E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeneli: Ndiej keqardhje për imazhin e sotëm të PS-së

Zoti Zeneli, jeni një ndër themeluesit e PS-së. Si e gjeni partinë pas 20 vitesh dhe si ndiheni ju vetë në raport me PS-në në këtë 20 vjetor?

Për mua është një kënaqësi e veçantë që marr pjesë në këtë 20 vjetor të PS-së. Kam qenë një ndër themeluesit kryesorë të partisë, gjithashtu kam qenë sekretar i parë për marrëdhëniet ndërkombëtare, deri në kohën që unë u largova dhe kalova në sektorin e diplomacisë. Pra, hipoteka ime politike është rrënjësisht e lidhur me PS-në. Natyrisht, i kujtoj me nostalgji vitet e para të luftës politike, së bashku me shokët e mi, sakrificat guximin etj. Por çdo gjë ka dialektikën e vet, vijnë njerëz të rinj, brezat ndërrohen. E mira është që këta breza të harmonizohen me njëri-tjetrin, sepse ka shumë vlerë përvoja, por mendoj se duhet të ketë më shumë vlerë ndjenja e përgjegjësisë e politikanëve të majtë, deputetëve të PS-së, për ta çuar këtë parti edhe më tej. Kam kënaqësinë që në këtë 20 vjetor të kujtoj atë rrugë me sakrifica, kur që në ditët e para të saj kemi lëvizur nëpër Europë, për t’u njohur si një parti ndryshe nga ajo që kishte trashëguar si imazh ish-Partia e Punës. Krijuam miq, krijuam aleatë, krijuam besim derisa PS-ja u pranua në radhët e Internacionales Socialiste. PS-ja është një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare dhe uroj që me këtë peshë të kontribut të vazhdojë dhe në të ardhmen. Sot është 20 vjetor, është dasmë dhe në dasmë nuk vihen re të metat dhe mangësitë e atij që bën dasmën, por vetëm jepen urime.

Zoti Zeneli, pas vitit 2005, me ndryshimin e lidershipit të PS-së, shumë nga figurat e vjetra u mënjanuan për t’u zëvendësuar me të rinj. Madje, pas 2005-s është kërkuar ndjesë për politikën dhe qeverisjen e PS-së deri në atë moment, duke dalë hapur kundër politikës së periudhës ’91-2005…

Ky është një gabim fatal. Nuk mund të ketë ndarje me vizë ‘91-2005. Mua më vjen keq që edhe nga shumë shokë të mi, që kanë qenë themelues që në vitin 1991, që kanë qenë dhe ministra, që kanë qenë dhe kryeministra dhe ishin gati në një mënyrë ose një tjetër të thoshin që çdo gjë filloi në vitin 2005. Kjo është e turpshme edhe për ata që janë sot në lidership, por që kanë që në vitin 1991 me poste drejtuese. Të njëjtët kanë dalë në takime me elektoratin dhe kanë kritikuar atë qeveri pjesë e së cilës kanë qenë dikur. Këtë nuk mund ta konceptoj dhe nuk mund ta pranoj dot. Për sa më takon mua dhe një kategorie tjetër, pavarësisht që unë nuk jam në strukturat e partisë, unë nuk i marr dorën askujt. Absolutisht askujt, sepse kam kontributin tim dhe në atë për aq kohë sa kam qenë, që nga themelimi e derisa u largova dhe kalova në diplomaci, metri më ka dalë gjithnjë 100 cm vazhdimisht dhe jo njëherë 60 e njëherë 70.

Në 20 vite PS-ja shpesh ka shfaqur aftësinë për të zgjidhur problemet me dialog dhe me krijim të gjerë aleancash. Tashmë duket sikur është Berisha njeriu i Aleancave të Mëdha dhe këtë veti të PS-së e ka marrë kundërshtari i saj kryesor. Çfarë ka ndodhur, sipas jush?

Nuk është momenti për të bërë shumë vërejtje e mendime të kundërta, por Partia Socialiste duhet të jetë shumë më shumë e përgjegjshme për fatet e vendit, fatet e popullit, fatet e integrimit.

Në ç’kuptim të jetë më e përgjegjshme?

Kur e them që duhet të jetë më e përgjegjshme, them që duhet të njohë më mirë frymën e mirëkuptimit, frymën e dialogut, në radhë të parë brenda vetes edhe në jetën politike parlamentare. Nuk kam qenë asnjëherë dhe as jam dakord, që deputetët e PS-së të marrin bilbilat, lodrat, currlet, apo të hidhen mbi kokat e njerëzve për të shkuar në KQZ. Nuk është ky imazhi. Ndiej një lloj keqardhje. Imazhi duhet të jetë krejt ndryshe. Pavarësisht se është në opozitë, imazhi duhet të jetë i një force konstruktive, një force tepër të vendosur dhe të guximshme. Guximi nuk shfaqet as me lodra e as me bilbila e currle, guximi shfaqet duke i dalë zot programit tënd atje në Parlament, duke kritikuar qeverinë në Parlament, duke mosmiratuar ligje të caktuara, por jo në heshtje, por duke kundërshtuar ligjet që ajo mendon se nuk duhen. Por në të njëjtën kohë edhe duke dhënë konsensusin edhe mendimin për ato gjëra që nuk kanë të bëjnë me të majtën ose të djathtën, por që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm shoqëror.

Pas dy vitesh janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. A ka diçka për të përmirësuar PS-ja në këto dy vite që vijnë?

Partia Socialiste është një Cunami.

Por një cunami në opozitë, apo jo?

Është një cunami, një forcë e papërballueshme në kuptimin e ndjenjës së përgjegjësisë, militantizmit të shtrirjes popullore etj. Mendoj se për zgjedhjet e vitit 2013 do të jetë detyrë e forumeve të përcaktojnë se çfarë duhet bërë. Unë mendoj se PS-ja do të jetë në pushtet. Do të jetë në pushtet, jo thjesht për të ardhur në pushtet pas 8 vitesh, por do të jetë në pushtet se di të qeverisë dhe drejtojë vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›