E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galak: “Brukseli shpreson për marrëveshje”



Zëdhënësja e shefit të diplomacisë europiane, Kristina Galak, është shprehur se Bashkimi Europian shpreson se deri në fund të javës do të arrihet një marrëveshje me Prishtinën për planin gjashtëpikësh të OKB-së për praninë ndërkombëtare në Kosovë.
Galak tha se BE-ja shpreson në shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës deri në dhjetor të këtij viti. Sipas saj, ky mision do të punojë në kuadër të Rezolutës 1244, që vazhdon të ofrojë një rol për OKB-në. Sipas zëdhënëses së shefit të diplomacisë, kjo nuk do të kufizojë mundësitë e EULEX-it që të punojë me institucionet e Kosovës mbi bazën e ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Ajo theksoi se EULEX-i do të mbajë përgjegjësi të kufizuara ekzekutive dhe në të njëjtën kohë do të respektojë kornizën institucionale dhe ligjore të Kosovës. Autoritetet kosovare e kanë kundërshtuar marrëveshjen e OKB-së me Serbinë mbi bazën e një plani gjashtëpikësh të sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, për të ardhmen e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Plani gjashtëpikësh u kundërshtua për shkak se përmban elemente të ndarjes në vija administrative të Kosovës, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe doganave. Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, është shprehur se qëndrimi i Prishtinës është i qartë dhe se nuk do të ketë kurrfarë kompromisi në dëm të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tij, kjo është vija e kuqe nga e cila Prishtina zyrtare nuk mund të lëvizë as në vazhdim të bisedimeve të tjera.

Bota përkujtoi viktimat e Luftës së Parë Botërore

Në mbarë Europën dhe më gjerë janë mbajtur dje ceremoni për përkujtimin e 90-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Rreth 20 milionë veta u vranë në katër vitet e konfliktit që u përshkrua në atë kohë si lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave. Ajo çoi në një hartë të re të Europës dhe rënien e katër perandorive si ajo gjermane, austro-hungareze, ruse dhe otomane. Ky vit ishte ndoshta përvjetori i fundit i rëndësishëm që përfshin veteranë të konfliktit, pasi të gjithë janë më shumë se 100 vjeç. Tre veteranë britanikë, që ende janë gjallë, vunë kurora me lulëkuqe në monumentin e ngritur në Londër.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›