E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të uritur për humanizëm



Dhe qendra është zemra. Ky organ i mistershëm, gati një bombë gjaku mekanike, një hiç përpara ndërlikimeve të panumërta e plot labirinthe të trurit, por që na dhemb kur gjendemi në krizë. Për arsye që nuk arrijmë t’i kuptojmë, zemra duket se është akuzuesja më e madhe e misterit, trishtimit, pasionit, zilisë, mllefit, dashurisë, vetmisë, deri edhe... Nuk kishte rëndësi në vinte nga Rumania, Bosnja apo ish-Jufgosllavia. Ishte thjesht një qenie endacake si mijëra refugjatë në botë, si njerëzit e patokë të Brazilit, apo si ata që orvaten me çdo kusht të arratisen nga Shqipëria. Një prej miliona personave, për fatin e të cilëve jemi përgjegjës. Po rrojmë në një kohë kur një pjesë e humnaizmit të njeriut po eklipsohet, ndërsa jeta na vëzhgon me sytë e shqyer, të uritur për humanizëm.

Ernesto SABATO

Lexoj lajmet dhe e quaj të papranueshme braktisjen e qetë drejt idesë se bota do ta kapërcejë, pa vështirësi, këtë krizë që po kalon... Ashtu si edhe në epoka të tjera të historisë, pushteti, i parë fillimisht si aleati më i mirë i njeriut, po përgatitet sërish të hedhë grushtin e fundit me dhè mbi varrin e perandorisë së tij madhështore.
“Pa dyshim, çdo brezi i duket vetja si i përzedhuri i fatit për të rindërtuar botën. Të paktën imi e di se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Por detyrat e tij është ndoshta më e madhe, ajo qëndron në ndalimin e shkatërrimit të botës. Trashëgimtar i një historie të kalbur, ku molepsen revolucione të dështuara, teknika të çmendura, perëndi të vdekura e ideologji të shteruara; ku pushtete mediokre që sot mund të shkatërrojnë gjithçka, nuk ia dalin të bindin; ku zgjuarësia poshtërohet deri në atë pikë, sa vihet në shërbim të urrejtjes e të shtypjes.”
Në perëndim të shekullit të njëzetë as që mund të dyshohet në këto fjalë të Kamysë. Megjithatë, ka nga ata që mëtojnë se duhet të vazhdohet të flietet për progresin e Historisë, në kuadrin e një akti vetëvrasës, i cili do të donte ta shihte vëngër trashëgimin patetike racionaliste.
Historia nuk përparon. Xhambatisata Viko foli për “ngjarje të ndodhura e të rindodhura”. Historia mbahet më këmbë nga një lëvizje e natyrës vajtje-ardhje, ide kjo e rimarrë nga Shopenhauri e më pas nga Niçe. Progresi është i vlefshëm vetëm për mendimin e pastër. Matematika e Ajnshtajnit qëndron, në mënyrë të dukshme, më sipër asaj të Arkimedit. Kusuri, pjesa më e rëndësishme, zë fill në koren e trurit e zbret përposhtë. Dhe qendra është zemra. Ky organ i mistershëm, gati një bombë gjaku mekanike, një hiç përpara ndërlikimeve të panumërta e plot labirinthe të trurit, por që na dhemb kur gjendemi në krizë. Për arsye që nuk arrijmë t’i kuptojmë, zemra duket se është akuzuesja më e madhe e misterit, trishtimit, pasionit, zilisë, mllefit, dashurisë, vetmisë, deri edhe vetë ekzistencës së Zotit apo Djallit. Njeriu nuk bën përpara, sepse shpirti (psikika) e tij mbetet gjithnjë i njëjti. Shprehja e Ekleziastit “nuk ka asgjë të re nën këtë diell”, i drejtohet pikërisht zemrës së njeriut, të banuar në të gjitha epokat nga të njëjtat ndjenja, të shtyrë drejt heroizmash fisnike e njëkohësisht të joshur nga e keqja. Teknika dhe arsyeja qenë mjetet e kërkuara me ngulm nga pozitivistët si pishtarë ndriçues të udhës sonë drejt Progresit. Dritë të bukur na prunë! Fundi i shekullit na pikas në errësirë dhe qartësia e vagëlluar, e mbetur ende, duket se tregon që gjendemi të rrethuar nga hijet. Lundërmbytur në terr, njeriu bën përpara drejt mijëvjeçarit të ardhshëm me pasigurinë e atij që ka dalluar së largu një humnerë.

***

Kohë më parë pashë një film të Emir Kosturicës mbi shpërbërjen e Jugosllavisë. Më bëri përshtypje ftohtësia, me të cilën tregonte mizorinë e një shfarosjeje të tillë. Dhe kur ngulita në sy e në mendje disa qenie, që me lodhjen e dhimbjen e vet, duke punuar nën tokë, u lejonin të jetonin pak individëve meskinë e të pamëshirshëm, ndjeva se ishte diçka e ngjashme me një metaforë të madhe të kësaj kohe, kur një pjesë e humnaizmit të njeriut po eklipsohet.
Një ndjenjë e ngjashme më kaploi papritur një herë tjetër, ndërsa udhëtoja me tren. Në vagonin tim hyri një grua thatanike, lëkurerrët e me një fizarmonikë të shkallmuar luante një soj muzike të kobshme. Varur në qafë mbante një kartelë, ku sqaronte se i qe dashur të arratisej nga Rumania. Dëgjova melodinë e saj, u ndala një hop duke vëzhguar atë grua pa Atdhe e pa një strehë për të futur kokën; nuk kishte rëndësi në vinte nga Rumania, Bosnja apo ish-Jufgosllavia. Ishte thjesht një qenie endacake si mijëra refugjatë në botë, si njerëzit e patokë të Brazilit, apo si ata që orvaten me çdo kusht të arratisen nga Shqipëria. Një prej miliona personave, për fatin e të cilëve jemi përgjegjës. Janë këta që nuk i njohin ideologjitë apo atatistikat sociologjike, porse e dinë mirë se nuk kanë rëndësi për historinë.
Teksa largohej drejt një vagoni tjetër, ndesha në shikimin e trishtë të vogëlushes, që e kishte ngarkuar mbi shpinë. Më krodhi në mendimi përmbi atë se çfarë po ndodh: një botë që duket se po i drejtohet dezintegrimit, ndërsa jeta na vëzhgon me sytë e shqyer, të uritur për humanizëm.

***
Më bëri përshtypje një lajm i lexuar këtë mëngjes në gazetë; e preva dhe e ruajta në njërin prej sirtareve të arkivit tim, mes shumë copëzash gazetash të prera, të cilat këto vite më kanë ndihmuar të jetoj.
Një grua, një ditë dimri të acartë, mbathur thjesht me bluzë e pantallonona, u arratis nga spitali psikiatrik, vetëm pse i kishte shkrepur në kokë të takonte shokun e saj. Duke përfituar nga hutesa e makinistit, arriti të rrëmbente një lokomotivë dhe, duke e vënë në punë pa vështirësi, nisi odisenë e vet. I dashuri kishte punuar në hekurudhë dhe e kishte mësuar të ngiste trena e “shumë gjëra të tjera”.
“Po ta dinit se ç’është dashuria, do të më linit të vazhdoja”, i thoshte oficerit që e arrestoi dhe, tek dërgohej në komisariat, çirrej me një vajtim të pangushëllueshëm: “Ju nuk keni bërë kurrë diçka për dashurinë?”
Me qëllim e veçova këtë histori nga letrat e mia, pasi në njëfarë mënyre, kur arsyeja na shpie në prag të psikozës kolektive, një gjest i tillë është ai që i ngjan më tepër shpëtimit.

***
Sot u mundova të pushoj, së paku deri më pesë, por m’u shfaq papritur një tip vizioni që pak nga pak më përmendi, diçka në largësi, por megjithatë sa vinte e më përfshinte më shumë; kështu kalova një çast të gjatë duke u përpjekur midis realitetit e delirit. Derisa, më në fund, nisa të rrotullohesha në shtrat, atëherë u zbulova dhe prita që i ftohti të m’i qetësonte nervat.
Diçka e turbullt, kumtim i realitetit ku po jetojmë, i pavetëdijes, si një mërmërimë më kujtonte këto që po pikturoj vitet e fundit: qenie të lemeritshme, të dala nga thellësia e shpirtit, kulla që shemben, zogj në qiej të përflakur. Nuk ua di domethënien, ndoshta janë paralajmërimin, ndoshta pasoja të vuajtjes së përjetuar gjatë të shkruarit të disa pjesëzave të trilleve të mia, si për shembull “Rreth të Verbërve”.
Nuk po fle dot përsëri, ndez një llambë e përshkoj errësirën e studios. Mbi skrivani shoh disa zarfe që mbajnë disa fragmente, të cilat kam ndër mend t’i përfshijë në këtë libër të konceptuar pa parameditim, të dalë nga shpirti, jo nga truri, të diktuar nga shqetësimet dhe trishtimi i këtyre viteve përfundimtare.
Rishoh faqet, disa, shumë, janë të shënuara e të shuara; korrigjime të panumërta. Për shkak të ankthit që më mundon, mundohem t’i harroj, por ato kthehen vazhdimisht, këmbëngulëse, si goditje me grushta nga brendësia e kokës sime.

Përktheu Ajsela Koka

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›