E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të realizojmë idealet që udhëhoqi Azemi, Shqipërinë në BE”

15-09-2013 / Gazeta 55

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nderon liderin e Lëvizjes së Dhjetorit ‘90, Azem Hajdari dhe falënderon kongresmenin Eliot Engëll për nderimin që i bëri deputetit Hajdari në Kongresin Amerikan
“Si Kryetar i Kuvendit dua të falënderoj gjithë qytetarët dhe personalitetet që morën pjesë në këto homazhe. Një falënderim të veçantë dua t’i bëj sot nga Kuvendi i Shqipërisë kongresmenit të shquar Eliot Engell, i cili pak ditë më parë, më 10 shtator, nderoi në Kongresin Amerikan me një deklaratë të veçantë emrin dhe kontributin e Azem Hajdarit, si udhëheqës historik i lëvizjes demokratike në Shqipëri”

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e nisi dje seancën plenare me një nderim për liderin e Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Azem Hajdarin. Një falënderim të veçantë, Meta i bëri kongresmenit të shquar Eliot Engell, i cili pak ditë më parë, më 10 shtator, nderoi në Kongresin Amerikan me një deklaratë të veçantë emrin dhe kontributin e Azem Hajdarit, si udhëheqës historik i lëvizjes demokratike në Shqipëri. “Dy ditë më parë ne përkujtuam liderin e Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Azem Hajdarin, dhe e përcollëm me nderim të merituar në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, me rastin e 15-vjetorit të ndarjes nga jeta. Si Kryetar i Kuvendit dua të falënderoj gjithë qytetarët dhe personalitetet që morën pjesë në këto homazhe. Një falënderim të veçantë dua t’i bëj sot nga Kuvendi i Shqipërisë kongresmenit të shquar Eliot Engell, i cili pak ditë më parë, më 10 shtator, nderoi në Kongresin Amerikan me një deklaratë të veçantë emrin dhe kontributin e Azem Hajdarit, si udhëheqës historik i lëvizjes demokratike në Shqipëri. Për të gjithë bashkëkombësit tanë, por sidomos për ne bashkëkohësit e tij, Azem Hajdari është një emër që do të na kujtojë gjithmonë ndryshimin epokal të nisur në dhjetor 1990. Emri i Azem Hajdarit do të na kujtojë gjithmonë guximin, kurajën e jashtëzakonshme dhe sakrificën më sublime në emër të së ardhmes. Jam i bindur se duke punuar të gjithë së bashku për të  përmbushur ëndrrën e tij dhe të gjeneratës që përfaqësoi, për ta bërë Shqipërinë sa më parë anëtare të denjë të BE-së, do t’i bëjmë nderimin më të merituar emrit të Azem Hajdarit dhe idealeve të lëvizjes historike të dhjetorit të vitit 1990, që ai udhëhoqi”.
Sequi takon Metën: Kuvendi, larg konfliktit politik/“Brukseli pret të shikojë një parlament me një forcë shumice konstruktive por dhe opozitë konstruktive dhe të fortë”. Kështu deklaroi ambasadori i BE i akredituar në vendin tonë Ettore Sequi, gjatë një prononcimi për mediat pas takimit që pati me kreun e ri të parlamentit, Ilir Meta në Kryesinë e Kuvendit. “Ishte një takim konstruktiv dhe shumë i përzemërt. E urova zotin. Meta  për zgjedhjen e tij në postin e kreut të Parlamentit dhe për angazhimet pozitive në rrugën drejt BE-së. Shpresojmë dhe besojmë që ky Parlament do të jetë një parlament që do të nxisë më tej dialogun e konstruktivizmin brenda partive. Shpresojmë që bashkëpunimi për arritjen e integrimit do të jetë pika lidhëse mes forcave të opozitës dhe mazhorancës”- u shpreh ai. Ndërsa vlerësoi angazhimin e Kryeparlamentarit në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, Sequi apeloi për nxitje të  bashkëpunimit mes mazhorancës e opozitës në funksion të arritjes së objektivit madhor kombëtar, integrimit në BE. “Shpresojmë që pas 23 vitesh të përpjekjeve të përbashkëta shumica dhe opozita do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe shpresojmë që ky bashkëpunim të kurorëzohet së shpejti. Roli i kryetarit të Parlamentit është shumë i rëndësishëm. Besoj se Meta me vizionin e pikëpamjet e tij do të ndihmojë në këto arritje. Brukseli do të shikojë një Parlament me një forcë shumice konstruktive por dhe opozitë konstruktive dhe të fortë. Më lejoni të theksoj që ne premtuam në emër të KE të mbështesim për të bërë të mundur një parlament të mirë”- tha Sequi. Nga ana e tij, kreu i ri i Kuvendit vlerësoi se palët politike i kanë të gjitha mundësitë për të ecur më shpejt në rrugën e një bashkëpunimi të qëndrueshëm. “E sigurova zotin Sequi se si kryetar i Kuvendit do punoj për të krijuar një klimë sa më konstruktive që duhet të rrezatojë edhe jashtë tij, për bashkëpunimin mes të gjitha forcave, sepse të gjithë e dinë që mungesa e bashkëpunimet deri tani ka qenë pengesa për arritjen e objektivave madhore si marrja e statusit kandidat në BE. Të gjitha forcat politike kanë një qëllim, integrimin në BE”- u shpreh kryeparlamentari. Meta gjithashtu e falenderoi Sequin për ndihmën e BE ndaj vendit, por dhe parlamentit në mënyrë të veçantë, ndërsa  shprehu angazhimin e tij si kryetar Kuvendi  për vazhdimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. “Për mua ishte kënaqësi që takimin e parë si Kryetari i Kuvendit ta zhvilloja me Ambasadorin e BE, zotin Ettore Sequi, duke e falënderuar për ndihmën që BE i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë vendit dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe duke e siguruar se në këtë detyrë të re do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me delegacionin e BE dhe gjithë institucionet e tjera në mënyrë që të forcojmë marrëdhëniet e parlamentit me institucionet përkatëse në BE”, tha Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›