E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë serbë dinë pak për bisedimet

Nga Express më 04 korrik 2011 në ora 22:16

Përderisa palët negociuese nga Prishtina dhe Beogradi thonë se marrëveshjet e arritura në këto bisedime janë në favor të përmirësimit dhe lehtësimit të kushteve të jetesës për qytetarët, sidomos të serbëve të Kosovës, këta të fundit sipas një hulumtimi që ka bërë “Qendra Rinore në Graçanicë”, del se nuk janë të informuar për dialogun.

“Shumica e pjesëmarrësve mbajnë qëndrim neutral në lidhje me bisedimet. Këtë qëndrim ata e arsyetojnë me faktin se i dinë temat e bisedimeve, por jo edhe përmbajtjen e tyre”, thotë Nebojsha Mitiq nga kjo organizatë rinore.

Rezultatet e hulumtimit, ku janë përfshirë kryesisht të rinjtë serbë, tregojnë se 70 për qind e të intervistuarve nuk i dinë emrat e shefave të delegacioneve, kurse 80 për qind e tyre nuk i dinë funksionet që ata i kanë në qeveritë e tyre.

Po ashtu, rreth 70 për qind nuk e dinë se sa takime janë zhvilluar deri më tani.

Rezultatet e këtij hulumtimi janë bërë publike gjatë një konference për media të mbajtur në Qendrën Mediale në Çagllavicë. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›