Zhvillohet Konferenca e degës së PD-së
Luçiano Boçi zgjidhet kreu i ri i PD-së së Elbasanit
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha deklaroi dje në konferencën e degës lokale të Partisë Demokratike të Elbasanit, se “qeveria e djathtë në këto 4 vite u dha shqiptarëve atë që prisnin, u riktheu besimin dhe e futi vendin në rrugën e pakthyeshme të integrimit euroatlantik dhe evropian”.
Në këtë konferencë, morën pjesë, edhe Ardian Turku, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si edhe Fahri Balliu, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD0-ës.
Nëpërmjet kësaj konference, Elbasani ka përmbyllur dje me sukses procesin e rinovimit të strukturave drejtuesve të Partisë Demokratike në këtë rreth. Pedagogu i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, njëherazi ish-kandidati i përbashkët i koalicionit të djathtë qeverisës në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor në 18 shkurt 2007, Luçiano Boçi me 257 vota është zgjedhur kryetar i ri i demokratëve në këtë qytet. Ai zëvendësoi kështu në këtë detyrë Aurel Bylykbashin.
Përballët Boçit rivalizuan kandidatët Shefqet Deliallisi dhe Ali Turhani, të cilët përkatësisht morën nga 144 dhe 101 vota, ndërsa 5 vota ishin të pavlefshme.
Zgjedhjet në degët lokale të Partisë Demokratike kanë filluar që prej janarit të këtij viti ndërsa zgjedhja e kreut të ri të PD-së për kryeqytetin do të mbyllë siparin e këtij procesi të konsideruar si të domosdoshëm në prag të përgatitjes për fushatën zgjedhore të 28 qershorit.
Në këtë konferencë, në cilësinë e kryetarit të shtabit të fushatës elektorale të PD-së në qarkun e Elbasanit, Basha u shpreh në këtë konferencë se “ne dalim krenarë jo vetëm para demokratëve, por para gjithë shqiptarëve për premtimet e mbajtura”.
Ministri Basha u shpreh gjatë fjalës së tij se “43 mijë mësuesit e Shqipërisë, më 1 maj do të marrin dyfishin e rrogave që merrnin në 2005, 120 mijë studentë ulen në auditorë, ose rreth 2 herë më shume se 4 vjet më pare, fëmijët shqiptarë lundrojnë në internet në 600 kabinete informatike, infrastruktura e saj po ndërtohet në çdo cep të saj sepse Shqipëria është sot në NATO, Shqipëria është ndryshe”.
Ministri i Punëve të Jashtme nuk ka nguruar të flasë për rrugën Rrëshen-Kalimash, duke u shprehur se, “mbi 18 mijë punonjës, teknikë topografë dhe inxhinierë i janë drejtuar sot mbi 45 kantiereve madhështore nga Kalimashi në Reps, nga Hani i Hotit në Shkodër, nga Levani në Tepelenë, nga Vlora në Levan, nga Korça në Qafë Plloçë dhe së shpejti nga Tirana në Elbasan për të ndërtuar mbi 2 mijë kilometra rrugë dhe autostrada të standardeve më të larta që ka njohur ndonjëherë rajoni i Evropës Juglindore”.
Ministri Basha ka sulmuar ashpër kreun e opozitës, dhe qëndrimet e tij kundra ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, dh apatinë e tij ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Edi Rama nuk e shikon dot sot Shqipërinë në NATO, nuk e shikon rrugën Durrës-Kukës dhe nuk i nxjerr dot të vdekurit dhe t’i rivrasë për qëllimet e tij politike, prandaj është në krizë”, tha ministri Basha. Kreu i diplomacisë shqiptare ka ripërsëritur premtimin se “brenda një viti, shqiptarët do të lëvizin pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian” . Basha theksoi se mazhoranca e drejtuar nga Sali Berisha do të realizojë aplikimin për statusin kandidat për në BE dhe afrimin e mëtejshëm me këtë union.