Të qenurit i ri mbart jo vetëm të drejta, por edhe përgjegjësi
Fjala e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në aktivitetin e mbajtur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve
Emocionet vijnë natyrshëm kur kupton dhe më mirë mesazhin e historisë së kësaj dite kur në 17 nëntor të 1939, në Çeki, mijëra studentë të Universitetit të Pragës, u ngritën në protestë kundër pushtimit nazist, dhe më pas një pjesë e tyre u dërguan në kampet e përqendrimit, dhe u ekzekutuan. Të rinjtë janë simbol i luftës për liri, i mposhtjes së diktaturave sado mizore qofshin ato dhe sot ata janë kthyer ithtarë të globalizmit, integrimit të kombeve pa dallime etnike, raciore e kulturore. Sot Shqipëria jeton ndryshime të mëdha historike. Brezi im në moshën tuaj nuk mund të imagjinonte asnjë copëz jete nga Evropa, ndërsa ju brezi i internetit, ndiheni krenarë si të rinjtë e një vendi në NATO, dhe që shumë shpejt do të lëvizni në 28 vende anëtare të Evropës. E bëj këtë parantezë të gjatë për të theksuar dhe më shumë vlerën e lirisë, të drejtat por dhe përgjegjësitë e të qënurit i ri. Askush më shumë se ju duhet të ndihet një qytetar i përgjegjshëm jo vetëm për fatin e vet por dhe për Shqipërinë. Sfidat e një të tashmeje integruese kërkojnë nga ju pjesëmarrje dhe vendimmarrje në të gjitha proceset si aktorë me një rol aktiv dhe aspak episodikë të këtyre zhvillimeve të mëdha. Të rinjtë janë një burim i madh i zhvillimit njerëzor dhe njëkohësisht një nga agjentët kyç për ndryshime social, ekonomik dhe tekonologjik. Në fushën e rinisë, Ministria jonë ka shpallur prioritet bashkëpunimin me shoqatat joqeveritare për të patur një zbatim sa më efikas të projekteve për edukimin, arsimimin, informimin, shëndetin, kulturën artin, vullnetarizmin, dhe jetën në komunitet. Zhvillimi i rinisë si ndër prioritetet e programit të qeverisë, kurrsesi nuk mund të konsiderohet si një retorikë politike. Ne jemi dëshmitarë të sërë arritjeve në fushën e rinisë, si : punësim të të rinjve në administratë e institucione në nivelin mbi 60 %, arsimimi i lartë pa asnjë kufizim, si në universitetet publike dhe ato private, projekte të shumta që kanë sjellë punësime të konsiderueshme të të rinjve në biznesin privat, zgjerimi i fondit të ekselencës, shtim i rrjeteve rinore nëpër rrethe dhe shumë e shumë tregues të tjerë. Sot shpreh kënaqësinë e veçantë që Ministria jonë po çon në një stad më të lartë bashkëpunimin me ojq-të rinore, si aleatë besnikë të strategjisë sonë për një rini të konsoliduar, arsimuar dhe edukuar, për një rini të standardeve evropiane. Marrëveshja me Këshillin Studentor synon bashkëpunimin dhe zbatimin e iniciativave studentore ne përputhje dhe prioritetet e qeverise për rininë si dhe për pjesëmarrje me te madhe rinore ne shoqëri dhe ne procesin e integrimit te vendit.
...