E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të premten para “gjyqit” Tom Doshi

Të premten që vjen, do të zhvillohet seanca dëgjimore për deputetin Tom Doshi, një nga të listuarit e Prokurorisë së Përgjithshme, si i përfshirë në ngjarjen e 21 janarit të vitit të shkuar. Sot u zhvillua mbledhja e Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit, e cila u shoqërua me debate midis kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli dhe kreut të grupit kuvendor të Partisë Socialiste. Gramoz Ruçi.

“Kur bëhet kërkesë për autorizim për procedim penal, Kuvendi nis menjëherë procedurën. Kjo mbledhje është thirrur për t’i bërë të njohur anëtarët e këtij këshilli dosjet e sjella pas një viti nga Prokuroria e Përgjithshme. Deputet janë lajmëruar, do zbatohet rregullorja. Kuvendi do të japë mundësi Prokurorisë për të bërë një hetim të gjithanshme të asaj dite të zezë të 21 janarit të një viti më parë. Them të zgjedhim relatorët që d të hartojnë raportin dhe nesër të thërrasim në orën 11.00 njërin nga këto tre deputete për të dhënë mundësi në respekt të rregullores për të dhënë shpjegimet e tyre”, u shpreh ajo.

Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi më shumë kohë për tre deputetët që të njihen me dosjen e Prokurorisë. “Nuk kemi asnjë vërejtje, pasi jemi të qartë që si ata dhe të gjithë ne, veprimtaria jonë ka qenë në përmbushje të plotë të ligjeve dhe të drejtës që siguron Kushtetuta. Meqë hetimi duhet të prekë politikën, ka radhë dhe hetimi nis nga ata që dhanë urdhër, ata kanë emër të përveçëm kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm”, tha Ruci. Pas kësaj, reagoi kryeparlamentarja, duke kërkuar që të mos zvarritet çështja. Një ditë më parë, Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit për deputetët, Tom Doshi, Besnik Bare dhe Taulant Balla.

Rama

Pas debateve në Mbledhje, kreu socialist Edi Rama iu përgjigj Topallit në Twitter, duke i kujtuar kryetares së Parlamentit, se lumi nuk kalohet me llomoti. Sipas tij, Berisha duhet te hetohet për 21 janarin, si urdhërues i zjarrit mbi demonstruesit. “Jozefina si Jozefina,s’di ç’flet po flet e flet pa kuptuar që këtë here s’kalohet lumi me llomoti se çdo shqiptar e di: Saliu duhet hetuar!”, shkruan Rama.

Rregullorja

Sipas rregullores parlamentare (neni 118) kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin. Ky i fundit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve. /Start/

                                                                                             2012-01-24 14:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›