Të shkuarën e vështroj qetësisht

“Pavarësisht se jetoj prej vitesh në Spanjë, mendimet si njeri, por edhe si shkrimtar, rrjedhin natyrshëm në shqip”. Këtë frazë shkrimtari Bashkim Shehu na e tha kur e takuam në promovimin e romanit “Mozart, me vonesë” shtatorin e shkuar. Kjo është një përligjje për çdo udhëtim të tij drejt Tiranës, qoftë letrar apo nostalgjik. I fundit ishte vetëm një javë më parë.
Bashkim Shehu tërhoqi çmimin “Kult” për “Botimin më të mirë 2010”. Një vlerësim, që siç ndodh natyrshëm për shumë artist, nxit krijimtarinë. Njëherë për promovimin e romanit, pastaj për të prezantuar përkthimin në shqip nga gjuha katalanase të romanit “Senjoria” të Jaume Cabre, një konferencë me përmbajtje kulturore e pastaj një çmim letrar. A është letërsia filli që e mban më së shumti lidhur shkrimtarin me Shqipërinë? Bashkim Shehu pranon se prania e tij lidhet së pari me pozicionin e tij si këshilltar i projekteve për Europën në Qendrën e Kulturës Kontemporane të Barcelonës ku edhe jeton.
“Prej vitesh, në bashkëpunim me institucionet shqiptare si Instituti i Komunikimit dhe Dialogimit dhe Instituti i Medias, organizojmë pothuaj çdo vit nga një aktivitet, duke alternuar Tiranën dhe Barcelonën si vende organizimi. Aktiviteti i fundit, i zhvilluar në Tiranë më 7 maj, kishte si temë ‘Kultura kombëtare dhe kozmopolitizmi’. Po kështu, punoj për projekte të Qendrës së Kulturës Kontemporane të Barcelonës në bashkëpunim me institucione të vendeve të tjera të Europës Lindore. Por mund të them se bashkëpunimi me Tiranën është nga më të konsoliduarit”, shprehet Shehu.
Nga ana tjetër, Shqipëria është edhe një vend pushimesh për të. “Pushimet në Shqipëri janë bërë më të shpeshta e më të gjata sidomos pas lindjes së dy vajzave të mia binjake, të cilat këto ditë mbushin 6 vjeç. Atyre u pëlqen shumë të vemi në Shqipëri. Pra, jo vetëm ne(ime shoqe dhe unë) përbëjmë një lidhje me Shqipërinë për vajzat, po edhe ato përbëjnë një lidhje të rëndësishme me Shqipërinë për ne, ndonëse kanë lindur dhe janë rritur në Barcelonë”.
Në fakt, e shkuara është e pranishme tek ai jo vetëm në dimension krijues, por edhe shoqëror. Çdo udhëtim drejt Tiranës i ka të pashmangshme takimet e bashkë me to edhe kujtimet. “Takoj vazhdimisht miq të vjetër, me të cilët kam qenë në burg, po edhe të tjerë më të hershëm, qysh nga fëmijëria. Natyrisht, zgjohen shumë kujtime. Por me miqtë e periudhës së burgut ndodh që më së tepërmi kujtojmë aspekte komike të jetës në burg. Mendoj se kjo ndodh vetvetiu. Ndërkaq, nuk mund të mos më kujtohen edhe gjëra të tjetërllojta nga burgu, porse tashmë është një pjesë e jetës që e vështroj qetësisht”, të thotë ai teksa e ngacmon në këtë drejtim.
Atë realitet të jetuar, Shehu e përzien shpesh me një tis artistik në veprat e tij. Madje, thotë se këtë e bën natyrshëm. Shumë e kanë parë me skepticizëm e herë me kureshtje qëndrimin e tij ndaj asaj të shkuare që njohim si diktaturë. Jo vetëm për faktin se është shkrimtar (për këtë ka cilësuar shumë herë se diktatura përbën një lëndë të pashterueshme për letërsinë), por edhe për faktin se ai është pinjoll i një familjeje me pozicion politik në atë kohë. Edhe këto ditë që ne realizonim një komunikim virtual me shkrimtarin, gjen thuajse përherë një titull gazete që të rimarrë çështjen e të atit të tij, Mehmet Shehut.
Çfarë ndjesie i shkakton shkrimtarit?
“Më sjell bezdi, sepse rimarrja e kësaj historie është bërë diçka aq bajate sa s’ka ku të vejë”, thotë ai. Nëse shkojmë më tutje dhe e pyesim nëse krijojnë situata të tilla, ndoshta edhe në mënyrë të pavetëdijshme nxitje letrare, Shehu përgjigjet: “Po, nuk përjashtohet, së paku në një vështrim teorik të përgjithshëm, që bezdia të jetë edhe nxitje. Ndërsa konkretisht në rastin tim, përderisa është fjala për nxitje të pavetëdijshme, janë gjëra që mbeten të panjohura për mua. S’më pëlqen të jem vëzhgues psikologjik i vetvetes lidhur me ato që shkruaj. Do të ishte njëlloj si të merrja një thikë dhe të hapja trupin dhe trurin tim për autopsi”.
Të shkruarit ai e ka cilësuar shpesh si kërkim e herë edhe çlirim. Por saktëson se me këtë nuk ka dashur të nënkuptojë atë realitet të shkuar apo të tashëm shqiptar. Një kërkim në kuptimin e estetikës apo të poetikës së të shkruarit. “E rëndësishme për mua nuk është se për çfarë shkruhet, po mënyra se si shkruhet. Dhe krijimtaria, për mua, konsiston para së gjithash pikërisht në një kërkim të tillë”, saktëson. Vetëm pak javë më parë, Shehu ishte i pranishëm edhe si përkthyes. Ka sjellë në shqip të parën vepër të plotë nga gjuha katalanase. A është ky një proces i dytë krijues për të?
“Përkthimi është një zanat i ndryshëm nga ai i shkrimtarit. Kërkon njëfarë imitimi të stilit të tjetrit, pra edhe njëfarë distancimi nga vetvetja. Për këtë, besoj se më ndihmon diçka që përpiqem ta arrij edhe në punën time si shkrimtar: përpjekja për të zotëruar regjistra stilistikë nga më të ndryshmit, në çka konsiston edhe ai kërkim për të cilin fola pak më parë. Kjo e shmang manierizmin. Ndërkaq, ma merr mendja se, edhe kur përkthej, dalin dashur pa dashur gjëra të krijimtarisë sime si shkrimtar. Ndoshta është një e metë”. Veç angazhimit administrativ, letërsia “rrëmben” nga çdo ditë e tija. Në promovimin e “Mozart, me vonesë” theksoi se do të sjellë diçka krejt tjetër. Por nëse e pyet se në cilën epokë po jeton me personazhet e tij, Bashkim Shehu refuzon të flasë. “Më vjen keq, po në përgjithësi nuk kam dëshirë të flas për atë që jam duke shkruar”. Rasti, i mbetet promovimit të radhës.