E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat britanike të sigurta: Murinjo, pasardhësi i Ferguson

Mançester Junajtid

Zhoze Murinjo është njeriu i duhur për të zëvendësuar Sër Aleks Ferguson në stolin e Mançester Junajtid. Sipas tabloidëve britanikë, pronarët e “Djajve të Kuq” mendojnë se trajneri i Interit i plotëson të gjitha kushtet për të nisur një epokë të re në skuadër. Trajneri skocez do të largohet nga “Olld Traford” në fund të këtij sezoni, pas plot 24 vitesh të mbushura me suksese. Madje, përflitet se ka qenë vetë Ferguson ai që ka dhënë miratimin për emërimin e Murinjos. Mediat në Angli shkruajnë edhe se tekniku portugez ka një marrëveshje me Mançesterin: drejtuesi i pankinës zikaltër nuk e ka fshehur asnjëherë mungesën e “dashurisë” me futbollin italian dhe dëshirën për t’u rikthyer në Premiership. Emri i Murinjos është përfolur në ambientet e Junajtid si pasardhës si “Fergit” edhe në të kaluarën, kur ai drejtonte Porton. Por, në atë periudhë ai preferoi të punonte te çelsi, me miliarderin Roman Abramoviç dhe arriti për dy vjet që të ndërpriste hegjemoninë e Ferguson në elitën e futbollit britanik. Gjithçka duket se është vendosur, por për ndryshimin e trajnerit pritet triumfi i Junajtid në kampionat (aktualisht ndodhen në vendin e dytë, vetëm 1 pikë larg çelsit). Në fakt, Ferguson do të largohet vetëm pasi të ketë fituar titullin numër 12 në Angli.

Skocezi kishte menduar të tërhiqej që prej vitit 2002, por më pas ndërroi mendje dhe udhëhoqi Mançesterin drejt triumfit të dytë në Champions League dhe të katër trofeve të tjerë. Nëse do të arrijë të fitojë sprintin final të këtij sezoni, Ferguson do të mbyllte në mënyrë të shkëlqyer një aventurë të jashtëzakonshme: që prej nëntorit të vitit 1986, kur mori drejtimin e skuadrës, në total ai ka fituar 34 trofe.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›