E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë dibranë mundësi aftësimi profesional në 6 drejtime, preferohet hoteleri-turizmi

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Shkolla profesionale “Nazmi Rushiti” në Peshkopi tashmë prej disa vitesh u ofron nxënësve kushte dinjitoze në mjedise mësimore, laboratorë didaktikë, laboratorë të praktikës profesionale, biblioteka dhe mjedise sportive e rekreative.

Vendosur në rrugës “Kongresi i Dibrës” pranë stadiumit të qytetit, shkolla e rikonstruktuar nga e para tërheq vëmendjen me fasadën e saj të re ndërsa mjediset e brendshme janë mbresëlënëse, me kabinetet dhe laboratorët e vendosur në dispozicion të nxënëseve dhe mësuesve.

Për një qytet si Peshkopia sikundër edhe për qarkun e Dibrës, shkolla ka kapacitete të mjaftueshme për aftësimin e të rinjve e të rejave që zgjedhin të marrin një profesion të kërkuar në tregun e punës dhe të mos vazhdojnë studimet e përgjithshme në gjimnaze.

Orientimi drejt shkollimit professional ka dhënë frute, pasi interesi i nxënësve dhe prindërve të tyre ka qenë në rritje. Drejtoresha e shkollë Majlinda Poçi tregon për gazetarët e pranishëm në mjediset e shkollës se shkolla ofron 6 drejtime mësimore: Teknologji Ushqimore, Shërbime Sociale dhe Shëndetësore, Ekonomi-Biznes, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK), Gjeologji Miniera, Hoteleri – Turizëm.

Shkolla e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” ka fituar edhe akreditimin zyrtar që garanton standardet e larta deri në vitin 2030.

Shkollat profesionale po tërheqin gjithnjë e më tepër vëmendjen e të rinjve, të cilët çdo vit e më shumë zgjedhin t’i frekuentojnë ato, si rrugën e sigurt drejt integrimit në tregun e punës.

Por a është kjo një klishe? Drejtoresha tregon se sfidat ekzistojnë akoma.

Dinamika e preferencave të nxënësve ndryshon nga viti në vit, ndërkohë që hoteleri-turizmi shënon numrin më të madh të nxënësve. Dibra është një rajon me potenciale të jashtëzakonshme në këtë sektor dhe mundësitë e punësimit janë më të mëdha. Por edhe pse, bujqësia e blegtoria po ashtu janë të rëndësishme për zonën, profesioni i teknologut ushqimor vuan nga mungesa e nxënësve dhe për dy vite rresht nuk janë hapur klasa të reja.

Rajoni i Dibrës ka një potencial të jashtëzakonshëm në industrinë e përpunimit të frutave, bulmetit dhe agroturizmit. Bizneset lokale kanë nevojë imediate për teknikë të cilët dinë të certifikojnë dhe të garantojnë se produkti është i sigurt për tregun vendas dhe atë të eksportit.

Nxënësit që mbarojnë këtë degë kanë mundësi të punësohen menjëherë si specialistë të sigurisë ushqimore në fabrika përpunimi, rrjete hoteliere, laboratore analizash, ose të ndjekin studimet e larta në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit.
Ndoshta mungon informimi i duhur i prindërve?

Drejtoresha Poçi tregon se stafi i shkollës bën takime të rregullta në shkollat nëntëvjeçare për të informuar nxënësit në lidhje me mundësitë që ofron shkolla për arsimimin dhe aftësimin e tyre professional, punë që do të shtrihet edhe më tej.

Nxënësit ftohen të vizitojnë edhe mjediset e shkollës ku laboratorët e rinj didaktikë dhe repartet e praktikës të kujtojnë qendrat moderne të trajnimit nëpër Europë.

Ndërkaq, shkolla ka krijuar urë lidhëse me programet e riintegrimit për të rinjtë e rikthyer nga emigrimi, duke ofruar një mundësi të dytë për vijimin e studimeve. Përmes politikave lehtësuese dhe një programi të dedikuar, të rinjve që kanë lënë vendin por dëshirojnë të rikthehen brenda një afati dyvjeçar, u garantohet mundësia për të vijuar apo rinisur shkollimin profesional.

Ky program jo vetëm që lehtëson procedurat e njohjes dhe ekuivalentimit të studimeve të kryera jashtë shtetit, por ofron edhe plane mësimore të përshtatshme për t’i ndihmuar ata të kapin ritmin e bashkëmoshatarëve.

Në katin e parë, kabineti i Hoteleri-Turizmit na njeh me të rinjtë që të veshur me uniforma të bardha kuzhinierësh sfidojnë veten me menutë e ditës. Sistemi i arsimit të dyfishtë (Niveli III) u mundëson atyre që mësimin ta ndërthurin direkt me praktikën në bizneset lokale.

Pak më tej, në laboratorin e TIK (Teknologji Informacioni dhe Komunikimi), nxënësit mësojnë gjuhët e programimit – një dritare e hapur nga Dibra drejt botës globale të teknologjisë.

Me interes për nxënësit është dega e Gjeologji-Minierave (një sektor kyç historik për zonën e Dibrës).

Në kabinetin e Kujdesit Social dhe Shëndetësor, nxënësit praktikojnë teknikat e ndihmës së parë dhe kujdesit ndaj personave në nevojë.

Një nga pikat më të forta të “Nazmi Rushitit” është integrimi i saj me komunitetin dhe biznesin. Pjesëmarrja e rregullt e nxënësve në panairet rajonale të punës tregon se ata janë gati për tregun që përpara se të diplomohen. Mbështetja nga projekti zviceran Skills for Jobs (S4J) ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi midis shkollës dhe punëdhënësve potencialë.

Po ashtu, një sistem referimi i cili lidh drejtpërdrejt auditorët me tregun e punës funksionon përmes bashkëpunimit institucional me bashkinë e Dibrës, Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe bizneseve lokale.

Kështu, çdo nxënës që përfundon studimet ka një rrugë të qartë drejt karrierës.

AKPA dhe zyrat lokale të punësimit ndjekin hap pas hapi ecurinë e të diplomuarve duke i referuar ata në vendet e lira të punës, ndërsa Bashkia mbështet nismat që nxisin sipërmarrjen e të rinjve, duke garantuar kështu që shkolla “Nazmi Rushiti” të jetë një gjenerator i vërtetë punësimi për zonën.

Tashmë shkollat profesionale nuk shihen si një zgjedhje dytësore dhe këtë e konfirmojnë mësuesit të cilët thanë për gazetarët se vitet e fundit janë shtuar nxënësit me mesatare shumë të mirë, mbi 9.

“Zgjidh profesionin. Ndërto të ardhmen!”, logoja e shkollës tregon qartë qëllimin që bashkon nxënës e mësues. Drejtoresha Majlinda Poçi tregon se shkolla njeh raste suksesi të punësimit të nxënësve të saj në pozicione të mira pune, avancim në karrierë.

Ndërsa bashkia e Peshkopisë raporton 3 deri në 4 mijë të papunë dhe biznesi lokal raporton për mungesë të fuqisë punëtore, bëhet e rëndësishme koordinimi mes tyre. Këtë rol e kryen Agjencia Kombëtare e Zyrave të Punës, zyra lokale e së cilës në Peshkopi, ndodhet pikërisht pranë shkollës së mesme profesionale.

Sikundër ekzistojnë raste suksesi, ashtu edhe pamundësia për zgjidhjen e problemeve, por specialistet e zyrës së punës janë të gatshme të regjistrojnë kërkesat e qytetarëve dhe t’i referojnë ato pranë bizneseve.

Edhe nxënësit që mbarojnë studimet në shkollën profesionale kanë mundësi të bëjnë praktikat në bizneset lokale, të njihen me punën që do të bëjnë dhe të zgjedhin të punojnë aty ku bizneset kanë nevojë.

Mbi 17 mijë të rinj ndjekin këtë vit arsimin profesional në 31 shkolla publike në të gjithë vendin, ndërsa pjesëmarrja në arsimin profesional ka arritur në 19,4% të arsimit të mesëm, krahasuar me 12,7% në vitin 2013.

1 nga 5

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›