E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të plotësosh mungesën e një varri, dëshmi e fotografi për ekzekutimet në komunizëm

Zbulimi i varrit masiv të viktimave të diktaturës komuniste në Dajt para pak kohësh rizgjoi ankthin e mijëra familjarëve të të përndjekurve politikë në Shqipëri.
Ndonëse shumë prej eshtrave nuk gjenden dot sepse janë hedhur nëpër lumenj nga ekzekutuesit studiues dhe ish ambasadori në Vatikan Pjetër Pepa na e sjell këtë varrezë simbolike përmes librit "Dosjet e Diktaturës" si një ngushëllim për familjet e të persekutuarve të sistemit.
Megjithëse nuk ka një varr memorial ky libër është një memorial faktesh e dokumentash për personalitete të lartë të dijes dhe kombit si kryeministrat e Shqipërisë në fillimet e shtetit Koço Kota dhe Pandeli Evangjeli, për klerikët Patër Meshkalla apo Anton Harapi e mijëra figura të njohura ndërkombtarisht në kohën kur jetuan.
Vërtet mbi 5000 të përndjekur politikë u dënuan me vdekje nga koha e diktaturës, dhe kërkimet vijojnë jo vetëm brenda kufirit të Shqipërisë siç rrëfen autori por në shtetet fqinje si Mali i Zi. Madje varreza simbolike e klerit të vrarë me shembjen e kishave, xhamive apo teqeve dhe ndalimit të besimit fetar i janë dorëzuar në dy volume në një vepër pararendëse Papës së Romës Raxinger në vitet e fundit.
Sidoqoftë monumenti shkrimor i varrezës së elitës intelektuale të Shqipërisë të shuar nga diktatura e cilësuar si më e egra në kampin e Lindjes, është ende i pambaruar. Autori Pepa është ende në vijim të kërkimeve faktike për gjetjen e eshtrave personaliteteve të tjera që do të ndricojnë faqet e grisura të historisë së Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›