është se bie ndesh me ato që kanë ndodhur dhe ndodhin në historinë e shqiptarëve, më së shumti në atë të afërtën. Është bërë e modës, që të gjithë ata që shkarkohen, lirohen, përzihen, zëvendësohen, apo zbriten nga detyra, të mos e pranojnë vendimin qytetarisht, duke kaluar në kundër – deklarata, dhunë verbale, organizime të zhurmshme etj.

Europianët u gëzuan kur ne ndërruam pushtet pa bërë luftë. Moda u përsërit edhe në rastin e lirimit nga detyra të haxhi Bashkim Bajraktarit, ish-myftiu i Shkodrës. I njohur për “daljet” e tij mediatike, apo edhe për zellin e opozitarizmit të vrullshëm në mbledhjet që zhvilloheshin në Komunitetin Musliman të Shqipërisë, kreu i fesë Islame në Shkodër, nuk pranoi të zbriste nga poltrona ku e kishte ngjitur i njëjti komunitet. Jo vetëm kaq, por ai lëshoi akuza kundër krerëve të KMSH-së, kryesisht kryetarit haxhi Selim Muça për tema dhe çështje, që i kanë rënjët shumë më thellë se koha që Muça drejton këtë institucion fetar. Padyshim që garantoi edhe mbështetjen e disa shoqatave të Shkodrës, të cilat organizuan edhe një tubim në Tiranë.

Në fakt, të kërkosh të drejtën në mënyrë demokratike nuk është e ndaluar, qoftë edhe me protesta paqësore-qytetare. Megjithatë, në rastin konkret duket se muslimanët e Shkodrës, ose të paktën ata që u përfshinë në “avokatinë” e zotni Bajraktarit, kanë gabuar në diçka. Dhe kjo është hedhja e baltës, për një qëllim apo një tjetër mbi fytyrën e Islamit shqiptar. Në këtë kohë, kur kjo fe, po përballet me skepticizmin botëror, me nxirjen me dashje apo me padituri të imazhit të saj, vetë muslimanët po ndikojnë që ky imazh të erret sa më mirë që të jetë e mundur. Për ata që i njohin zhvillimet në Shqipëri, nuk është i ri fakti që thuajse të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri, kanë problemet e tyre. Dhe kanë madje probleme shumë të mëdha, që lindin nga paturpësitë, grykësitë, vjedhjet që kanë bërë ata njerëz të papërgatitur shpirtërisht dhe fetarisht, të cilëve fatkeqësisht u ka rënë për pjesë që në këtë fazë tranzicioni të menaxhojnë komunitetet fetare shqiptare. Por po të shikosh, në asnjë komunitet tjetër, përveç atij musliman, problemet, zënkat, mëritë, sherret, madje edhe skandalet e mundshme, nuk e kalojnë pragun e derës. Por në KMSH, institucioni më i lartë i muslimanëve shqiptarë që nga viti 1923 (po të zbrsim këtu diferencën komuniste), prej kohësh nuk është shuar zhurma, zënkat dhe mbi të gjitha dezinformimi, ndonëse në krye të kësaj strukture u zgjodh një intelektual i shkolluar në Europë, me një emër dhe të shkuar të papërlyer, një person i cili nuk hasi as edhe në një kundërshtim politik, nga të gjitha lëvizjet politike të Tiranës apo nga organizmat ndërkombëtarë.

Zhurma ka vazhduar, ndërsa “skandalet” dhe problemet shpesh janë shpikur dhe fryrë nga persona me interesa të ndryshme, për të cilët nuk është e rëndësishme zgjidhje e tyre, por zgjedhja e Tyre në poste drejtuese dhe me përfitim. As që mund të mendohet që një imam, myfti, sekretar a ku di unë, të gjykojë atë që ka vendosur kryetari i KMSH-së, dhe të dalë me deklarata krejt ndryshe. Nëse ka vrejtje, ato thuhen në organet përkatëse, ku pranohen, miratohen apo hidhen poshtë. Është sikur Kryeministri të vendosë për një çështje, të mbajë një qëndrim, dhe të ngrihet një prefekt diku në Shkodër, Sarandë, apo Korçë dhe të thotë: “jo mor vëlla e di unë më mirë se kryeministri, do bëhet ndryshe!!!”. Deklarata që do vinte pas kësaj, padyshim që do dilte nga kryeministria, dhe do të ishte shkarkimi i “të fortit”, “fama” e të cilit do të zgjaste vetëm 15 minuta, në ndonjë media kureshtare dhe ndoshta grricëse!

Temat që diskutohen dhe trajtohen, nisur edhe nga cektësia e mendimit, shpesh zbresin në nivel personal, për të cilat mund të përdoret thënia e vjetër orientale “hidhe baltën, të paktën ngelet shenja”. Dhe me të vërtetë kështu ka ndodhur. Imazhi i Komunitetit Musliman, është më i nxirë se kurrë, dhe kjo është bërë nga vetë pjesëtarët e tij, të cilët pështyjnë mustaqet, e u bie mbi mjekër. Përveç detyrës së vështirë të përfaqësimit të Islamit në një nga shtetet më afër Europës, KMSH-së i duhet të merret edhe me zhurmat brenda tij, të cilat heqin vëmendjen nga ato që janë me të vërtetë shqetësime. Përveç detyrës së promovimit të tolerancës, bashkëjetesës, harmonisë dhe bashkëpunimit me fetë e tjera monotesite në Shqipëri, Katolicizmin dhe Ortodoksinë, KMSH-së i duhet të merret me “rrebelët” brenda tij, të ngrejë barrën e turpit që ja ngarkojnë të vetët. Nuk di sa e njohin Islamin këta njerëz, sa e dinë Kur`anin dhe sa e përvetësojnë veprën e Profetit… Gjithsesi gjykimi s`më takon mua, i takon Zotit! Mua dhe të tjerëve na takon të bëjmë thirrje, për qetësim, për ftohje gjakrash, pasi gjuha e përdorur në gjithë këtë telenovelë, “ndyn” gjithë muslimanët shqiptarë, i bën ata të ndihen më të turpëruar për ata që janë, para bashkëkombasve të tyre të feve të tjera dhe opinionit ndërkombëtar. Muslimanët, qofshin këta shkodranë, tiranas, vlonjatë, kosovarë apo çamë, duhet të mendojnë për atë që përfaqësojnë, mënyrën sesi e përfaqësojnë, dhe mbi të gjitha TË DINË TË KOMUNIKOJNË, fillimisht me njëri tjetrin, e më pas edhe me të tjerët. Lëvizjet klanore, krahinore, etj etj, që në Shqipëri janë më shumicë, nuk e kanë vendin mes besimtarëve, por mes interesaxhinjve, të cilët nisen nga përfitimet e momentit. A do të jetë më mirë për Komunitetin Musliman i Shqipërisë nëse Selim Muça ikën? Unë them që jo. Do jetë më keq, dhe do të vazhdojë të bëhet më keq, për aq kohë sa ne nuk jua dimë vlerën atyre që Zoti i ka përcaktuar të na drejtojnë. Zoti ynë, jepna forcën të themi të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe gjithmonë të vërtetën, atëherë kur duhet dhe aty ku duhet!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›