E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri, hidhen pesticide në fshat

 

MIRDITE - Banorët e fshatit Blinisht në komunën e Oroshit të Mirditës dhanë dje alarmin se një sasi lëndësh helmuese ishin hedhur buzë rrugës nacionale. Sipas tyre, helmet janë hedhur nga persona të papërgjegjshëm, të cilët nuk e kanë marrë parasysh rrezikun që ekziston për ata që jetojnë aty. Menjëherë banorët kanë kuptuar se bëhej fjalë për pesticide. Njëri nga banorët, me profesion mësues kimie njoftoi i pari, duke pohuar se burimet e ujit pranë zonës ku ishin hedhur helmet kishte marrë ngjyrë të kuqe. Banorët e fshatit kanë frikë të konsumojnë ujin e këtyre burimeve dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e strukturave të shtetit për t'i larguar helmet nga zona ku jetojnë. Ata shprehën shqetësimin se nëse ndotja vazhdon nëpërmjet përroit të fshatit, atëherë rrezikohet që të përhapet në lumin Fan. Helmet e rënda janë hedhur në një rrëpirë, duke menduar se askush nuk ka për t'i parë. Deri aty pesticidet janë dërguar me mjete transporti, ndërkohë që era e rëndë ka tërhequr vëmendjen e banorëve të Blinishtit, të cilët janë detyruar të kontrollojnë gjithë territorin e fshatit për të gjetur lëndët helmuese. Drejtoria e Higjienës Mirditë, Komisariati i Policisë dhe Drejtoria  Mjedisit Lezhë kanë dërguar dje ekspertët e tyre në Orosh dhe kanë tërhequr kampione të pesticideve.                                      h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›