E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Estrada nuk funksionon, te ringrihet

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha kërkon ringritjen e Teatrit të Estradës.  Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë i ka kërkuar ministrit të Kulturës Ferdinand Xhaferri për të marrë masat për të rivënë në funksionim Teatrin.

Kreu i Qeverisë kërkoi që Teatrit të Komedisë dhe Satirës shqiptare t'i jepet “një karakter kombëtar dhe jo lokal”, dhe të përcaktohen stimuj në mënyrë që të rindërtohet sa më shpejt.

“Në vend që të lartësohej ai që quhet Teatri i Estradës në një teatër komedie e satire, mesa shoh unë nuk funksionon më. Satira është gjini e pazëvendësueshme në krijimtarinë e një populli. Ministër keni bërë shumë mirë që kemi mbështetur Teatrin e Operas dhe Teatrin Kombëtar dhe do ta mbështesim më shumë, por ne duhet të rivendosim Teatrin e Komedisë dhe të satirës shqiptare.”- deklaroi kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.

“Imagjinoni, të viktimizojnë betonet satirën e një kombi se cfarë goditje të rëndë japin, një goditje shumë të hidhur”.

Ai vlerësoi përpjekjet e disa televizioneve në këtë drejtim, por sipas tij, "ekrani nuk e zëvendëson dot skenën”

Në bazë të një vendimi të qeverisë të vitit 2005, u miratua riorganizimi i bashkimit administrativ të Teatrit të Cirkut, Teatrit të Estradës dhe Qendrës Rekreative “Tirana”, duke krijuar Qendrën Kulturore “TIRANA”. Në bazë të këtij vendimi qëndra kulturore kalonte në varësi të bashkisë së Tiranës.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›