E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk restaurohen, drejt shkatërrimit shpatat shekullore

 

Alma Mile

Nuk janë thjeshtë relikte. Ato mbu-shin një pjesë të historisë së ma-ngët të Shqi-përisë. Cilat ishin armët që përdoreshin në Shqipëri në shekujt e kaluar, nga vinin, me kë bënim tregti... Dëshmitë e mangëta i plotësojnë fare mirë objektet. Janë 210 shpata në të gjithë Shqipërinë, që datojnë qysh prej shek. XIV, pjesë e koleksioneve të muzeve shtetërore, apo koleksionistëve privatë. Shefi i laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, Frederik Stamati, i pasionuar pas këtyre objekteve, sapo ka përfunduar një udhëtim nëpër Shqipëri, për të evidentuar pikërisht këto objekte. Ai thotë se është një pasuri e tërë, e cila çdo ditë jep informacione të reja. Vetëm pak ditë më parë, ka dalë në shitje në tregun e Krujës, një shpatë e shek. XVI, me ornamente, e cila ndryshe nga shumica e armatimeve, duket se vjen nga Italia e jo nga Orienti. "Të tilla janë rreth 10 copë. Janë në duar të ndryshme, si në Shkodër, Peshkopi, Instituti i Kulturës Popullore e koleksionistë të tjerë dhe paraqesin një rëndësi të madhe për periudhën, së cilës i takojnë dhe vendit të origjinës. Kjo tregon që në shek. XVI, ose kemi pasur treg armësh me Italinë, ose këto lloj armësh vinin në mënyrë kontrabandë, për të furnizuar kryengritësit shqiptarë", - thotë Frederik Stamati. Por ato janë pjesë e një koleksioni prej 210 syresh që ruhen në të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht ato ruhen në gjendje jo edhe aq të mirë. Shumica janë tepër të dëmtuara dhe kanë nevojë urgjente për restaurim. Por kjo nuk është edhe aq e thjeshtë, nëse shteti nuk vë ujin në zjarr. I vetmi institucion i specializuar, i aftë për të realizuar restaurimin e këtyre objekteve, që do të thotë shpëtimin e tyre, është laboratori i Konservimit dhe Arkeometrisë, në varësi të Institutit të Kulturës Popullore. Duhet thënë se ky laborator ka vetëm dy punonjës, të cilët duhet të restaurojnë jo vetëm shpatat, por edhe të gjitha objektet arkeologjike, që nga qeramikat, tek bronzet e metalet e tjera. Ndërkohë që vetëm për një shpatë, Stamati thotë se duhen 2 muaj punë. Nga koleksioni që njihet deri më tani, 80 shpata ruhen në muzeun e Institutit të Kulturës Popullore dhe nga këto vetëm 25 janë restauruar, ndërsa pjesa tjetër pret radhën. Dhe në kushtet e laboratorit, asnjëherë nuk i dihet se kur do të vijë ajo ditë e bardhë. Ndërsa pjesa tjetër, me përjashtime të vogla, të atyre objekteve, për të cilat janë kujdesur koleksionistët privatë, Stamati thotë se janë në gjendje shumë të keqe. Por Stamati thotë se nuk është thjesht ky problemi. Sipas tij duhet riparë i gjithë koncepti mbi trashëgiminë kulturore. Këtu ai nënkupton edhe riparjen e vlerave monetare të objekteve etnografike. Çmimet e objekteve janë ende sipas listës së përcaktuar gati 50 vjet më parë. Dhe mësohet se këto çmime variojnë nga 5 lekë-2 mijë lekë. Kështu shpatat, të cilat në bazë të çmimeve të vjetra kushtojnë 70 lekë, sot kanë një vlerë prej 500 euro, ndërsa ato me vlera të veçanta 2 mijë euro. Duke mos bërë një rivlerësim të çmimeve të tyre, askush nuk është në dijeni të kësaj pasurie që zotërojmë. Ndërkohë, që nën shtresat e ndryshkut, këto armë fshehin jo pak sekrete. Fshehin mbishkrime, emra, vula, data, ornamente të rralla, të cilat ofrojnë informacione për kohën, së cilës i përkasin. "Do të doja të ndalesha tek 10 shpatat evropiane, të cilat na dëshmojnë për marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Italinë në këtë fushë. Deri më sot ky fakt ka qenë i panjohur", - thotë shefi i laboratorit. Shumica e armëve mbajnë vulën e orientit, është gjetur edhe ndonjë nga Pisau i Gjermanisë dhe së fundmi edhe nga Italia. Një nga shpatat, e cila ruhet në Peshkopi, mban mbishkrimin latin "Genoa" dhe dëshmon qartë për prejardhjen e saj. Ndërkaq, Stamati thotë se ka ende shumë për të zbuluar, gjë që është e pamundur nëse këto objekte nuk i nënshtrohen restaurimit dhe studimit.

Laboratori
Vetëm dy janë punonjësit në laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë, të cilët mundohen që të realizojnë restaurimin e objekteve arkeologjike dhe etnografike. Ve-tëm shpata importi numërohen 210 copë, plus 20 të shkurtra, që janë prodhim vendi. Shumica e tyre kanë nevojë për restaurim, por vetëm një syresh kërkon 2 muaj punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›