E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dhe kryetari Gerti Bogdani, vizitojnë ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë

“Jemi dëshmitarë të standardeve të reja, që Shqipëria po zhvillohet dhe integrohet”
Jo më shumë se 45 ditë nga përfundimi i projektit më madhor kombëtar në
infrastrukturën rrugore, atij Durrës-Kukës-Morinë, kjo vepër dhe puna për ndërtimin e saj ka ngjallur interes për shoqërinë tonë, por edhe atë ndërkombëtare. Të rinjtë e Partisë Demokratike, së bashku me kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, kanë vizituar disa nga pjesët e rrugës në ndërtim.
Në emër të të rinjve të Partisë Demokratike, Bogdani është shprehur se është krenari për këtë brez të kombit të vizitojë rrugën Durrës-Kukës-Morinë, rrugë e cila do të trashëgohet brez pas brezi si një pasuri kombëtare që shënon një standard të ri në infrastrukturën shqiptare.
“Është krenari që vijmë këtu sot, të shohim këtë vepër kaq të mrekullueshme, një vepër që do t’i mbetet brezave dhe kombit shqiptar për vitet që vijnë, si një standard i ri i vendosur në zhvillimin e Shqipërisë. Sot jemi dëshmitarë të standardeve të reja me të cilat Shqipëria po zhvillohet, në autostradën ku sot po ecën si anëtare e NATO-s drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi me shumë fat dhe jemi krenarë që, si të rinj sot, jemi dëshmitarë të kësaj vepre madhështore dhe jemi pjesë e këtij ndryshimi, sepse realisht sot, Shqipëria po ndryshon!”, tha kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani
Njëra nga pjesët që ngjalli më shumë interes për anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike ishin dy galeritë që përbëjnë tunelet, nga më të mëdhenj në zonën e Ballkanit, ata në pjesën Rrëshen – Kalimash të këtij aksi, i cili është cilësuar si edhe nga më të vështirët për pasojë të terrenit të egër malor.
“Kjo autostradë, do të jetë mbi të gjitha lidhja e re dhe më e lehtë midis shqiptarëve dhe veçanërisht e të rinjve shqiptarë kudo që ndodhen në të ardhmen e tyre të përbashkët”, u shpreh Bogdani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›