E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre ditë e tre net, ha hudhra e bëj gajret

Kjo është filozofia më e re që pritet të shtrohet barkas në mes të kryeqytetit. Edi Rama, pas protestës së Fierit, ku çdo kamikaz i pabërë deputet ka marrë detyrat dhe udhëzimet përkatëse se si do organizohet protesta-maratonë për tri ditë rresht në shesh. Një filozofi mëngjarashe, që devijon nga konturet e një realiteti politik dhe ekonomik që ka nevojë për paqe sociale, për një stabilitet politik dhe një bashkëpunim sa më të gjerë në parlament. Mjerisht kemi të bëjmë me një filozofi transformiste, që kërkon ta kthejë lojën politike në një telenovelë hispanofobe, që zgjat aq sa zgjat personazhi kryesor. Ka tashmë disa javë që Edi Rama po përpiqet të krijojë një klimë tensioni, me artificialitete nga më të ndryshmet. Sidomos duke përdorur, fatkeqësitë kombëtarë e personale të njerëzve ordinerë nëpër pub-et e Tiranës. S’ka si mos të ishte... Pas maratonës së këngës popullore u kërkohet shqiptarëve të bëjnë maratonën populiste të Edvinit. Maratona është e thjeshtë për t’u kuptuar sepse mitingu ka si qëllim, midis të tjerave, të bëjë në mënyrë maniakale bombardimin me overdozë urrejtjeje të paparashikueshme çdo punë të Qeverisë; dhe sikundër nuhatet kanë menduar të bëjnë bllokimin e qytetit me metoda kampingjesh no-global, afërmendsh, jo të denja për një parti të madhe opozitare dhe qytetare.
Urrejtja individuale shikon prapa, na mban në të kaluarën. Është e shpjeguar nga sociologjia, sesi urrejtja, ashtu edhe dashuria, mund të prodhohen kolektivisht. Por më shumë urrejtja. Në luftërat politike a religjioze, agresiviteti ynë ushqehet dhe orientohet nga grupi. Ne e gjejmë të urryer armikun, kundërshtarin, pozitën, pa e kuptuar sepse, çdo ditë bombardohemi nga llafet e shokëve, nga të përditshmet, nga televizionet që shohim dhe sidomos nga politika opozitare.
Mirëpo Kryetari i selisë ylberiste ka premtuar se do të jetë një protestë ndryshe nga të tjerat. Dhe afërmendsh kuptohet se e vetmja gjë ndryshe në këtë protestë do jenë deputetë afër Edi Ramës, me legjionarët dhe mercenarët e rekrutuar, anembanë Shqipërisë. Si i thonë, kur u ndamë, këto na ranë. Ky është fati i atyre që rrinë gjithë ditën papunë, te Dogana apo tek Ushtari i panjohur – pra, me pak fjalë, doli edhe risku i tyre. Është bërë modë nga opozita subvencionimi i mitingashëve, jo vetëm me lekë, por edhe në natyrë, si në Pezë përshembull. Për tre ditë, krahpërkrah në transhe, në një llogore, me një qafore, ata do të njohin një ushtar, që është njëkohësisht edhe xhenier, edhe gjeneral. Të papunë, bashkohuni! Të gjithë do të kenë një kontratë punësimi treditore me bashkinë e Tiranës. Kërkesa fillestare dhe kakofonike e opozitës është hapja e kutive të 28 qershorit, por është e lehtë që të kërkohet edhe dorëheqja e Kryeministrit në këtë protestë ekologjike.
Kryetari i PS-së - i paracaktuar nga fati si një i dështuar - mendohej se mund të kishte mendime e veprime origjinale, por me tezat e djeshme, ai ka treguar se ka vjedhur pa teklif  autorësinë e metodës së kampingjeve të protestës në aeroportin e Londrës, Heathrow, ku anarkistë, ambientalistë, socialistë, autistë e separatistë, protestojnë  së bashku kundër efektit serrë. Merret me mend se çadrat apo tendat janë blerë me fonde anonime dhe nuk ka asnjë transparencë sesa kushtojnë dhe sa copë janë blerë duke ditur se në tregun evropian një çadër kampingu e thjeshtë kushton të paktën 39 euro. Kurse për sheikun kuptohet se tenda do të jetë me lukset e duhura, me banja turke e ku di unë tjetër, dhe përflitet se është bërë edhe një telegram-kërkesë e cila mund t’i plotësohet: tenda t’i dhurohet nga koloneli i zi Gedafi i Libisë si shenjë e binjakëzimit të xhihadit kundër qeverisë.
Në këtë klimë, arritja e konsensusit, aq i nevojshëm për reformën në drejtësi, duket një iluzion. Paketa Antimafia për pasuritë e vëna nga krimi, shërbimi përmbarimor, ekzekutimi i vendimeve penale, shërbimi i provës, rregullimi i veprimtarisë së gjykatave, Gjykata Administrative, raportet e Ministrisë me KLD-në, dhe një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me kthimin dhe kompensimin e pronave, janë pikat kyçe ku kërkohet një konsensus sa më i gjerë, për të cilin opozita apatride e Edi Ramës as që është e interesuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›