Isuf Haluci, gracka me krerët e Sigurimit për thesarin që e shpëtoi nga pushkatimi në ‘85
Ferdinand Dervishi
Shfaqja, mëngjesin e 22 shtatorit të vitit të largët 1985, e një kompanie policësh të armatosur deri në dhëmbë që lëviznin njëshkolonë, të disiplinuar përgjatë shtratit të lumit Valbonë, të fryrë nga shirat, asokohe kishte hutuar gjithë banorët e fshatrave Bujan dhe Fushë-Lumi të Tropojës. Pa zhurmë, pa bujë, krejt kujdesshëm, vargu shkonte drejt vendit ku lumi i bashkuar me përroin e Shydenicës krijonte një zgavër gjigante, në qendër të së cilës rryma e ujit spërdridhej si gjarpër. Në vazhdim ca sy të frikësuar, fshehur pas shkurreve, do të zmadhoheshin edhe më duke vëzhguar një djalë të ri të vishej me ca rroba e një skafandër të çuditshme dhe të kridhej e zhytej në mes të vorbullës kërcënuese të ujit.
Se bëhej fjalë për zbulimin e një thesari, saktësisht të një arke me 13 kilogramë flori, këtë banorët e zonës do ta mësonin të fundit, madje vite më pas, por që policët e ardhur nga Tirana kishin me pranga me vete Isuf Halucin, atë djaloshin e hedhur të fshatit të tyre, të njëjtin që pak vite më pas do të vritej i veshur me pardesynë e Azem Hajdarit, këtë kureshtarët e kishin mësuar të parën. Ai dallohej atje tej. Trupi i Isuf Halucit i stërholluar nga torturat, shtrënguar këmbë e duar me hekura, shfaqej herë pas here mes supeve viganë të dy policëve të bëshëm që e shtypnin në mes si sardele, edhe ata të lidhur bashkë me të me pranga.
“Ishte koha pasi gjykata na kishte dënuar, Isufin dhe mua, me vdekje me pushkatim. Kishim dy vjet në burg, ndërsa akuzat e fabrikuara në adresën tonë ishin gjithsej 13. Ishin pothuaj të gjitha akuzat më të rënda të Kodit Penal, të pjesës për Krime kundër Shtetit, që nga agjitacioni e propaganda, sabotimi, agjentura, tentativa e vrasjes së Ramiz Alisë, tentativa e arratisjes jashtë vendit, shkuar deri tek shkelja e dispozitave mbi arin e valutën. Pikërisht pasi gjykata na dënoi me vdekje me pushkatim, Isufi më tha se ishte duke u menduar t’u bënte një rreng të fundit këtyre. Këtyre kasapëve, torturuesve, policëve, hetuesve, prokurorëve, sigurimsave, krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministrit Hekuran Isai, drejtorit të Sigurimit, Zylyftar Ramizi... Një rreng me qëllimin final të shmangte në kohën e duhur vendimin e gjykatës që na kishte dënuar me vdekje”, rrëfen Skënder Haluci, djali i xhaxhait të Isuf Halucit, i bashkëdënuar me vdekje nën të njëjtat akuza dhe i mallkuar të përjetonte çaste tmerri në pritje të vendimit përfundimtar të ekzekutimit me pushkatim. I njëjti që në kohët moderne, në ditët e sotme, falë jo vetëm fatit të mbijetesës, është investuar të punojë në fushën e drejtësisë, aktualisht me atributet e një prej komisionerëve të Avokatit të Popullit.
Kurthi më i zgjuar
Një thesar, shoqëruar nga një histori mbështjellëse bindëse, mjafton për të ndalur një çast frymën e çdo humani të përgjegjshëm në botë. Sepse një thesar, gjetja e tij, arrin të ndryshojnë në mënyrën më radikale të imagjinueshme fatin, rrjedhën e jetës së qenies, apo qenieve njerëzore që e posedojnë. Por askush nuk mund ta besojë se si dikur, nën darën e shtypjes absolute që buronte nga sistemi i betonuar komunist, larg çdo lloj mundësie për ndihmë, mbyllur e siguruar me pesëqind çelësa e policë roje, lidhur këmbë e duar dhe me skafandër në kokë në pritje të pushkatimit, dikush të llogariste, pa bërë asnjë gabim të vetëm, efektet e magjishme të përrallës së një thesari të largët, të padukshëm, imagjinar. Një thesari të ndërtuar në brishtësinë e eterit, porse në mendjen e krijuesit pasqyruar me bindjen për fortësinë e çeliktë të fijeve që përbënin kurthin për mbijetesë. Të paktën brenda kufijve të territorit të Shqipërisë së të gjitha kohërave ka të ngjarë që kjo të jetë gracka më e zgjuar e një të dënuari, i cili pret ekzekutimin me vdekje, pikërisht me qëllim që të shmangë këtë dhe të vazhdojë të jetojë.
“Kam fshehur një arkë me 13 kilogramë flori diku në shtratin e lumit Valbonë. Duhet të më besoni. Edhe Skënderi, djali i xhaxhait, e di për thesarin, por nuk e di se ku e kam fshehur. Do u jap prova për këtë. Prova të prekshme. Pa ju dhënë prova mos më besoni. Por... shikoni mos ndryshoni sadopak linjën e përllogaritur për fatin e jetëve tona. Fundja gjithçka në këtë histori e ka një vlerë dhe një kundërvlerë...”, kishin qenë pak a shumë fjalët e Isuf Halucit për një nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, takimin me të cilin i dënuari me vdekje e kishte kërkuar me këmbëngulje dhe urgjencë.
“Historia e thesarit ishte edhe një përpjekje e fundit për të kthyer situatën në favorin tonë. Nga ana tjetër, Isufi, duket gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit e vuante shumë faktin se bashkë më të po shkoja edhe unë drejt dënimit me vdekje. Ishte katër vjet më i madh në moshë se unë. Duket ndihej përgjegjës. Ndërkohë, unë e kisha vënë re se ai gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, ishte përpjekur që të devijonte akuzat që më përfshinin edhe mua. Saktësisht mohoi të gjitha akuzat duke i quajtur të montuara, por edhe pohoi gjithashtu, sido që të vinte puna, Skënderi, pra unë, nuk ishte i përzier me asnjë prej tyre. Pra, unë jam i bindur se më shumë se për veten e vet, këtë historinë e thesarit, Isufi e sajoi për të më ndihmuar mua”, rrëfen Skënder Haluci, pa e fshehur në asnjë çast dobësinë për personalitetin e të afërmit të vet, që tashmë nuk jeton.
Më tej, sajesa vazhdon me detajin kyç të së gjithë ngjarjes. Isuf Haluci e kishte menduar planin e vet deri në imtësi, duke përllogaritur provokim–vëzhgim rezultati edhe kundër-reagimet e kundërshtarëve. Ai kishte menduar t’u jepte një provë të fortë njerëzve, që kishin në duar fatin e jetës së tij dhe të djalit të xhaxhait. Me qëllim që ata të nisnin të besonin seriozisht në historinë e legjendës së thesarit.
“Fillimisht, që të besonin se e kishte seriozisht për thesarin, Isufi u tha atyre të Sigurimit të Shtetit se ku gjendej një pjesë fare e vogël e tij. Me Isufin në atë kohë bënim tregti me anë të florinjve, që i mblidhnim në zonën e Tropojës dhe dërgonim jashtë vendit me anë të shoferëve të kamionëve të tregtisë, të cilët, kur ktheheshin, na sillnin mall, orë e sende të tjera, çikërrima të ngjashme, por shumë të kërkuara në tregun e kohës. Para se të na arrestonin kujtoj se kishim gjendje 23 monedha floriri, që Isufi i mbante të fshehura në murin e shtëpisë së tij, në Bujan. Pas një tulle që duhej hequr. Pas arrestimit tonë, duke e ditur se kishim nëpër duar florinj, policia dhe Sigurimi kontrolluan të gjitha vrimat e mundshme, madje e mbajtën shtëpinë të rrethuar për një javë, por pa mundur të gjenin ndonjë gjë të vlefshme. Kështu Isufi, në zbatim të planit të tij, u rrëfeu krerëve të Ministrisë së Rendit të asaj kohe se ku gjendej ‘një pjesë fare e vogël e thesarit’. Ata shkuan në shtëpinë e tij në Bujan dhe i gjetën 23 monedhat pikërisht pasi hoqën tullën që u rrëfeu Isufi. Duket saktësia e informacionit dhe e vërteta e vërtetuar, bindi krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të besonin tek pjesa tjetër, te thesari i Bujanit i fshehur në një zgavër të lumit Valbonë. Më kupton, këta florinj të gjetur, këta pak florinj të falur, bënë atë efektin që bën te qeni i gjahut aroma e lëkurës së presë, që gjahtari ia tund para hundës para se ta lëshojë nga zinxhiri...”, vazhdon rrëfimin djali i xhaxhait të Isuf Halucit.
Tek thesari në Valbonë
Kështu më 22 shtatorin e largët të vitit 1985, kur kreut absolut komunist të vendit ende nuk i ishte tretur mishi në arkivol dhe kur në të gjithë vendin diktatura ishte duke ekzekutuar me pushkatim deri edhe vjedhësit e rëndomtë, në bregun e spërdredhur të lumit Valbonë, mes bukurisë së natyrës që në ato anë gjendet me tepri në çdo kohë, një kompani policësh kishin nisur të ndërtonin në mendjen e tyre skenën e gjetjes së një thesari. Të një thesari të vërtetë, mbase, mbase edhe të rrëshqitjes së ndonjë monedhe verdhëlleme në xhep, ashtu padashur, pa e vënë re askush.
“Para se të niseshin për në Tropojë, ata të Sigurimit më morën në pyetje. Ndërsa unë bëra lojën e Isufit, djalit të xhaxhait, që e adhuroja. Më pyetën për thesarin dhe u thashë se nuk dija asgjë. Kështu më kishte mësuar Isufi. Ne, por edhe të gjithë të burgosurit e tjerë, komunikonim ditën e natën me anë të një kodi që ishte shpikur në burg. I ngjashëm me atë MORS, ku një germë e caktuar e alfabetit kishte një numër goditjesh përkatëse në murin ndarës të qelive. Ndërsa ditën e dytë të marrjes në pyetje, duke bërë sikur u theva nga presioni dhe torturat, u rrëfeva xhelatëve se e dija se Isufi kishte një thesar, por u betova se nuk e dija se ku e mbante të fshehur. Duket ky pohim i bindi përfundimisht ata të Sigurimit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme se Isuf Haluci nuk i mashtronte për thesarin”, rrëfen Skënderi, duke tundur kokën majtas-djathtas, si për të treguar se sa e çmendur kishte qenë e gjithë kjo histori.
Shpura e policisë dhe disa krerë të Sigurimit të Shtetit kishin udhëtuar për gjatë gjithë natës për në Tropojë. Isuf Halucin, sipas rrëfimit të djalit të xhaxhait, e kishin lidhur këmbë e duar me hekura, ndërsa në dy krahët i rrinin dy policët më viganë të Repartit Special 326, një nga të cilët ishte kampion në sportin e mundjes.
“Siç më tregoi Isufi më pas, dy policët që e kishin marrë përsipër sigurimin e tij, njërën dorë e kishin të lidhur me pranga me dorën e tij. Kështu kishin udhëtuar gjatë gjithë natës me makinë, kështu kishin ecur përgjatë shtratit të Valbonës, kështu kishin parë shfaqjen për gjetjen e thesarit në vendin ku përroi i Shydenicës bashkohet me lumin e Valbonës duke krijuar një zgavër gjigante”...
(vijon nesër)
ferdinanddervishi@yahoo.com
Afrim Krasniqi: E kujtoj policinë duke kërkuar thesarin
“Isha i vogël, por e kujtoj policinë që nisi të kërkonte thesarin në Valbonë në vitin 1985, pasi shtëpia jonë ishte afër lumit”. Pohimi që vërteton marrëzinë e krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për kërkimin e thesarit imagjinar të së dënuarit me vdekje Isuf Haluci vjen nga publicisti dhe studiuesi i njohur, Afrim Krasniqi. I cili në fëmijërinë e hershme ka banuar në fshatin Fushë-Lumi, që gjendet në kufi me Bujanin, nga ishte Isuf Haluci, nocione gjeografike që gjenden në afërsi të qytetit të Bajram-Currit. Sipas rrëfimit të Krasniqit, atë mëngjes, herët, në shtëpitë e tyre kishte trokitur policia duke dhënë urdhra të prerë që askush mundësisht të mos dilte nga shtëpia dhe të mos bëhej kurioz për veprimet e përfaqësuesve të shtetit në zonë.
“Ishim fëmijë atëherë dhe prindërit na mbyllën brenda. Por ne e gjetëm mundësinë të hidhnim një sy. Nuk u rezistuam urdhrave. Fshehurazi nisëm të vëzhgonin se çfarë ishte duke ndodhur”, rrëfen Krasniqi.
Vendet, ku policë, civilë, por edhe ushtarë, sipas Krasniqit, kishin kërkuar për thesarin e Isuf Halucit, ishin dy.
“Kujtoj policë, ushtarë dhe disa civilë që fillimisht kërkuan në vendin kur përroi i Shydenicës bashkohet me lumin e Valbonës, por edhe në një vend tjetër. Kjo është një zonë midis fshatit Bujan dhe fshatit Fushë-Lumi, që në atë kohë nuk kishte më shumë se 20 shtëpi. Kuptohet që ne fëmijët vëzhgonim nga larg. Shtëpia e prindërve të mi ishte jo më shumë se 500 metër nga lumi. Kam të ngulitur në mendje një person që mbahej i lidhur me litar nga disa ushtarë. Duhet të ketë qenë palombari”, nxjerr nga memoria e fëmijërisë publicisti i njohur.
“Pasi kërkuan në vendtakimin e përroit të Shydenicës me Valbonën, policët, ushtarët dhe civilët u zhvendosën më tej, duke kontrolluar një tjetër zgavër. Ky vend gjendet ndanë Fushës së Bujanit, rreth 500-600 metër nga lugina e varrezave të dëshmorëve të Tropojës. Është një luginë e thellë, 200 metër mbase, e pabanuar, me shumë gjelbërim dhe ndan fshatin Bujan me Fushë-Lumin”, rrëfen Krasniqi. Sipas të njëjtit, në këtë vend të dytë dikur kishte qenë fshehur një grup të rinjsh të drejtuar nga një grua, të cilët ishin akuzuar për mashtrime dhe vjedhje të disa dyqaneve dhe magazinave të njohura në atë kohë. Një grup që nuk kishte lidhje me Isuf Halucin. Duket Sigurimi mendonte se edhe në këtë vend të lumit mund të kishte ndonjë thesar”, shpjegon Krasniqi duke e përmbyllur me pohimin se vërtet ajo zonë më pas u vu në ruajtje dhe u shpall si ekonomi ndihmëse e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës.
fe. de.