Të rinjtë e Prizrenit kërkojnë heqjen e vizave

Këshilli i Veprimit Rinor në Prizren organizoi sot një aksion qytetar në Ditën e Evropës. Përmes aksionit të sotëm, ku u shfaq edhe instalacioni “Isolation line - do not cross”, përfaqësuesit e Këshillit të Veprimit Rinor të Prizrenit transmetuan mesazhin e qartë për nevojën fundamentale të të rinjve për të lëvizur pa viza anembanë Evropës dhe për t'i avancuar njohuritë dhe afinitetet e tyre të përgjithshme.
Të rinjtë shfaqën brengën e tyre edhe për procedurat e ngarkuara burokratike që ju nënshtrohen qytetarët me ç'rast edhe shpenzohet një kosto absurde për standardin tonë.
Kryetari i Këshillit, Leotrim Gërmizaj shprehu apelin e përgjithshëm dedikuar mekanizmave të Unionit Evropian, me ç’rast theksoi se është koha e fundit që të bëhen hapa konkretë drejt këtij procesi, në ç’drejtim edhe institucionet relevante duhet të intensifikojnë angazhimin e tyre.
Përpos performancës së instalacionit organizatat rinore komunikuan këto brenga me qytetarë kalimtarë, turistë evropianë, si dhe të interesuarit e tjerë./Indeksonline/