E Diel, 1 Nëntor 2026

Lakrori: Do propozoj “grupin oponent” në statutin e ri të PS

 

Aristir Lumezi

Anëtari i Asamblesë Kombëtare, Maqo Lakrori shprehet se diskutimi për statutin e ri të PS-së do të përfshijë dhe oponencën kolektive të propozuar prej tij 3 vjet më parë. Lakrori këmbëngul dhe në përcaktimin e rregullave për të pasur jo një individ të fortë, por një parti të fortë të drejtuar në mënyrë kolegjiale.
Zoti Lakrori, dy vite më parë ju i keni propozuar Asamblesë Kombëtare miratimin e oponencës kolektive të institucionalizuar dhe përfaqësimin e saj në forumet e PS. Tani që ka nisur diskutimi për përmirësimin e statutit, do të paraqitet sërish ky propozim?
Është një propozim i shkruar, të cilin unë e kam paraqitur në vitin 2006, e kam përsëritur në vitin 2007 dhe tani së fundi e kam risjellë në vëmendjen e socialistëve si pjesë e projektit politik “Socialistët e bashkuar”, me të cilin konkurrova me Edi Ramën. Thelbi i propozimit që përmendët ju është njohja me Statut e së drejtës për të krijuar grup të organizuar oponent në forumet qendrore të PS (në Asamblenë Kombëtare e në Kongres) dhe përcaktimi i qartë i rasteve dhe i procedurave që mundësojnë përdorimin e kësaj të drejte. Qëllimi i këtij propozimi ka qenë dhe mbetet shtimi i garancive strukturore për demokraci të brendshme në parti, rritja e aftësive të saj vetëkorrigjuese dhe shmangia e përçarjeve të reja. Kurse ligjërimi i së drejtës për të krijuar grup oponence kolektive vetëm në forumet qendrore, do të thotë që, edhe nëse krijohet, ky lloj organizimi nuk shtrihet në strukturat vendore të partisë, pra nuk e cenon kompaktësinë e saj; jo vetëm kaq, por vendimin për krijimin ose jo të grupit oponent dhe përmasat e tij, i përcakton vetëm vota e anëtarëve të partisë dhe jo forumet e saj drejtuese. Ndërkaq, përcaktimi i qartë dhe publik i kushteve dhe procedurave për ta përdorur këtë të drejtë do ta mbrojë partinë nga çdo lloj nisme aventurore. Mendoj se ka ardhur koha që ky propozim të përfshihet në Statutin e ri të PSSH.
Në kushtet e reja në PS, pas krijimit të një partie të re nga gjiri i saj (PSV91), pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe zërave ndryshe, si duhet të menaxhohet mendimi ndryshe?
Unë mendoj se çdo mendim duhet trajtuar me seriozitetin që meriton përmbajtja e tij. Por, më së pari duhet të merremi vesh se çfarë kuptohet me “mendim ndryshe”. Fjala vjen, kur bën pjesë në një parti politike, i referohesh mendimit të përbashkët bazë, që shprehet i shkruar në Programin dhe në Statutin e saj; i referohesh edhe çdo qëndrimi që mbahet ose çdo veprimi që kryhet në emër të partisë. Këto referenca ndihmojnë që të dallosh mendimin ndryshe nga zhurma që shitet si mendim ndryshe, qëndrimet parimore, nga sulmet personale që bëhen në emër të parimeve të mëdha, argumentet logjike nga epitetet boshe, motivet fisnike nga shtysat meskine individuale, edhe kur këto të fundit fshihen pas përgjërimeve për të majtën dhe interesat e socialistëve. Megjithatë, që vlerësimi dhe menaxhimi përkatës i këtyre dukurive të jenë sa më pak subjektive, duhet kaluar përmes sistemit; me këtë kam parasysh strukturën dhe rregullat e funksionimit të një partie. Edhe nga kjo pikëpamje, përsosja e Statutit dhe e rregullave të tjera të brendshme të funksionimit, do të ndihmojnë që në PS të shtohet konvergjenca e mendimeve, qofshin edhe të ndryshme, dhe mbrojtja nga zhurmat, ngado që të vijnë.
Ju jeni shprehur për një parti të fortë dhe jo një lider të fortë. Si pritet kjo të sigurohet përmes përcaktimeve statutore që sapo kanë nisur të diskutohen?
E gjithë paketa e ndryshimeve statutore që përmban projekti “Socialistët e bashkuar” është në shërbim të një partie të fortë.  Në bashkësinë e këtyre ndryshimeve, unë do të veçoja vendimmarrjen kolegjiale dhe drejtimin në ekip, në çdo nivel organizativ të PS. Një mendje e vetmuar nuk mund të zëvendësojë kurrë diturinë, fuqinë e ndryshimit dhe aftësitë mbrojtëse që prodhojnë shumë mendje të organizuara në ekip. Pa këto as që bëhet fjalë për marrjen, mbajtjen dhe mirëpërdorimin e pushtetit politik. Prandaj, pjesë e propozimeve do të jenë edhe përcaktimi i normave të vendimmarrjes me votim, sipas natyrës së çështjeve në çdo forum kolegjial dhe sidomos detyrimi i mbledhjes dhe përfshirjes së mendimit të kualifikuar profesional në çdo vendim dhe qëndrim politik të PSSH. Ky detyrim buron nga logjika se askush individualisht nuk mund të jetë ekspert për gjithçka, kurse një ekip i organizuar mirë mund të garantojë ekspertizë profesionale të nivelit të lartë. Gjithashtu, ky detyrim përfshin të gjitha çështjet për të cilat PSSH duhet të shprehet dhe të mbajë qëndrim.
Ka zëra brenda PS që kanë shprehur një qëndrim ndryshe nga ai i kryetarit dhe shumicës së socialistëve, që kanë kërkuar zbatimin e neneve të statutit, por dhe një tjetër qëndrim për çështjen e bojkotit. Sa rrezik ka që nëse nuk institucionalizohet mendimi ndryshe, të kemi një formacion tjetër politik?
Për pjesën e parë të pyetjes, më lejoni t’ju kujtoj që unë personalisht, edhe gjatë takimeve me socialistët në 12 qarqet e vendit, për këtë çështje të veçantë, pra për pjesëmarrjen në parlament, kam parashtruar dhe mbrojtur formulën “qëndrim me kusht” në vend të formulës “hyrje me kusht”. Por, fryma e përgjithshme e socialistëve ka qenë dhe është në mbështetje të hapjes së kutive, si parakusht për hyrjen në parlament. Tashmë kjo çështje ka hyrë në rrugën pa kthim, janë zhvilluar protesta në Tiranë, Berat e Shkodër dhe vazhdojnë të mblidhen firma të dhjetëra mijë e më shumë shtetasve shqiptarë, pa dallime bindjesh politike, për të dërguar në parlament një projekt-ligj për verifikimin e dokumentacionit të votimeve të 28 qershorit. Vullneti i shumicës socialiste, i shprehur ndër të tjera edhe në votimin e datës 26 shtator, është krejtësisht i qartë dhe pa asnjë mëdyshje. Prandaj, tani është koha e bashkimit të të gjitha forcave që të respektohet e të zbatohet vullneti i shumicës. Ky është rregulli elementar i funksionimit të një organizmi vullnetar kolegjial.
Lidhur me rrezikun e krijimit të ndonjë formacioni të ri politik, e mendoj të ekzagjeruar. Unë nuk besoj që nga PS të këtë shkëputje të ndokujt dhe krijim të ndonjë formacioni të ri. Shumica e atyre që janë të pakënaqur me drejtimin e deritashëm të PS, janë njerëz që kanë kontribuar për PS në vite dhe në thelbin e shqetësimit dhe të kundërshtimeve të tyre kane mbarëvajtjen e PS. Unë besoj se kjo pjesë, që është edhe e ditur, edhe me personalitet, edhe me integritet, do të marrë pjesë në procesin e reformimit organizativ dhe programor të partisë, dhe do ta vazhdojë betejën e vet brenda radhëve të PS; kësaj pjese, as që i shkon mendja të largohet nga PS. Për motive krejt të tjera, nuk largohen as disa të tjerë, të cilët pas 28 qershorit kanë filluar të bëjnë kundërshtarin, kryesisht nëpër biseda mediatike që të kujtojnë thëniet e Çajupit për klubin e Selanikut; ky takëm do të rrijë në PS jo ngaqë ndjehet i lidhur shpirtërisht me të, por sepse i duhet për interesat vetjake. Megjithatë, socialistët shikojnë, dallojnë shqetësimin e sinqertë nga mashtrimi dhe mbajnë shënim.
Sa konkurrimi i hapur publik për çdo detyrë përfaqësuese të PS-së do të garantohet në statut dhe çfarë kategorish pritet të përfshijë ky kriter?
Ideja bazë e propozimit është garantimi i konkurrimit të hapur publik për çdo detyre përfaqësuese politike. Këtu përfshihen formulimi kolegjial i kritereve, sipas detyrës për të cilën konkurrohet, publikimi i menjëhershëm i këtyre kritereve dhe përcaktimi i procedurave të realizimit, në funksion të natyrës dhe nivelit të detyrës për të cilën konkurrohet. Garantimi me Statut i konkurrimit të hapur të bazuar në kritere publike dhe përcaktimi i qartë i procedurave të realizimit, do të shërbejë  që të sigurohet cilësi e lartë përfaqësimi dhe të mbrohet vetë PS nga situata absurde që edhe mund të krijohen për shkak të dobësive njerëzore; p.sh. përfytyroni një ministër arsimi (edhe shkence!) që shkollën e lartë e ka kryer me mesataren pesë (ose afërsisht pesë)! Konkurrimi i hapur është rruga e lirisë dhe dinjitetit për secilin, sepse karriera politike e tij ose e saj do të përcaktohet nga vlerat individuale që ka, dhe jo nga marrëdhëniet personale me drejtues të caktuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›