E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stafi i Berishës, zbulohen emrat e rinj

 

ADI SHKEMBI

Pas formimit të kabinetit qeveritar, Kryeministri Berisha kompleton edhe stafin e këshilltarëve me të cilët do të punojë në katër vitet e ardhshme. Por kreu i ekzekutivit nuk ka vendosur ende për drejtorin e ri të kabinetit, pasi Arben Imami mori mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës dhe më pas edhe postin e Ministrit të Mbrojtjes.
Këshilltarët
Në zgjedhjet e 28 qershorit, katër nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit, u bënë pjesë e listës së Partisë Demokratike për Parlamentin e ri. Kështu veç Arben Imamit, në listat e kandidatëve ishin edhe tre këshilltarë, të cilët ishin pjesë e stafit të Kryeministrit që pas zgjedhjeve të vitit 2005.  Myqerem Tafaj, i cili katër vjet më parë u emërua fillimisht Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe më pas këshilltar për Arsimin, fitoi mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës. Pas krijimit të qeverisë, ai mori postin e Ministrit të Arsimit. Selami Xhepa, ish anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave, ishte gjatë katër viteve këshilltar i Kryeministrit për Ekonominë, ndërkohë që në zgjedhje ai fitoi në qarkun e Dibrës. Gjithashtu mandatin e deputetit e fitoi edhe këshilltari për anti-korrupsionin, Fatbardh Kadilli, në qarkun e Korçës. Ndërkohë, pas zgjedhjeve kreu i ekzekutivit ka afruar në kabinet kryetarin e Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, me të cilin ka qenë fillimisht bashkëpunëtor në PD në vitin 1992 dhe më pas kundërshtar politik deri në zgjedhjet e vitit 2007. Gjithashtu në kabinetin e kreut të ekzekutivit tani është edhe Njazi Kosovrasti, në postin e këshilltarit për pronat. Më parë Kosovrasti ka qenë këshilltar i zv.kryeministrit. Përveç këtyre dy emrave të njohur, kryeministri ka afruar edhe disa emra të rinj, Mirela Tabaku, këshilltare për Shëndetësinë, Juna Miluka, këshilltare për Ekonominë, Arjana Çela, këshilltare për Fondin e Zhvillimit dhe Turizmin, si dhe Edira Hyka, si ndihmëse.
Shefi i kabinetit
Por ndërsa ka kompletuar stafin e këshilltarëve, kreu i ekzekutivit nuk ka vendosur ende për drejtorin e ri të kabinetit. Burime nga kryeministria bënë të ditur se kanë rënë përfundimisht dy kandidaturat e lakuara së fundi, zv.ministrja e Jashtme, Edit Harxhi dhe këshilltari për Pushtetin Vendor, Ylli Asllani. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe, që kur Imami ka lënë detyrën, funksionin e drejtorit të Kabinetit po e kryen Sekretari i Përgjithshëm, Gjergj Lezhja.

stafi i kryeministrit

Këshilltarët që ikën
Arben Imami- ish drejtor i Kabinetit
Myqerem Tafaj- ish këshilltar i Arsimit
Selami Xhepa- ish këshilltar i Ekonomisë
Fatbardh Kadilli- ish këshilltar për anti korrupsionin
Grid Rroji- u largua në SHBA

Këshilltarët që vijnë
Neritan Ceka- këshilltar për Arkeologjinë dhe Kulturën
Mirela Tabaku- këshilltare për Shëndetësinë
Njazi Kosovrasti- këshilltar për Pronat
Juna Miluka- këshilltare për Ekonominë
Arjana Çela- këshilltare për Fondin e Zhvillimit dhe Turizmin
Endira Hyka- ndihmëse e kryeministrit

Këshilltarët që mbeten
Juela Meçani- zëdhënëse e Kryeministrit
Avenir Peka- këshilltar për Sigurinë dhe Rendin
Admir Drago- këshilltar për Çështjet Ligjore
Kujtim Xhani- shef i Protokollit
Endirë Bushati- këshilltare për Çështjet Ligjore
Flamur Kuçi- Këshilltar për Çështje të Territorit dhe Pronave
Glori Husi- këshilltar për Integrimin Euroatlantik
Petraq Milo- këshilltar për Ekonominë
Pjerin Marku- këshilltar për Shoqërinë e Informacionit
Suzana Guxholli- këshilltare për Ekonominë
Valdete Vorpsi- këshilltare për Bujqësinë dhe Agronidustrinë
Ylli Asllani- këshilltar për Pushtetin Vendor
Enkelejda Gjinali- këshilltare për Çështjet e Ujit
Edvin Kulluri- ndihmës i kryeministrit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›